Ekonomia

Ahmetaj: Hapja e negociatave, arritje për çdo shqiptar

Ministri i Financave Arben Ahmetaj e ka cilësuar hapjen e negociatave nga Bashkimi Europian si një arritje për çdo shqiptar.

“Hapja e negociatave nuk i takon vetëm Edi Ramës, nuk i takon vetëm Ilir Metës, nuk i takon vetëm mazhorancës, nuk i takon vetëm qeverisë, i takon të gjithë shqiptarëve”, tha ministri i Financave.

Ahmetaj tha më tej se raporti thekson kthesën ekonomike nga humnera e 2013-ës.

Fjala e plotë e Arben Ahmetaj

Besoj që në ditë të tilla ka nevojë për reflektim dhe për seriozitet nuk ka nevojë për fyerje dhe nervozizëm. Më vjen keq që ish kryeministri e ka lënë sallën sepse doja t’i drejtohesha personalisht për këtë. Nuk e kuptova arsyen e tij pse ishte i nervozuar dhe pse filloi të fyente deputet të mazhorancës dhe ministra të qeverisë. Çdo ish kryeministër serioz, për shkak të detyrës dhe përgjegjësisë për të kaluarën, nuk do ta bënte. Kjo ditë do duhej të ishte edhe për atë ditë gëzimi, siç është për ne, por ne nuk dimë të gëzojmë me torta në sheshe publike, ne dimë të gëzojmë me seriozitet, se ky moment kërkon seriozitet edhe për shkak të gjithë atyre elementëve që thuhen në raport.

Çfarë ka thënë raporti dhe çfarë është rekomandimi? Rekomandimi është i drejtpërdrejtë, hapje negociatash për Shqipërinë! Po çfarë është hapje e negociatave për Shqipërinë? Shqipëria fillon një proçes negociate, sa i gjatë do të jetë, varet nga ne. Pra, po i afrohemi ëndrrës për të qenë qytetarë evropianë. Po pse duhet të jetë ish kryeministri shumë i mërzitur, shumë nervoz edhe të fyejë, cila është arsyeja? E ka problem politik personal? Hapja e negociatave nuk i takon vetëm Edi Ramës, nuk i takon vetëm Ilir Metës, nuk i takon vetëm mazhorancës, nuk i takon vetëm qeverisë, i takon të gjithë shqiptarëve.

Edhe kur flas për ekonominë, nuk dua të keqkuptohem nga bashkëqytetarët, kur them ka përmirësime të dukshme, flas në raport me të kaluarën dhe flas në raport edhe me trendin, në raport me të ardhmen. Por çfarë thotë raporti? Raporti flet për kthesë ekonomike. Po kthesë nga çfarë? I referohet 2013-ës, kthesë nga humnera e 2013-ës! Është rritur ekonomia në raport ne 2013-ën! Qeveria ka bërë përparime, nëpërmjet reformave, ka bërë të mundur përparime serioze në ekonomi.

Në një ditë serioziteti si kjo, secili nga ne do duhet të bejë një raport të asaj që është arritur e nuk është arritur dhe midis asaj që duhet të vazhdojë të bëhet. Kthesë nga humnera ku ju e latë dhe vini këtu flisni për interes kombëtar. A ka interes kombëtar më të madh se anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian? Po për çfarë e kundërshtoni, për çfarë doni të vini kushte për atë rekomandim, cila është kënaqësia juaj? Cili është interesi juaj? Dhe flisni këtu për interes kombëtar. Jo nuk është interes kombëtar! Patjetër që këtu ku jemi në parlament, do duhet të na bëni përgjegjës për gjërat që arrijmë e nuk arrijmë në emër të qytetarëve shqiptarë, patjetër, po atje? Për çfarë kërkoni ta ndaloni qytetarin shqiptar të jetë qytetar i Europës? Për çfarë, në raport me kë, në emër të kujt? E pra, Shqipëria e ka marrë kthesën, është larg 2013, fatmirësisht!

Dhe duhet të bëj dhe një kujtesë që është shumë e rëndësishme për këdo qoftë këtu. Unë jam një nga 28 deputetët që, kur ishim në opozitë, kanë firmosur kërkesën për Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e marrëveshjes së detit. Jam shumë krenar që e kam bërë dhe jam krenar për Gjykatën Kushtetuese të vendit tim, e cila e rrëzoi atë marrëveshje që në gjykimin tone, ishte e padrejtë dhe dëmtonte interesat kombëtare.

Një ish-Kryeministër duhet të jetë i përgjegjshëm dhe përgjegjshmërinë apo mungesën e saj e ka në raport me veten, jo më me shqiptarët apo palë të treta. E para dhe mbi të gjitha do duhet të thotë cila është pala e tretë. Unë kam firmosur atë kërkesë për ta rrëzuar atë marrëveshje antikombëtare në emër të qytetarëve shqiptarë, në emër të vendit tim; nëse ai vendin tim dhe qytetarët shqiptarë i konsideron palë të treta, nuk ka dalë nga pritshmëria, sepse gjatë gjithë historisë së tij i ka konsideruar palë të treta qytetarët shqiptarë.

Të vish të bërtasësh, të ofendosh, në një ditë si kjo, vetëm me një qëllim, për të larguar vëmendjen nga një arritje e tillë madhore e popullit shqiptar, është antikombëtare; unë realisht nuk e marr më seriozisht atë si individ, por për dinjitetin e vendit tim, do doja që ish kryeministri të bënte një raport dinjitoz midis asaj ku e ka nisur Shqipëria para 25 vitesh dhe ku ndodhet në një dite të shënuar sot, në prag të derës së Bashkimit Europian.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button