Historia e “kryefamiljarit”, 8 vjeç
Sensibilizohen qytetarët, para dhe ushqime familjes
SHSSH i ofron punë së ëmës. Njësia 5 e kërcënon se do t’i heqë ndihmën ekonomike nëse djali del në rrugë
Nga Ilda Hoxha
Publikimi në gazetën “Shqip” i historisë së djalit 8-vjeçar, që del me peshore në rrugë, për të mbajtur familjen, ka ngjallur reagime të jashtëzakonshme si nga qytetarët ashtu edhe nga institucionet përgjegjëse. Qytetarët, sipas mundësive, kanë kontribuuar me para apo ushqime për të lehtësuar sado pak vuajtjet financiare të kësaj familje. Emigrantë shqiptarë kanë kërkuar një numër llogarie bankare, për të depozituar sipas mundësive, në ndihmë të familjes së të voglit. Thirrje, që pas kontakteve me familjen e 8-vjeçarit, u plotësua nga e ëma, e cila ka hapur tanimë një llogari bankare, për të interesuarit që dëshirojnë të kontribuojnë me shuma të caktuara parash. Gazeta “Shqip” publikon sot numrin e llogarisë bankare, që është: AL032008110080000090301535101 Swift: Usalaltr , ku kanë kontribuar të interesuarit, ndërsa mund të vazhdojnë të depozitojnë të tjera para, nëse kanë mundësi ekonomike, për të lehtësuar sadopak dhimbjet e kësaj familje, e sidomos të këtij vogëlushi, jeta e të cilit, nuk është e njëjtë me atë të bashkëmoshatarëve të tij. Me dhjetëra të rinj e familjarë kanë shprehur dëshirën të japin para për këtë familje, kryesisht për vogëlushin. Të tjerë kanë dërguar ushqime, sheqer, miell, oriz, makarona, për të plotësuar nevojat bazë deri tek ëmbëlsirat, patatinat, lëngjet e frutave për vogëlushin. Një sensibilizim i jashtëzakonshëm që tregon sesa humane dhe e ndjeshme është shoqëria shqiptare, e cila herë pas here, në raste nevoje të gjendet pranë me çdo mundësi që ka. Por, historia e dhimbshme e djaloshit, që pasi mbaron mësimin del në rrugë me peshore, për të fituar disa të holla, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, me një nënë që punon pastruese sa herë t’i jepet mundësia dhe me një baba, të alkoolizuar, nuk i ka shpëtuar as vëmendjes së autoriteteve përgjegjëse shtetërore. Ka qenë Shërbimi Social Shtetëror, i cili ka reaguar, duke shkuar pranë familjes në fjalë. Fillimisht ata kanë inspektuar gjendjen në të cilën jeton kjo familje dhe kanë arritur në përfundimin se jetojnë në kushte jo të përshtatshme. Shërbimi Social ka kërkuar nga mamaja e djalit, që të ndalojë fëmijën e saj për të dalë në rrugë me peshore. Sipas tyre kjo është në kundërshtim me ligjin dhe cenon të miturin. Përpos kësaj ata kanë propozuar që zonja Deliu të paraqitet pranë zyrave të punës dhe të regjistrohet si e papunë, pasi kjo është e vetmja mënyrë që ajo të arrijë të sigurojë një mundësi punësimi. Shërbimi Social bën me dije së bashkë me punonjëset e këtij institucioni është dërguar pranë zyrave të punës, ku ka bërë edhe aplikimin. Disa ditë më pas, ajo është telefonuar duke e lajmëruar se ekziston një mundësi punësimi për të, pastruese pranë një pastiçerie. Zonja Deliu, e entuziazmuar nga lajmi, për të parën gjë që ka pyetur është paga. Por, rroga prej 16 mijë lekësh të reja në muaj, për të punuar si pastruese me dy turne, i është dukur jo e kënaqshme, pasi ka dy fëmijë të vegjël dhe e ka të pamundur t’i lërë vetëm në shtëpi, me të atin e alkoolizuar.
“Puna që më ofruan është me turne, dhe e kam të pamundur, kam dy fëmijë të vegjël, për të cilët duhet të kujdesem. Puna është larg dhe për më tepër, nuk ka asnjë ditë pushimi. Pavarësisht kësaj, paga është mjaft e ulët, vetëm 16 mijë lekë të reja, ndërkohë që paga minimale në Shqipëri është përcaktuar 22 mijë lekë. Nuk mund t’i lë fëmijët vetëm me babain e tyre, i cili rri gjatë gjithë kohës i dehur”, tregon e ëma e vogëlushit. Një premtim që i është bërë zonjës nga Shërbimi Social është edhe përfshirja në procesin e rimbursimit për tekstet shkollore, që u ka blerë fëmijëve. Por, Lumturia tregon se ndonëse ka një faturë të rregullt tatimore, nuk i ka marrë ende mbrapsht paratë e librave. Ajo thekson se i është komunikuar se fatura tatimore, që ajo disponon, nuk është e rregullt, për këtë arsye nuk është rimbursuar ende. E ëma e 8-vjeçarit, që preku zemrat e shqiptarëve, brenda dhe përtej kufijve të vendit, me historinë e tij prekëse për të fituar bukën e gojës, sqaron për gazetën “Shqip”, se është kërcënuar nga punonjësit e minibashkisë numër 5, se do t’i heqin pagesën e ndihmës ekonomike, nëse vazhdon ta nxjerrë djalin në rrugë.
“Do t’iu heqim përkrahjen sociale, në rast se djali del me peshore në rrugë”. Këto janë fjalët që i kanë komunikuar Lumturies, punonjësit e kësaj njësie, të cilat e kanë shqetësuar shumë, pasi nuk është ajo që e ka detyruar të birin të dalë në rrugë, por është vetë ai i cili ka marrë përsipër të ndihmojë familjen me ato pak para që fiton nëpërmjet peshores, që mban përpara vetes pasditeve, pas përfundimit të mësimit. “I kam thënë me qindra herë mos dil o bir se do ftohesh. Madje edhe i jam lutur, duke i thënë që mund të ndodhë gjithçka e keqe sepse është rrugë, ka pluhur, lagështirë. I kam thënë që është i vogël dhe që do ketë kohë për të na mbajtur kur të rritet”, tregon e prekur, Lumturie Deliu, mamaja e djalit. Zonja shton se i biri nuk i është bindur dhe me të drejtë, edhe ai do të ketë ndonjë lekë me vete, për të blerë ndonjëherë byrek, në pushimin e madh, gjatë orarit zyrtar të mësimit. “Sheh fëmijët duke ngrënë, është fëmijë do edhe ai të blejë ndonjë gjë. Më ka kërkuar disa herë, por në të shumtën e rasteve nuk kam pasur mundësi t’ia plotësoj”, shpjegon e ëma e djaloshit. M.D., djali 8-vjeçar, prej shumë kohësh ka filluar të punojë për të ndihmuar familjen e tij. “Kryefamiljari” pohon se ka qenë dëshira e tij për ta bërë këtë punë, ndonëse është ndaluar nga e ëma vazhdimisht. Vogëlushit i duhet që paradite të ndjekë shkollën, ndërsa pasditeve të dalë për të fituar ndonjë kacidhe, për të marrë 100 lekëshin e ditës dhe për të blerë ndonjë gjë për të ngrënë. Përgjithësisht blen gjizë, sepse e di që është ushqimi i preferuar i mamasë së tij, të cilën e do kaq shumë, sa sot, edhe pse vetëm 8 vjeç i është bërë krah i fortë pune.