Hoti: Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2016-2021 ka katër shtylla
Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2016-2021, e cila është aprovuar dje në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, ka katër shtylla: kapitali njerëzor; sundimi i ligjit dhe qeverisja e mire; zhvillimi i industrive konkurruese; dhe zhvillimi i infrastrukturës.
Këtë e bëri të ditur sot ministri kosovar i Financave, Avdullah Hoti, duke bërë prezantimin e Strategjisë në një konferencë shtypi në ambientet e qeverisë.
“Kjo është strategjia e parë që definon zhvillimin afatgjatë dhe gjithëpërfshirës të Kosovës”, theksoi ministri Hoti.
Strategjia, vijoi ai, bazohet në filozofinë e veprimit, ku zhvillimi ekonomik, punësimi dhe mirëqenia bazohen në iniciativën private, konkurrencën dhe tregun e hapur, me qeverinë si ofruese e kornizës institucionale për zhvillimin e aktivitetit ekonomik, që siguron kohezionin e brendshëm të ekonomisë dhe shoqërisë.
“Këto janë themelet më të shëndosha që një qeveri mund të ofrojë për zhvillimin e vendit. Kryefjala e kësaj Strategjie është rritja ekonomike për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve, për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm duke u bazuar në politika konsistente”, tha ministri i Financave në qeverinë e Kosovës.
Strategjia Kombëtare, vijoi ministri Avdullah Hoti, përmban listën e prioriteteve zhvillimore dhe masat për evitimin e pengesave për zhvillimin e Kosovës.
“Pengesë kryesore për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social në të kaluarën ka qenë mungesa e kohezionit të politikave zhvillimore dhe koordinimit ndër-institucional.Prandaj, kjo strategji siguron: koordinimin e veprimeve të të gjithë institucioneve dhe akterëve të involvuar në proceset zhvillimore; parandalimin e proceseve të dyfishta institucionale; efikasitet më të lartë të punës; orientimin e përkrahjes nga partnerët zhvillimorë, si dhe forcimin e llogaridhënies të zyrtarëve që janë përgjegjës për politikat zhvillimore”, u shpreh ai.
Ministri Hoti tha se, Strategjia Kombëtare për Zhvillim është në harmoni të plotë me proceset e tjera strategjike: me procesin e integrimit në Bashkësinë Evropiane përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit; me Programin për Reforma Ekonomike, të cilin qeveria e dorëzon tek Komisioni Evropian në muajin janar; me Strategjinë e re të Bashkimit Evropian “Evropa 2020”; si dhe me ciklin e ri të planifikimit të asistencës së BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Pas aprovimit, do të miratojmë kornizën legale që e mbështet këtë Strategji, sidomos sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja dhe forcimit të aftësisë konkurruese të ekonomisë tonë”, paralajmëroi ai hapat e mëtejshëm të qeverisë së Kosovës.
Strategjia Kombëtare për Zhvillim, tha ministri Hoti, synon një reformim të procesit të politikëbërjes, përmes vendosjes së objektivave zhvillimore të arritshme dhe të definuara qartë, si dhe duke përcaktuar përgjegjësinë dhe llogaridhënien nga ana e personave kompetentë.
Duke folur për katër shtylla e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, ministri Hoti tha se, në kapitullin e parë masat e drejtuara kah zhvillimi i kapitalit njerëzor synojnë që në gjashtë vitet e ardhshme të kthejnë fuqinë punëtore të Kosovës në motor të zhvillimit, duke i adresuar mangësitë e sistemit arsimor dhe duke e shfrytëzuar kapitalin njerëzor të diasporës për transferim të njohurive.
“Në kapitullin e dytë definohen politikat dhe masat për sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, me synimin e krijimit të sigurisë juridike për biznese dhe qytetarë, dhe efikasitetin më të madh të institucioneve, si parakusht për zhvillim të përgjithshëm dhe drejtësi shoqërore”, theksoi ai.
Ndërsa, vijoi ministri Hoti, në kapitullin e tretë definohen objektivat dhe masat që lidhen me zhvillimin e industrive konkurrente.
“Këtu parashihen masat e përkrahjes së shtetit në procesin e ri-industrializimit në Kosovë, në mënyrë që ndërmarrjet private dhe publike të mund të rriten dhe zhvillohen dhe të kalojnë në aktivitete ekonomike me vlerë të lartë të shtuar, duke prodhuar në veçanti mallra dhe shërbime për eksport”, tha ai.
Në kapitullin e katërt, vijoi ministri Hoti, përcaktohen objektivat dhe masat konkrete në ndërtimin e aseteve strategjike të infrastrukturës, dhe vënia e kësaj infrastrukture në funksion të zhvillimit.
“Në sektorin e energjisë përfshihen masat për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike të bazuara në linjit, si dhe investimet në burime alternative. Në sektorin e transportit janë përcaktuar objektivat për rrjetëzimin e plotë dhe ndërlidhjen e Kosovës me rrjetin rrugor dhe hekurudhor të rajonit, si dhe modernizimin e infrastrukturës të komunikimit. Janë paraparë masa të veçanta që sigurojnë investime në përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, duke siguruar balancë në mes të nevojave zhvillimore dhe kujdesit ndaj mjedisit”, tha ministri kosovar i Financave.
Ministri Hoti vlerësoi se, miratimi i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, dje, nga ana e qeverisë së Kosovës është hap i rëndësishëm drejt planifikimit plotësisht të integruar të politikave zhvillimore dhe ndërtimit të sistemit të monitorimit.
“Kjo është qasja e duhur që për herë të parë po zbatohet në qeverisje në Kosovë. Masat e përcaktuara në këtë strategji janë të orientuara drejt rezultateve të cilat janë të matshme dhe janë masa për të cilat ne mund të sigurojmë burime të mjaftueshme për t’i realizuar”, tha ai.
Kjo strategji, shtoi ministri, është dokument dinamik, që e trason rrugën për procesin e planifikimit, buxhetimit dhe realizimit të objektivave zhvillimore në vitet në vijim.
“Strategjia gjithashtu mundëson monitorimin e procesit të realizimit të objektivave, duke siguruar transparencë të plotë dhe llogaridhënie në të gjitha hallkat vendimmarrëse dhe të përgjegjësisë në secilin nivel dhe dikaster institucional. Përmes kësaj qasje, Strategjia Kombëtar për Zhvillim siguron një planifikim plotësisht të integruar”, theksoi Hoti.
Ai tha se, masat e përfshira në Strategji do të kenë prioritet gjatë alokimit të resurseve buxhetore.
“Po ashtu, me donatorët do të koordinojmë plotësisht mbështetjen e tyre drejt objektivave të parapara në këtë Strategji”, tha ministri kosovar i Financave, Avdullah Hoti sot paradite në konferencë shtypi.
Duke folur në ambientet e qeverisë së Kosovës, ai kërkoi bashkëpunim dhe angazhim nga të gjithë, përfshirë këtu edhe mediat, për të cilat u shpreh se kanë një rol të rëndësishëm në monitorimin e realizimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim.