Film

Historia e Kristës, trondit TIFF

filmiDrama e femrave në Lindjen e Mesme vjen në filmin “9 vjeç shtatzënë”, i cili u shfaq dje në skenën e Tirana Film Festival

“Dhembja nuk do të mbarojë asnjëherë… do të jetë gjithmonë aty…” Me sytë e përlotur nga rrëfimi, Krista një vajzë 10-vjeçare, e di se nuk mund të heqë asnjëherë nga kujtesa, gjithçka i ka ndodhur. Nga kopshti i qendrës sociale ku tashmë po kalon jetën, ajo nuk do të kthehet më pas, por as të harrojë. Është një rrugë e gjatë deri te harresa, që ndoshta nuk ka për të ndodhur kurrë. Vetëm pak më parë nëna e saj ishte aty për ta takuar, dhe ajo nuk e takoi. “Nuwebe” filmi i regjisorit filipinas, Joseph Israel Labans, i vlerësuar në disa festivale ndërkombëtare, është shfaqur dje në skenën e Tirana Film Festival. Historia e Kristës, një vajze 9-vjeçare e cila përdhunohet nga i ati, dhe mbetet shtatzënë, solli një tablo të asaj çfarë ndodh ende me qindra vajza në vendet e Lindjes, ku jetesa në kushte të vështira ekonomike, dhe mosarsimimi, sjell dhe deformime sociale. Në një vend ku ende më shumë forcë ka besimi te magjitë, dhe besëtytnitë, shpirtrat e këqij, duket se zgjidhja është larg.

Për regjisorin Labans, filmi është frymëzuar nga një histori e vërtetë. Pasi personazhi real i këtij filmi është një nënë e re filipinase vetëm 9 vjeç. Të bëje një film të tillë në Filipine, ishte një guxim për t’iu bashkuar zërit të qindra femrave që përjetojnë një dhunë të tillë. Kritika ndërkombëtare e ka quajtur horror këtë histori, por Labans, thotë se ky është thjesht një realitet. Përpara se të realizonte këtë prodhim kinematografik, ai ka punuar për një dokumentar mbi gratë në krahina të ndryshme të vendit. Ka dëgjuar shumë histori, dhe ka parë sesi ato vazhdojnë të jetojnë me dhunuesit e tyre, e nuk mund të bëjnë asgjë. “Është e vështirë të ndryshosh një mentalitet. Përdhunimet janë një problem me të cilën përballet shoqëria dhe shteti”, thotë ai. Aktori që interpreton rolin e babait Jake Cuenca tregon se ka hezituar ta marrë këtë rol, për shkak të paragjykimit që do të kishte në opinionin publik. “Ishte diçka e vështirë për mua të përfshihesha në këtë rol. Nuk është një komedi, por një dramë. Kjo është një histori e vërtetë. Unë e njoh rastin dhe jam prekur shumë. Kjo më bëri të rrezikoja dhe ta luaja këtë rol”, thotë Cuenca. Për, të ky film i bën njerëzit të mendojnë. Ky ka qenë dhe qëllimi. Kjo është një dramë e cila nuk mund të lihet në harresë. Duke folur njerëzit do të ndërgjegjësohen. “Ky film është një testament për të gjitha femrat që dhunohen. Kjo vajzë 9-vjeçare vendosi të mbante fëmijën dhe të ecte përpara. Është e dhembshme, por ka kurajë, thotë ai. Por me gjithë historinë e trishtë që mbart ky film, duket se regjisori Labans, ka bërë dhe një zbulim. Aktorja 9-vjeçare që interpreton rolin e Kristës, Barbara Miguel është kthyer në një yll jo vetëm në Filipine. Vetëm pak javë më parë ajo mori çmimin si aktorja më e mirë e Harlem International Film Festival në SHBA. “Interpretimi i saj qe befasues. E lindur për të qenë aktore, ajo ka shkëlqyer me këtë film”, thotë regjisori. Nadine, nëna e Kristës në film është një personazh që e tregon më së miri gjendjen e grave në këtë vend. E dyzuar mes dashurisë për të shoqin dhe rolit të një nëne, ajo është një tablo e trishtuar, e krijuar nga një tjetër dhunë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button