Humbamenot dhe perversët e babalizmit
Kur në skenën politike doli një njeri, i cili shumë shpejt, me tepër se me emrin e tij, u njoh me nofkën Babale, atëherë, si kurrë më parë, u vendos një standard i ri, tepër i ulët i gjithë politikës shqiptare, në shumicën që kësaj here ishte e sulmuar nga një trafikant droge dhe manipulues ordiner, dhe, nga ana tjetër, në opozitën që kishte përdorur qëllimisht një njeri lehtësisht të shitshëm dhe kurrizdalë për të mbështetur tek ai kauzën e saj.
Për ta bërë edhe më të pështirë këtë skenë politike, në krahun e tij ishte vendosur një gazetar që nuk njihej, veçse për dallavere, një humbameno që shpejt do të bëhej i njohur si “Kunati i Babales” dhe, pas tyre hija e një njeriu tjetër, kësaj here i thirrur në politikë dhe i njohur si Salianji.
Mendojeni këtë treshe të futur në politikë dhe do e keni të qartë se cili është standardi i saj.
I pari, mashtrues i zakonshëm, i futur në burg dhe i dalë prej saj, provokues i shkallës më të ulët, gënjeshtar i sëmurë dhe përfitues si ata qenët e gjahut që nuhasin prenë e radhës.
I dyti, i dalë nga hija, i revoltuar sepse nuk është paguar, i bërë pjesë e një loje, për të cilën as që e kishte idenë se çfarë mund të ndodhte, kërkues i parave që i ishin premtuar, i gatshëm të bëjë dëshmi të rreme dhe të krijojë alibi sipas dëshirës, dhe, mbi të gjitha, i gatshëm që nesër, në emër të një përfitimi, të bëhet pjesë e çdo loje.
I treti, Salianji, njeri që është futur në politikë përmes perversitetit politik e moral, sapo kishte dalë nga një skandal gjysëm erotik, tejet skandalizues dhe i turpshëm edhe për një gjimnazist fluturues me presh, i gatshëm të shesë parime dhe të dëshmojë dhuntinë e forcës pranë shefit, do të jetë figura më e çuditshme e politikës së tashme, por që në fakt, në një mënyrë ose në një tjetër, dëshmon se ku është katandisur parlamenti shqiptar, se ku është ajo që dikur quhej elitë politike e vendit, e shumicës apo e opozitës, e për më tepër, duke qenë një ndër katër figurat kryesore të PD-së, thirrur në krahët e një figurine tjetër, Bashës.
Për shumicën qeverisëse duhet të ketë qenë e turpshme që përballë saj vihet një trafikant droge dhe i dënuar për të, sepse, deri atyre ditëve, ashtu si ishte, ajo ishte përballur me lojërat e rënda politike të Berishës, Kryemadhit dhe të një stafi rreth tyre që, duke qenë të mësuar me pushtetin, ishin të rrezikshëm, por ia vlente të përballeshe me ta.
Është e saktë se Berisha apo Kryemadhi, secili në rolin e tij dhe sëbashku kur ia donte puna, ishin kundërshtarët e shumicës qeverisëse dhe herë pas here bënin “babalet” e veta, si hedhja e një çizme, si shenjë guximi apo frikësimi!, kërcënimi me revolucion e përmbysje me dhunë, tërheqje zvarrë apo me pushkë snajper, por, në fund të fundit, ata ishin dikush, kishin dikë pas vetes, kishin një zë dhe e kishin provuar se, nëse i vinte dita, mund të të bënin gjëmën.
Tani, përballë saj ishte një babale i vërtetë, një i humbur, banor në qytetin e Vlorës, por jo vlonjat, i cili, edhe në shfaqjen e tij të parë dukej si një zvjerdhje e karakterit njerëzor e aq më pak ngjante me një njeri, tek i cili mund të mbështesje në kauzë, e cila, nëse ishte e vërtetë, mund të ndryshonte një qeveri të tërë.
Çuditërisht, ndoshta e papritur, Basha e mbështeti pikërisht tek ky njeri opozitarizmin e tij. E bëri të vetin, pjesë e mendimit politik dhe e qëndrimit praktik; përmes tij synoi të ngrinte një stuhi, të rrëzonte një shumicë qeverisëse dhe, e gjithë kjo, megjithëse e ditur prej tij se kush kishin qenë regjisorët, bëhej pa pikë turpi, pa asnjë brejtje se pas kësaj akuze nuk ishte në lojë vetëm fati i sundimit, por edhe i gjithë vendit.
Nëse Babale i trafikimit të drogës ishte dhe vazhdon të jetë një njeri, i cili më shumë se gjithçka është viktimë e politikës, Basha dhe , përmes tij, Salianji, janë rrjedhë e politikës. Janë vazhdë e asaj që ka ndodhur dhe që ndodh edhe sot e kësaj dite. Janë rrjedhje të mendimit politik, i cili e quan pa vlerë një njeri të mençur, të lexuar, të aftë, kryengritës edhe brenda llojit politik, të denjë për të thënë fjalën e tij shkoqur dhe pa droje. Për këtë sistem është i mirë gjithnjë një njeri i zënë peng, Babalja nga e shkuara e tij dhe Basha, po ashtu nga e shkuara e tij. Babale nga dëshira për të futur një grusht eurosh në xhep dhe Salianji për të garantuar një post ministror në ditët e ardhshme. Babalja i ardhur nga burgjet e Italisë, Basha nga zyrat e hetimit në Kosovë dhe bashkëpunimi me Fazlliçin. Babale gjen një njeri si pjesë të krimit dhe e quan “kunat”, Basha gjen po ashtu një përfitues të pushtetit dhe është, po ashtu, një kunat. Babales i duhet një gazetar pa vlerë, i shitshëm dhe ata ia gjejnë; ashtu si Bashës i duhet një Salianj i pamoralshëm, cinik, poshtërues, përfitues dhe i gatshëm të bëjë edhe vetë ai rolin e Babales në politikë.
Prej shumë kohe shefi i qeverisë Rama, duke luajtur me togfjalësh, e ka quajtur median si një kazan mediatik. Nuk jam shumë larg këtij mendimi. Ka mjaft që janë të gatshëm të bëhen vetë kazanë, njëlloj si Babale, por që të përfitojnë shumë më tepër se sa ai; gjenden analistë që javë të tëra mbështetën babalizmin në politikë si një gjetje bashiane dhe, tani, që petët e gatimit salianj filluan e bien, duan me çdo kusht të bëjnë bashkëfajtorë, edhe ata që e ngritën këtë kauzë maskaradë edhe ata që mund të ishin viktimat e saj.
Por Rama, në krahasimin e tij mund të kishte shkuar edhe më larg. Nuk është udhëtim me një stacion të vetëm. Ashtu si kemi përgjithësisht një kazan mediatik, kemi edhe një kazan të klasës politike. Nëse e para është e dëmshme, e dyta është e dënueshme.
Nga ky kazan dalin pastaj ngrehinat e luftës politike. Në PD, gjithë lufta është përqendruar tek përgjimet, regjistrimet, sajimet, ndjekjet, survejimet, sikur të ishte selia e shqupasve një degë e shërbimit informativ, kur në të vërtetë, deri para pak kohe ky shërbim ishte një degë e PD-së, ashtu si ka ende filizat e saj të kacavjerrur në degë e sektorë të ndryshëm.
Një katërshe e kësaj politike, Basha, Salianji, Bardhi, Alibeja, janë gjithçka në parti; edhe Këshill i Përgjithshëm, edhe grup parlamentar, edhe kryesia e partisë, edhe këshilli i vendimmarrjes. Ata kanë marrë përsipër krijimin e një lëvizjeje të panjohur në politikë: përgjimin dhe shpifjen. Duke u nisur nga ndodhi të pjesshme ata kanë ndërtuar strategjinë e përfoljes dhe përgjimit si mjetin e vetëm të luftës politike; kanë ngritur shpifjen dhe fjalën e fëlliqur në temë të ditës dhe , kur e ndjejnë se shkuan tepër larg, bëhen bashkë duke sulmuar të gjithë institucionet e shtetit, me përjashtim të institucionit të Presidentit.
Duke braktisur parlamentin dhe duke u sorollatur nëpër hotele, si një lëvizje paralele e institucionit të lartë të vendit, pa pasur një kauzë të saktë dhe të aftë të ngrejë njerëzit për të bërë kthimin në pushtet, kanë gjetur të vetmen rrugë: presionin përmes përgjimit, ndjekjes, survejimit, instalimit të një metode të re ndjekjeje, çka të kujton në reminishencë ndjekjet e dikurshme të Sigurimit të Shtetit dhe që i kishte aq shumë në qejf babai i tyre shpirtëror, Sali Berisha.
Ka disa muaj që, Basha e bashkë me të edhe Kryemadhi, kanë vënë spikamën se shtatori do të ishte muaji i protestave të mëdha për të përmbysur këtë qeveri dhe për të ia kthyer pushtetin popullit. Ngjante pak si utopi, por, me gjithë përbetimet e shumta, shumëkush ka menduar se diçka do të ndodhte. Të paktën do i jepej një mësim qeverisë, ndryshe nga farsa e turpshme politike , e njohur si “Çadra”. Nëse e gjithë kjo nuk ishte një presion për një kompromis të ri dhe përfitime të reja, atëherë, përfundimisht, ne ndodhemi para një klase shumë para politike, e cila ka hedhur tej moralin, idenë dhe vizionin, për të bërë pjesë të saj babalizmin, përmes një figure , po ashtu babaliste, Salianji.
Duke mos qenë të zotë të krijojnë një lëvizje politike marramendëse nga fuqia dhe kërcënim për një qeverisje ndryshe, opozita, por jo shumë larg saj edhe shumica qeverisëse, po krijojnë modelin e ri të politikës, pa emër, pa skrupull, pa ide dhe pa moral.
Nëse kjo shumicë politikanësh vazhdon të alternohet në qeverisje, vendi do të asfiksohet.