Hoti reagon pas linçimit ndaj Fidan Jupollit: Gazetarët nuk kanë nevojë për lejen e pushtetit për të folur lirshëm
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar ndaj sulmeve linçuese ndaj gazetarit Fidan Jupolli, duke theksuar se fjala e lirë mbrohet sidomos atëherë kur nuk na pëlqen ajo që thuhet.
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me sulmet linçuese ndaj gazetarit Fidan Jupolli, siç njofton Klan Kosova. Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se pushteti demokratik duhet t’i përballojë kritikat.
“Gjuha e linçimit ndaj kritikëve, e promovuar me fanatizëm nga Kurti dhe ndjekësit e tij, këto ditë është drejtuar ndaj gazetarit Fidan Jupolli”, shkroi Hoti, duke kujtuar kohën kur ishte kryeministër dhe ishte kritikuar pikërisht me satirë nga Jupolli.
Ai tha se kur ishte në pushtet, Fidan Jupolli e kishte kritikuar dhe kishte bërë satirë çdo ditë, por asnjëherë askujt prej tyre as nuk i kishte shkuar mendja ta linçonte atë. “Sepse dallimi mes demokracisë dhe mentalitetit autoritar qëndron pikërisht te mënyra se si i trajtojmë ata që nuk pajtohen me ne”, theksoi Hoti.
“Fjala e lirë mbrohet sidomos atëherë kur nuk na pëlqen ajo që thuhet”, shtoi ai, duke përfunduar: “Pushteti demokratik i përballon kritikat. Gazetarët nuk kanë nevojë për lejen e pushtetit për të folur lirshëm.”



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.