Hungaria kushtëzon ndihmën për Ukrainën me rifillimin e naftës ruse
Kryeministri hungarez, Viktor Orban deklaroi se nuk do të heqë veton e vendit të tij ndaj një kredie prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën dhe ndaj paketës së re të sanksioneve kundër Rusisë, derisa të rifillojnë furnizimet me naftë ruse përmes territorit ukrainas.
Duke mbërritur në samitin e liderëve të Bashkimit Europian në Bruksel, Orban u shpreh se Hungaria nuk do të mbështesë asnjë vendim që favorizon Kievin pa garantimin e interesave të saj energjetike.
“Pozicioni i Hungarisë është shumë i thjeshtë. Jemi gati të mbështesim Ukrainën kur të marrim naftën tonë, e cila është bllokuar prej tyre”, tha ai.
Tubacioni ”Druzhba”, i cili transportonte naftë ruse drejt Evropës Qendrore përmes Ukrainës, u dëmtua sipas autoriteteve ukrainase nga një sulm rus në janar, duke ndërprerë furnizimet dhe duke rritur tensionet mes Budapestit dhe Kievit.
Hungaria ka kërkuar që Ukraina të riparojë sa më shpejt tubacionin dhe të rifillojë tranzitin, ndërsa Kievi ka deklaruar se një riparim i shpejtë nuk ka qenë i mundur.
Duke kundërshtuar këtë qëndrim, Budapesti ka bllokuar si sanksionet e reja ndaj Moskës, ashtu edhe disbursimin e kredisë për Ukrainën.
Sipas zyrtarëve të BE-së, Ukraina ka pranuar së fundmi ndihmë teknike dhe financiare nga blloku për të riparuar tubacionin.
Kryeministri Orban theksoi se do të ndryshojë qëndrim vetëm pasi furnizimet me naftë të rifillojnë drejt Hungarisë, duke e cilësuar këtë çështje si “jetike” për vendin.
Vendimi i tij ka shkaktuar pakënaqësi te shumë liderë të BE-së, veçanërisht pasi ai kishte miratuar më herët kredinë në një samit në dhjetor, përpara se të ndryshonte qëndrim pak ditë para përvjetorit të katërt të pushtimit rus të Ukrainës.
Ndërkohë, qeveria hungareze përballet me zgjedhje parlamentare në prill, duke nxitur spekulime se vetoja mund të lidhet edhe me fushatën zgjedhore të Orban./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.