Hoxha në Pragë për Konferencën Ndërqeveritare
Në forumin Globesec në Pragë kryediplomati Hoxha u angazhua për plotësimin e standarteve përmbyllëse për Grupkapitullin e parë themeloret.
“Në 13 muaj ne arritëm që të hapim të gjithë grukapitujt dhe të martën e ardhshme, do të bëjmë gjënë më të rëndësishme deri më tani në procesin e negociatave, që është përmbushja e IBAR-it, Raportit të Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve. Ky raport është absolutisht një lloj vlerësimi në mes. A po bëjmë mjaftueshëm? A e kemi garantuar fuqimisht procesin në mënyrë që të vijojmë në pjesën tjetër të procesit, që është fillimi, mbyllja e kapitujve? Këtu jemi. Kjo është ajo që do të vazhdojmë të bëjmë”, tha Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha.
Hoxha dha një përgjigje diplomatike për propozimin e kancelarit gjerman Merz.
“Për momentin, ne e dimë se ekziston një metodologji. Ka një kornizë dhe rregulla të qarta. se si funksionon zgjerimi tani. Vite më parë kishim një metodologji ndryshe. Nëse tani sërish do ta ndryshojnë, sigurisht, nuk do të varet nga ne por nga Bashkimi Evropian. Ne ndjekim atë që vendos Bashkimi Evropian, sepse në fund të ditës, çfarëdo që ne të bëjmë, nëse anëtarësohemi apo jo, varet nga ata”, u shpreh Hoxha.
Kryediplomati shqiptar tha se krahas kryerjes së reformave po vijon fushata e komunikimit për të bindur të gjitha shtetet anëtare.
“Gjëja e parë që po përpiqemi ne të bëjmë është, përmbushja e angazhimeve tona, kryerja e reformave, paraqitja para Komisionit Evropian, i cili ka një mandat për të negociuar me ne në emër të shteteve anëtare, dhe pastaj Komisioni Evropian të paraqesë një argument bindës se këta djem po punojnë, po bëjnë pikërisht atë që kemi rënë dakord së bashku, po japin rezultate, e meritojnë. Po ashtu me rëndësi është vijimi i fushatës së komunikimit që ne po bëjmë vetë, por edhe me partnerët tanë dhe të gjithë ata që besojnë në zgjerim”, shtoi Hoxha.
Kryeparlamentarja serbe Brnabic tha se integrimi gradual do të jetë fitimprurës si për BE-në ashtu edhe për shtetet kandidate.
“Nga 27 shtete anëtare, nëntë që janë kontribues neto. pjesa tjetër marrin më shumë fonde sesa investojnë. Ata që janë marrës neto të fondeve, gjithashtu nuk duan t’i ndajnë këto fonde. Pra, askush nuk dëshiron në të vërtetë zgjerimin edhe në terma monetarë. Sipas mendimit tim, integrimi gradual do të thotë fitimprurës për të dyja palët. Ne nuk duam që te presim qe BE-ja të zgjidhë së pari problemet e brendshme, sepse kjo kërkon gjithashtu një kohëzgjatje të madhe. Pse do të duhej që çdo shtet anëtar i BE-së të kishte një komisioner? Nuk ka kuptim”, tha Brnabic.
Shprehu frustrimin e saj ndaj sjelljes së Brukselit me Beogradin dhe Shkupin.
“Serbia i ka përmbushur të gjitha kushtet teknike në vitin 2021 për hapjen e grupkapitullit mbi ekonominë dhe konkurrueshmërinë. Kemi qe nga ajo kohe pesë progres raporte pozitive nga Komisioni Evropian, në të cilat thuhet se i keni përmbushur kushtet por disa nga shtetet anëtare të BE-së po e injorojnë këtë rekomandim. Dua të them se hapja e negociatave nuk do të thotë asgjë, si në rastin e Maqedonisë se Veriut. Mendoj se kjo është shumë e padrejtë dhe po dëmton besueshmërinë e Bashkimit Evropian”, shtoi Brnabic.
Kryediplomatja rumune tha se me anëtarësimin në BE Rumania e ka trefishuar Prodhimin e Brendshëm Bruto prandaj duhet shpejtuar me qasjen graduale me shtetet kandidate për ti bërë ato pjesë e tregut të përbashkët evropian.
Klan News
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.