Hovenier: Pritjet tona janë që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhjet e reja në veri
Krahas këtyre, Hovenier ripërsëriti kërkesat për depërshkallëzim të plotë të situatës në veri dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
“Jam i sigurt se liderët e Listës Serbe kanë dëgjuar, sepse kam pasur biseda me Escobarin, pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara që serbët e Kosovës, përfshirë Listën Serbe, do të marrin pjesë në zgjedhjet e reja komunale kur të caktohen, kjo është pjesë e përgjegjësive të partive demokratike në demokraci, ju merrni pjesë në procesin demokratik gjë që është pritshmëria jonë, kjo është kërkesa jonë. Ne kërkojmë që Qeveria e Kosovës të përmbushë zotimet e saj dhe kjo ishte pjesë e asaj që u diskutua edhe në Uashington, të vendoset kuadri ligjor për të lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja për katër komunat veriore dhe kjo sigurisht ishte pjesë e bisedës që ndodhi gjithashtu”, tha ai.
Ai kërkoi nga Lista Serbe që të luajë rolin e saj si në parti politike në një Kosovë sovrane, demokratike dhe të pavarur, pasi nuk e konsiderojnë atë si parti politike serbe, por si parti e serbëve etnikë në Kosovë.
“Ne e konsiderojmë Kosovën shtet sovran, të pavarur dhe demokratik. Dhe kështu, puna që bëjmë me Listën Serbe, një parti që është parti politike e Kosovës, parti opozitare në Kosovë, është e ngjashme me punën që bëjmë me partitë e tjera opozitare në Kosovë, por nuk duhet të bëhet fjalë për pikëpamjen e Shteteve të Bashkuara, ne hedhim poshtë çdo sugjerim se Kosova është disi diçka tjetër përveç shtetit të pavarur, dhe kjo përfshin veriun e Kosovës. Siç e kam thënë shumë herë, ne e dimë saktësisht se ku është kufiri, është në veri të Mitrovicës, apo jo? Dhe kështu, ne kërkojmë që Lista Serbe të luajë rolin e saj si parti politike në një Kosovë sovrane, demokratike dhe të pavarur. Ne nuk e konsiderojmë atë si parti politike serbe, ne e konsiderojmë si një parti të serbëve etnikë në Kosovë, duhet ta bëj të qartë këtë pikë”, tha ai.
Ai tha se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit është rruga e vetme përpara, andaj kërkoi angazhim nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin veprime që iu ndihmon dy vendeve në rrugën e tyre drejt integrimit në institucionet evropiane.
“Ne mendojmë se është e rëndësishme të arrihet një de-përshkallëzim i mëtejshëm i situatës në veri, të shmangen rrethanat kur ka pika ndezjeje ose kërcënime dhune që pengojnë gjënë e dytë. Gjëja e dytë që duam të shohim janë përpjekjet e ripërtërira si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia për të arritur zbatimin e plotë të marrëveshjes së arritur në Ohër. Kjo është rruga përpara. Kjo është ajo që e ndihmon Kosovën të përparojë në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në institucionet evropiane dhe euroatlantike dhe të ri pozicionojë marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve”, tha ai.
Hovenier përmendi edhe nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Për Qeverinë e Kosovës, ne po kërkojmë që ajo të ndërmarrë veprime që de-eskalojnë tensionet në veri dhe krijojnë një mjedis të ndryshëm në të cilin të dyja vendet mund të punojnë drejt zbatimit të plotë të zotimeve që kanë marrë në marrëveshjen e Ohrit. Për Kosovën kjo do të thotë të ecë përpara me njëfarë urgjence në procesin e negociatave dhe themelimit të një asociacioni të komunave me shumicë serbe, si pjesë e angazhimit të marrë nga Qeveria e Kosovës. Nuk është i vetmi detyrim që ka dhe kjo nuk është dispozita e vetme e marrëveshjes së Ohrit, por është e rëndësishme. Por po ashtu ne shikojmë që edhe qeveria e Serbisë t’i zbatojë obligimet e saj, ajo ka hyrë në një sërë obligimesh dhe ato duhet të përmbushen. Dhe kjo është pjesë e asaj që diplomacia amerikane dhe diplomacia e kolegëve tanë të Bashkimit Evropian po përpiqet të arrijë. Një përpjekje e ripërtërirë nga të dyja palët për të bërë më mirë sepse ne mendojmë se të dyja palët nuk po përmbushin plotësisht detyrimet e tyre për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, kjo është shpresa jonë, dhe nëse kjo shkon përpara atëherë po, mendoj se mund të kemi besim se kjo ndihmon në zgjidhjen e konfliktit, zvogëlon tensionet dhe e vendos këtë marrëdhënie në një vend tjetër në dobi të të dyja vendeve. Kjo është ajo që ne duam të arrijmë”, shtoi ambasadori amerikan.
Ambasadori amerikan foli edhe për rastin e Klan Kosovës, ku tha se është i shqetësuar për heqjen e licencës së biznesit ndaj tyre.
Sipas tij këtë nuk e shohin vetëm si çështje të regjistrimit të biznesit, por edhe si një çështje të lirisë së medias.
“Për situatën e Klan Kosovës, nuk mendoj se është mister që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë janë të shqetësuar nga situata, thellësisht të shqetësuar, ne lëshuam një deklaratë të ambasadave të Quint-it të premten, disa orë pas vendimit për pezullimin e licencës së biznesit. Ne nuk e shohim këtë thjesht si një çështje të regjistrimit të biznesit, ne e shohim këtë si një çështje të lirisë së medias dhe po e trajtojmë si të tillë. Është mirëkuptimi ynë bazuar në atë që kemi dëgjuar nga pronarët e Klan Kosovës se ata kanë dorëzuar dokumente të reja që adresojnë shqetësimet specifike të parashtruara, dhe thonë se sa herë që një qeveri merr një vendim që mund të ketë ndikim në aftësinë e një…Ne presim nga qeveria që ta zgjidhë këtë çështje në mënyrë transparente dhe të drejtë, dhe shpresojmë se në një mënyrë të shpejtë, ne do të donim të shohim që të gjitha mediat që duan të raportojnë në Kosovë janë në gjendje ta bëjnë këtë”, tha ai.
Këto komente Hovenier i bëri pasi dhuroi donacion prej 250 kamerave të trupit e 113 të instaluara në vetura, për Policinë e Kosovës./KosovaPress