I dërguari amerikan: SHBA mund ta godasë Iranin që këtë fundjavë, Trump thotë se nuk di asgjë
Shtetet e Bashkuara mund ta godasin Iranin që këtë fundjavë, tha të premten i dërguari amerikan Tom Barrack, pas kërcënimeve në rritje si nga Uashingtoni ashtu edhe nga Izraeli, siç njofton AFP. “A mund të ketë një goditje këtë fundjavë? Absolutisht”, tha Barrack.
Barrack, ambasadori amerikan në Turqi dhe njeriu kyç i Uashingtonit për Sirinë — i cili nuk ka një rol të drejtpërdrejtë në politikën ndaj Iranit — e bëri deklaratën në një intervistë me prezantuesin e podkastit Mario Nawfal, gjatë një vizite në Gjirin Persik. Sipas tij, presidenti Donald Trump “është shumë i qartë: është i hapur, i disponueshëm dhe i arritshëm për një marrëveshje, dhe ne kemi qenë në tryezë prej muajsh e muajsh”.
I pyetur për deklaratën e Barrack-ut, presidenti Trump tha se nuk dinte asgjë për një goditje të mundshme këtë fundjavë, siç njofton Al Jazeera. Trump ka sinjalizuar hapje për rifillimin e goditjeve pas një ngërçi të gjatë në diplomaci, megjithëse më herët kishte thënë se kjo nuk do të ndodhte para zgjedhjeve të Kongresit amerikan më 3 nëntor.
Në deklarata që bien ndesh me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu — i cili përballet me zgjedhjet të martën dhe ditët e fundit ka premtuar vazhdimisht rrëzimin e shtetit klerik në Iran, pas dy fushatave të mëdha bombardimesh kundër tij që nga viti i kaluar — Barrack tha se Shtetet e Bashkuara nuk synojnë rrëzimin e Republikës Islamike. “Nëse vazhdoni të kërcënoni botën, aleatët tanë, Gjirin, do të ketë pasoja. Por pasoja nuk do të jetë ndryshimi i regjimit”, tha ai, duke shtuar se problemi me ndryshimin e regjimit është gjithmonë “skenari i ditës së dytë”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.