Hyn në fuqi Kodi Rrugor, Haxhinasto nga Durrësi apelon drejtuesit të zbatojnë rregullat
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, ndoqi nga afër të enjten procesin e shpërndarjes së çertifikatave të aftësimit profesional, në Durrës.
Në drejtorinë rajonale të Shërbimeve të Transportit në Durrës, ministri Haxhinasto tha se ky është një dokument shumë i rëndësishëm për drejtuesit e automjeteve të tonazhit të rëndë, si kamionëve dhe autobusëve veçanërisht për sigurinë e qytetarëve. Kjo çertifikatë jepet në zbatim të direktivave të BE.
Ministri tha se drejtuesit e automjeteve do të jenë të kualifikuar dhe pajisur me dokumentin përkatës njësoj si homologet e tyre në Evropë. “Dhënia e këtij dokumenti dhe vetë procesi kualifikimit dhe trajnimit të drejtuesve të këtyre mjeteve, do sjellë siguri më të lartë për këtë kategori të transportit, veçanërisht për ata qytetarë që përdorin transportin publik”.
Më tej, Haxhinasto tha se sot fillojnë edhe efektet e kodit të ri rrugor, dhe masat e kodit do të kenë impakt të drejtpërdrejtë për rritjen e sigurisë në shërbimin e transportin publik dhe në transportet e tjera. Ministri i bëri thirrje drejtuesve të mjeteve të lexojnë me kujdes dispozitat që janë miratuar në kod, sidomos ato që kanë të bëjnë me sigurinë. Haxhinasto tha se DPSHTRR dhe drejtoritë rajonale, kanë filluar një proces për rivlerësimin e gjithë elementeve të shërbimeve që ju japin qytetarëve, për ti thjeshtuar dhe modernizuar. Sipas tij, qëllimi kryesor është shërbim më mirë dhe me kosto më të ulët për qytetarët shqiptar.