Historiku i revistës satirike “Charlie Hebdo”
Revista “Charlie Hebdo” u bë legjendë e deklaratave fyese e ironike në Francë, pasi ndërmori disa hapa tepër provokues e që godisnin Islamin.
Revista e quajti para disa kohësh Profetin Muhamed si redaktor të ftuar të saj, duke publikuar edhe karikatura të figurës së shenjtë tërësisht të zhveshur, ndërsa një tjetër herë e ndryshoi emrin e saj në “Sharia Hebdo”, ku slogani kryesor ishte “100 goditje me kamzhik nëse nuk vdisni nga të qeshurat”.
Polemikat nisën në vitin 2006, kur ajo ripublikoi karikaturat e famshme të Profetit Muhamed, të cilat ishin publikuar fillimisht nga artisti danez, Kurt Westergaard. Kur ato imazhe u nxorrën për herë të parë në publik, nxitën disa ditë protestash anembanë Lindjes së Mesme, por edhe në disa qytete perëndimore. Vendimi për t’i ripublikuar ato bëri që ish-kryeredaktori i asaj kohe të shkonte në gjyq, bazuar mbi ligjet antiterroriste, e megjithatë më pas u lirua.
Zyrat e “Hebdo” u dogjën njëherë përgjatë vitit 2011, kur disa agresorë përdorën përzierje molotovi për të shkaktuar një zjarr, mëngjesin e 2 nëntorit. Në atë moment nuk kishte asnjë person në ndërtesë, ndërsa objektivi i sulmit u besua të ishte sistemi kompjuterit i revistës, që në fakt u shkatërrua tërësisht.
Policia u detyrua të qëndronte në ruajtje të objektit nga jashtë për ditë me radhë pas sulmit, kjo për shkak se kryeredaktorët mbajtën një qëndrim sfidues, duke zgjedhur të ripublikonin karikaturat disa herë me radhë.
Në vitin 2012 ata nxorrën sërish karikaturat e Profetit Muhamed, si një xhest me qëllim provokativ, ndërsa protesta të dhunshme u mbajtën anembanë Lindjes së Mesme.
Vitin pasardhës, selia e revistës u rrethua sërish nga oficerë policie, pasi publikuan një tjetër broshurë me karikatura, ku Profeti shfaqej nudo si një fëmijë, ndërsa shoqërohej me karrige me rrota.
Në faqen e fundit të broshurës ishte një shënim nga kryeredaktori, Stephane Charbonnier, në të cilën thuhej se imazhet ishin “Hallall” sepse muslimanët kishin punuar për to, dhe se ato ishin të bazuara mbi fakte të vërteta, siç rridhnin nga përshkrimet e Kuranit.
Revista satirike, e konsideruar gjerësisht si përgjigje e Francës ndaj syve të fshehtë, e lavdëron vetëveten për një sërë raportimesh dhe për gazetari investigative. Selia aktuale e “Hebdo” nuk kishte asnjë njoftim paralajmërues nëpër dyer mbi një përsëritje të mundshme të sulmeve si në të kaluarën.
Në një intervistë me “De Volkskrant” në janarin e 2013-s, Charbonnier zbuloi se ai ishte vënë në mbikëqyrje të rreptë të policisë për 4 muaj, pasi një prej karikaturave ishte publikuar.
Ai nuk i merrte parasysh kritikat, që flisnin se ai po publikonte këto imazhe vetëm për t’u bërë i famshëm dhe për ta bërë edhe revistën të famshme, si dhe këmbëngulte se me këto veprime ai po mbronte të drejtën dhe lirinë e shtypit.
Charbonnier kishte theksuar se revista kishte përdorur ironi e sarkazma edhe ndaj feminizmit, energjisë bërthamore dhe sigurisë së brendshme në Francë, por çështjet e Islamit tërhiqnin gjithnjë më shumë vëmendje dhe ishin një publicitet i mirë për revistën.