Humanizmi dhe krishterimi, si ndikuan në ngritjen e botës moderne
Humanitas është fjalë latine dhe përfaqëson një ideal arsimor dhe politik që ishin dhe baza intelektuale e tërë lëvizjes. Humanizmi i Rilindjes, në të gjitha format e veta, u përqendrua drejt këtij ideali. Për këtë arsye, asnjë diskutim mbi humanizmin nuk mund të ketë vlerë pa kuptuar mirë konceptin “humanitas”.
Si ndikuan në ngritjen e botës moderne
Kam ndjekur me vëmendje ndër vite të gjitha deklaratat e bëra ndaj Nënë Terezës dhe për habi nuk kam vënë re që dikush ta quajë figurë e krishterë, por gjithmonë i janë referuar asaj si “humanistja e madhe,” “bamirësja e shquar”, “shërbëtorja e të varfërve,” “shqiptarja e madhe” etj. Kam konstatuar që më e përdorura është “humanistja e shquar” dhe rrallë i është referuar Nënë Terezës si e “krishtera e devotshme” apo “shërbëtorja e krishterë”. Ndoshta kjo është bërë në emër të gjoja harmonisë fetare në Shqipëri, ndoshta e qëllimshme, apo edhe nga padituria mbi çfarë do të thotë ‘humanizëm’ ‘iluminizëm’ apo edhe ‘e krishterë’.
Më poshtë do ju paraqes një histori të përmbledhur se si rrjedhin e dallojnë këto botëkuptime, të cilat fatkeqësisht ne i përdorim në kontekstet e gabuara.
Termi “humanizëm” u përdor si “humanismus” nga dijetarët gjermanë të shekullit të 19-të, të cilët vendosën theksin e Rilindjes në studimet klasike të arsimit. Këto studime u ndoqën dhe u miratuan nga edukatorë të njohur, që në fillim të shekullit të 15-të, si “umanisti” që do të thotë, profesorë apo studentë të letërsisë klasike. Fjala “umanisti” rrjedh nga “studia humanitatis”, një kurs i studimeve klasike i cili, në fillim të shekullit të 15-të, përbëhej nga gramatika, retorika, poezia, historia dhe filozofia morale. Humanitas është fjalë latine, dhe përfaqëson një ideal arsimor dhe politik që ishin dhe baza intelektuale e tërë lëvizjes. Humanizmi i Rilindjes, në të gjitha format e veta, u përqendrua drejt këtij ideali. Për këtë arsye, asnjë diskutim mbi humanizmin nuk mund të ketë vlerë pa kuptuar mirë konceptin “humanitas”.
“Humanitas” nënkuptonte zhvillimin e virtytit njerëzor, në të gjitha format e saj, në shtrirjen e saj të plotë. Ky term nënkupton jo vetëm cilësitë e lidhura me fjalën moderne humanizëm – si, mirëkuptim, dashamirësi, dhembshuri, mëshirë – por gjithashtu edhe karakteristika të tilla agresive si: guxim, gjykim, maturi, elokuencë, dhe madje edhe dashuri për nderin. Rrjedhimisht, poseduesi i humanitas nuk mund të jetë thjeshtë një filozof i ulur dhe i izoluar, apo njeri i letrave, por duhet të jetë domosdoshmërisht pjesëmarrës në jetën aktive. Ashtu si veprimi pa botëkuptim konsiderohej i parëndësishëm dhe barbar, botëkuptimi pa veprim konsiderohet shterpë dhe i papërsosur. “Humanitas” qëndron me një ekuilibër të mirë të veprimit dhe meditimit, një bilanc i lindur jo prej kompromisit, por përmbushjes. Qëllimi i përmbushjes dhe i virtytit të balancuar ishte një qasje politike, në kuptimin e gjerë të fjalës.
Kompetenca e humanizmit të Rilindjes përfshinte jo vetëm arsimin e rinisë, por edhe të shtronte rregullat për udhëheqjen e të rriturve, duke përfshirë edhe sundimtarët, me anë të poezisë filozofike dhe retorikës strategjike. Ajo përfshinte jo vetëm kritika realiste shoqërore, por gjithashtu edhe hipoteza utopike, jo vetëm rivlerësime të përpikta të historisë, por edhe reformimet e guximshme të së ardhmes. Humanizmi bëri thirrje për reformë gjithëpërfshirëse të kulturës dhe shpërfytyrimin e asaj që humanistët përkufizonin si shoqëri pasive dhe injorante e epokës “së errët”. Ata donin një rend të ri, që do të reflektonte dhe inkurajonte potencialet më të madhërishme njerëzore.
Do të duhej një studim i veçantë mbi “epokën e errët”, sa e errët në të vërtetë ishte ajo, pasi faktet historike tregojnë që ishte më shumë një trillim i Rilindjes se sa e vërteta historike. Në periudhën që Rilindja konsideronte të errët, lindën universitetet. Në vitet 1200 e më vonë u ngritën universitetet e Salerno-s, Bolonja-s, Parisit, Padua-s, Oxford-it, Cambridge-s, Toulouse-s, Romës, Napolit e shumë të tjerë në Spanjë, si Palencia (1212), Salamanca (1230), Sevilja (1254) Pragë (1347) Vjenë, (1365) Erfurt (1379) Heideleberg (1385) Cologne (1388) dhe më vonë në shekullin e pesëmbëdhjetë në Skoci me universitetet St Andrews, Glasgow, Aberdeen etj.
Gjatë Mesjetës mori një hov arkitektura dhe gjithashtu u shkrua Magna Carta, karta e parë legale e të drejtave të njeriut, e për këto arsye sesa të drejtë kishin figurat e shquara të Rilindjes ta quanin Mesjetën të errët, mbetet për t’u debatuar.
Për t’iu kthyer humanizmit, duhet theksuar se Humanizmi kishte edhe një dimension ungjillor dhe të krishterë: ai kërkoi që të projektonte humanitas nga individi në shoqërinë përreth. Humanitas kishte si burim letërsinë klasike. Mendimi grek dhe romak, i vënë në dispozicion nga dorëshkrime të lashta të rizbuluara ose të përkthyera rishtazi, i siguroi Humanizmit strukturën dhe metodën themelore të tij. Për humanistët e Rilindjes, nuk kishte asgjë të vjetruar në shkrimet e Platonit, Ciceronit ose Livit. Duke u krahasuar me prodhime tipike të krishterimit mesjetar, këto vepra pagane kishin një ton të freskët, radikal dhe “avant guard”.
Në të vërtetë, ripërtëritja e klasikes ishte për humanizmin e barasvlefshme me ripërtëritjen e realitetit. Filozofia klasike, retorika dhe historia shiheshin si modelet e metodës së duhur – si përpjekjet e duhura për t’u përshtatur në mënyrë sistematike dhe pa paragjykime të çdo lloji, me çdo përvojë të perceptuar. Për më tepër, mendimi klasik e konsideronte etikën si etika e vërtetë, politikën si politika e vërtetë: i mungonte dualizmi pengues, i cili ishte i pranishëm në mendimin mesjetar nga kontradiktat e shpeshta të sekularizmit dhe spiritualitetit të krishterë.
Virtyti klasik nuk ishte një esencë abstrakte, por një cilësi që mund të testohej në forum ose në fushën e betejës. Letërsia klasike ishte e pasur në retorikë. Në veçanti (meqenëse humanistët ishin normalisht më të mirë në gjuhën latine sesa në greqisht), Ciceroni konsiderohet të jetë modeli i diskursit të rafinuar. Në elokuencë ose gojëtari, humanistët kishin gjetur shumë më tepër sesa vetëm një cilësi estetike. Si një mjet efektiv për të prekur udhëheqësit apo bashkëqytetarët drejt një kursi të caktuar, elokuenca ishte e ngjashme me vetë pushtetin. Humanistët kultivuan retorikën, rrjedhimisht, si një mjet përmes të cilit të gjitha virtytet e tjera mund të komunikohen dhe të përmbushen.
Theksi që Humanizmi vinte mbi retorikën si pushtet në vetvete për të drejtuar sundimtarët dhe bashkëqytetarët drejt një politike të caktuar, ngre debate mbi nocionin e të vërtetës, dhe mbi faktin që a ishte humanizmi filozofi apo mjet, dhe a synonte të arrinte përkufizime apo thjesht tjetërsonte një këndvështrim të caktuar. Në këtë rast, besimin dhe filozofinë e krishterë që drejtonte mendjen dhe zemrat e njerëzve, për t’i udhëhequr ata në një drejtim tjetër?
Humanizmi i hapi udhën Iluminizmit, frëngjisht “siècle des lumières”, “Epoka e Ndriçimit”, anglisht “enlightenment”, gjermanisht “aufklärung”, ishte një lëvizje europiane intelektuale e shekujve 17 dhe 18, në të cilën idetë në lidhje me Perëndinë, arsyen, natyrën dhe njeriun ishin sintetizuar në një botëkuptim, i cili fitoi pëlqim të gjerë dhe që nxiti zhvillime revolucionare në art, filozofi dhe politikë. Mendimi iluminist kishte në thelb përdorimin dhe lartësimin e arsyes, fuqinë nëpërmjet së cilës njeriu e kupton universin dhe përmirëson gjendjen e vetes.
Qëllimet e njeriut racional, sipas Iluminizmit, duket se konsideroheshin të ishin njohuria, liria dhe lumturia. Por duke mos përfshirë në këtë formulë besimin, e bënte këtë botëkuptim me baza humaniste rebele ndaj establishmentit religjioz të shoqërisë europiane dhe amerikane së kohës, i cili bazohej tërësisht mbi filozofinë e krishterë.
Kompetencat dhe përdorimet e arsyes ishin hulumtuar më parë nga filozofët e Greqisë së lashtë, të cilët dalluan ndër rregullat e urdhrave të natyrës, punët e një mendje inteligjente. Roma adaptoi dhe ruajti shumë prej kulturës greke, kryesisht idetë e një rregulli racional natyror dhe ligjit të natyrës. Në mesin e trazirave të perandorisë romake, një brengë e re u ngrit, e cila kishte një formulë tjetër për shpëtimin personal, duke i hapur kështu rrugën triumfit të besimit të krishterë.
Mendimtarët e krishterë gradualisht përdorën trashëgiminë e tyre greko-romake. Sistemi i mendimit i njohur si skolastikë, duke kulmuar me punët e Thomas Aquina-s, ringjallën arsyen si një mjet për të kuptuar atë, por në vartësi të zbulimit shpirtëror dhe të vërtetave të zbuluara të krishterimit. Përbërja intelektuale dhe politike e krishterimit, me sa duket i pathyeshëm në Mesjetë, u godit nga sulmet e humanizmit, të Rilindjes dhe Reformacionit Protestant. Humanizmi kultivonte shkencën eksperimentale të Francis Bacon-it, Nikolaus Kopernik-ut dhe Galileo-s dhe René Descarte-s, G. W. Leibniz-it dhe Sir Isac Newton-it.
Rilindja rizbuloi shumë prej kulturës klasike dhe ringjalli idenë e njeriut si një qenie krijuese, ndërsa Reformacioni, në mënyrë më direkte, sfidoi autoritetin monolit të Kishës Katolike Romake.
Reformacioni u bazua mbi racionalizëm dhe duket si një lëvizje iluministe, por në fakt, qëllimi midis këtyre dy filozofive është tërësisht i ndryshëm, pasi Reformacioni përdori racionalizmin për të ulur njeriun dhe ngritur Perëndinë ndërsa Humanizmi uli Perëndinë dhe ngriti njeriun.
Duke iu kthyer Iluminizmit, aplikimi i suksesshëm i arsyes për çdo pyetje varej nga aplikimi sa më korrekt i saj, mbi zhvillimin e një metodologjie të arsyetimit që do të shërbente si garanci e vlefshmërisë së saj. Një metodologji e tillë u arrit në mënyrë spektakolare në shkencë dhe matematikë, ku logjikat e induksionit dhe zbritjes, bënë të mundur krijimin e një kozmologjie të re gjithëpërfshirëse.
Suksesi i Isac Newton-it, në veçanti, zgjidhja me disa ekuacione matematikore ligjet që udhëheqin lëvizjen e planetëve, i dha shtysë të madhe besimit në kapacitetin e njeriut për të arritur dituri. Në të njëjtën kohë, ideja e universit si një mekanizëm që qeveriset nga disa ligje të thjeshta kishte një efekt subversiv mbi konceptet e një Perëndie personal dhe shpëtimit individual që ishin në qendër të besimit të krishterë.
Në mënyrë të pashmangshme, metoda e arsyes nisi të aplikohej brenda vetë fesë. Dhe produkt i një kërkimi të tillë për një besim natyral dhe racional ishte Deizmi, i cili, edhe pse kurrë nuk u bë një kult apo lëvizje e organizuar, arriti në konflikt me Krishterimin për dy shekuj, sidomos në Angli, Francë dhe Amerikë.
Për një deist shumë pak të vërteta fetare mjaftonin, dhe këto ishin të vërteta të manifestuara për të gjitha qeniet racionale. Këto ishin: ekzistenca e një Zoti, i konceptuar shpesh si arkitekti apo mekaniku, ekzistenca e një sistemi të shpërblimit dhe ndëshkimit të administruara nga ky Perëndi, dhe detyrimi i njerëzve ndaj virtytit dhe devotshmërisë. Përtej fesë natyrore të Deistëve, shtriheshin produktet më radikale të zbatimit të arsyes ndaj fesë: skepticizmi, ateizmi dhe materializmi. Iluminizmi prodhoi teoritë e para moderne sekulare të psikologjisë dhe etikës. John Locke e konceptonte mendjen njerëzore, si të qenët që në lindje si një tabelë boshe, mbi të cilën përvoja shkruante lirisht dhe me guxim, duke krijuar karakterin individual sipas përvojës individuale të botës.
Cilësitë e lindura, si mirësia apo mëkati, nuk ishin reale. Në një mënyrë më të errët, Thomas Hobbes, e portretizoi njeriun të lëvizur vetëm nga konsideratat e tij mbi kënaqësinë dhe dhimbje personale. Nocioni i njeriut si as i mirë dhe as i keq, por i interesuar kryesisht në mbijetesën dhe maksimizimin e kënaqësive të tij, të çonte në teori radikale politike.
Aty ku shteti kishte qenë një herë si një aplikim tokësor i një urdhri të përjetshëm hyjnor, me Qytetin e Njeriut modeluar sipas Qytetit të Perëndisë, tani shihej si një marrëveshje reciprokisht e dobishme midis njerëzve që synojnë mbrojtjen e të drejtave natyrore dhe të vetinteresit të gjithsecilit.
Megjithatë, ideja e shoqërisë si një kontratë sociale, bënte kontrast të ashpër me realitetin e shoqërive të kohës. Kështu Iluminizmi u bë kritik, reformues dhe përfundimisht revolucionar. Locke dhe Jeremy Bentham në Angli, Jean-Jacques Rousseau, Montesquieu, dhe Volteri në Francë, si edhe Thomas Jefferson në Amerikë, të gjithë kontribuuan për një kritikë të vazhdueshme të shtetit arbitrar dhe autoritar, duke skicuar një formë më të lartë të organizimit shoqëror, bazuar mbi të drejtat natyrore dhe duke funksionuar si një demokraci politike. Ide të tilla kaq të fuqishme gjetën përkrahje në Angli dhe revolucionet në Francë dhe Amerikë.
Iluminizmi duket se përfundoi si viktimë e teprimeve të veta. Sa më shumë ekskluzive dhe e rafinuar bëhej feja Deiste, aq më pak i ofronte atyre që kërkonin ngushëllim apo shpëtim. Promovimi i arsyes abstrakte provokoi shpirtrat rebelë të nisnin të eksploronin botën e ndjesive dhe emocioneve në lëvizjen kulturore të njohur si Romantizëm. Periudha e Terrorit që pasoi Revolucionin Francez e testoi rëndë besimin se njeriu mund të qeverisë veten.
Iluminizmi u shtri në shekujt e 17-të dhe 18-të. Dhe kishte si qendër Francën, Anglinë dhe vendet e ulëta të Holandës dhe Belgjikës, dhe më pas në botën e re, në atë që më vonë do të quhej Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo lëvizje u drejtua nga një lloj i ri intelektualësh. Filozofët e përfshirë ishin Volteri, Jean Jacques Rousseau, dhe Denis Diderot në Francë; Thomas Hobbes, David Hume dhe John Locke në Angli, Emanuel Kanti në Gjermani (ai i cili shpikur termin “ndriçimi shpirtëror”), dhe Benjamin Franklin, Thomas Jefferson, Alexander Hamilton dhe Thomas Paine në botën e re të Amerikës.
Këta mendimtarë radikalë kishin mendime të reja dhe nuk ishin dakord për shumë gjëra midis tyre, por ishin të bashkuar në refuzimin e tyre të politikës feudale dhe mbi të gjitha të feve si udhëzues për qeverisjen e njeriut. Në vend të fesë, ata theksonin besimin e tyre në përvojën e njeriut dhe në arsyen natyrore si çelësi i lumturisë së një shoqërie të drejtë.
Në qendër të këtij besimi ishte progresi në shkencë dhe teknologji, që kishte marrë hapa gjigantë gjatë Rilindjes. Ky theks i ri mbi arsyen dhe përvojën njerëzore dhe eliminimi i shpalljes hyjnore u bë aq i përhapur në Europë saqë edhe monarkët si Frederick II i Prusisë, Joseph II i Austrisë, Charles III i Spanjës dhe Katerina e Madhe në Rusi nisën të mendojnë për veten si “të iluminuar.”
Edward Halley në Angli, përdori formulat e Njutonit për të parashikuar kthimin e një komete spektakolare në vitin 1758, e parë për herë të fundit në vitin 1682. Njerëzit mbetën të habitur nga ky shpjegim. Ata kishin menduar gjithmonë se kometat ishin shenja e dërguar nga Zoti, ose nga djalli.
Benjamin Franklin, së bashku me Joseph Preistley dhe shkencëtarë të tjerë anglezë dhe industrialistë si James Watt, ndihmoi për të hedhur themelet për revolucionin industrial.
Karl Lineus në Suedi paraqiti një metodë shkencore të klasifikimit për bimët dhe kafshët që përdoret ende sot. Benjamin Franklin me anë të eksperimenteve të tij vërtetoi se rrufeja nuk ishte zemërimi i perëndive siç besohej dikur, por është një shkarkesë e fuqishme elektrike nga retë në tokë.
Henry Cavendish dhe Joseph Priestley në Angli së bashku me Antoine Lavoisier në Francë hodhën themelet e qëndrueshme për kiminë moderne me zbulimin e gazrave si oksigjeni, dyoksidi i karbonit dhe hidrogjeni.
Për këto mendimtarë të Iluminizmit, arsyeja dhe shkenca natyrore ishin e ardhmja. Monarkia dhe të gjithë ata që lidheshin me të i përkisnin të kaluarës. Për shekuj, mbretërit kishin pretenduar për të sunduar me të drejtën hyjnore. Mendimtarët e Iluminizmit besonin se nuk ekzistonte një gjë të tillë si e drejta hyjnore për të sunduar. Ata promovonin vetëm të drejtat e njeriut për të jetuar.
Iluminizmi dha ide mbresëlënëse në disa fusha të mendimit njerëzor dhe aktivitetit jetësor; solli risi në shkencë dhe teknologji duke përparuar në këto fusha me hapa gjigande, metodat shkencore u ngritën mbi vlerat dhe mënyrat tradicionale të të menduarit dhe në fushat e tjera të jetës. Ndryshim në mendimin fetar, filozofik dhe artistik, përkundrejt zbulimit hyjnor, në të njëjtën kohë, duke përforcuar besimin në të drejtat natyrore të njeriut dhe në ndjenjat për dhembshurisë dhe solidaritetin njerëzor.
Dhe, nocioni i kërkimit të lumturisë i udhëhoqi gjithnjë e më shumë njerëzit të mendojnë më pak për shpëtimin pas vdekjes dhe për të kërkuar më shumë për njohjen e vetes, progresin gjatë kësaj bote, arritjen e pasurisë së madhe dhe kënaqësive materiale që arrihet me anë të zgjerimit të tregtisë dhe fillimet e tregut të lirë dhe kapitalizmit.
Iluminizmi shkoi përtej revolucionit të mendimit, ai ndezi revolucione në të gjithë Europën, si dhe në Amerikë. Në shekullin e tetëmbëdhjetë u zhvilluan me qindra revolta popullore. Nga Rusia në Irlandë, nga Polonia në Spanjë, nga Hungaria në Haiti njerëzit nisën të luftonin, ndonëse jo gjithmonë me sukses, për të hedhur jashtë monarkitë dhe të thyenin strukturën sociale të pronarëve feudalë, fshatarësisë, robërisë dhe sundimit klerik.
Revolucioni i parë, dhe i vetmi i suksesshëm i frymëzuar nga Iluminizmi ishte në botën e re, në Amerikë, kur kolonitë angleze u revoltuan kundër sundimit britanik dhe fituan pavarësinë, duke themeluar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1776. Por, shumë pak vite më pas, ky sukses amerikan u pasua në mënyrë të shkurtër nga Revolucioni Francez i vitit 1789, i cili rezultoi në një ngjarje të kobshme, që do linte gjurmë në histori.
Frymëzuar nga filozofët iluministë dhe nën flamurin e “të drejtave të njeriut”, populli i Parisit u ngrit deri në një kryengritje të përgjakshme kundër mbretit Louis XVI dhe oborrit të tij mbretëror. Nën britmat “Liri, Barazi, Vëllazëri”, revolucioni u kthye gjithnjë e më radikal me përplasje shumë të përgjakshme, dhe udhëheqësit e zjarrtë si Dantonit, Marat, Robespierre, dhe pasuesit e tyre, u përpoqën për të shkatërruar një rend feudal mijëra-vjeçar për të krijuar një republikë utopike të qytetarëve të barabartë në disa muaj të shkurtër. Mbreti dhe shumica e oborrit të tij, së bashku me mijëra klerikë, aristokratë dhe intelektualë humbën kokën në gijotinë. Brenda pak vitesh revolucioni mbaroi. Marat u vra. Dy presidentët e Republikës së saposhpallur franceze, Danton dhe Robespierre, gjetën vdekjen e tyre nga gijotina para Katedrales së Notre Dame-s.
Ajo që ndodhi në Francë i tmerroi monarkët e vendeve të tjera, sepse menduan që demokracia, nën kuptimin e sundimit të popullit, do të infektonte shtetet e tyre. Në 1799 një gjeneral në rritje, Napoleon Bonaparte, mori pushtetin në Francë, i dha fund terrorit dhe shpejt ndryshoi republikën e re në një perandori autoritare, kurorëzoi veten si Perandori i ri i Francës, në vitin 1804, por kësaj here e mori kurorën sipas pushtetit të vet dhe jo me anë të së drejtës hyjnore.
Ky ishte dallimi më i qartë midis dy koncepteve konfliktuale, Humanizmit dhe Krishterimit, njeriut dhe hyjnisë. Sot e shohim Humanizmin dhe Iluminizmin si filozofi të shekujve të kaluar, por që ka ndikuar në ngritjen e botës dhe botëkuptimit modern, ndërsa Krishterimi vazhdon i njëjtë që nga themelimi, shekull pas shekulli, e vit pas viti, konsistent, duke mos u llogaritur nga periudhat apo lindjet dhe vdekjet e filozofive, por thjesht duke qenë një besim i patundur, teksa perandoritë dhe filozofitë ngriheshin e rrëzoheshin, krishterimi ishte, është, e me sa ka treguar historia, edhe do të jetë i tillë.
Dr. Bledar Kurti