I “falen” 65 milionë $ “Bankers Petroleum”!?
Shteti shqiptar rrezikon të humbasë 65 milion dollarë në total, dhe të derdhë në mënyrë të menjëhershme nga buxheti i shtetit 37 milion të tjera për kompaninë Bankers Petrolium.
Vizion Plus ka arritur të sigurojë korrespodencën mes Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe studios ligjore të kontraktuar nga shteti shqiptar për mosmarrëveshjen me firmën kanadeze.
Curti’s u pajtua për të mbrojtur palën shqiptare në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit lidhur me refuzimin që Bankers i bëri autoriteteve tatimore për të paguar 57 milion dollarë taksa të 2011-ës dhe 8 milion dollarë penalitete.
Por në kohën që të gjitha institucionet shqiptare kanë pranuar tashmë të kthejnë mbrapsht paratë e marra ndaj kanadezëve në vlerën e 37 milion dollarëve dhe të heqin dorë nga detyrimet e tjera, një email i nisur nga kompania Curti’s pranë AKBN-së, vërteton një fakt tronditës: institucionet shqiptare nuk po ankimojnë raportin e ekspertit të pavarur Price Waterhouse Cooper, i cili i dha të drejtë Bankers.
“Ne rekomandojmë me forcë që të paraqiteni për një sfidë të vendimit të Panelit të Ekspertëve në Gjykatën Tribunale të arbitrazhit ndërkombëtar. Termat e referencës të rënë dakord nga palët përfshijnë shprehimisht të drejtën për të kundërshtuar vendimin e ekspertit, kjo e drejtë është për të dyja palët! Në qoftë se Bankers do të kishte qenë i pakënaqur me vendimin, ju mund të jeni i sigurt se do të ushtronte të drejtat e tij për ta sfiduar vendimin në arbitrazh. (Në seancën dëgjimore, avokati i Bankers ka rezervuar shprehimisht të drejtat e tij për të ankimuar vendimin). Po kështu, AKBN nuk duhet të heqë dorë nga të drejtat e saj për të kundërshtuar vendimin”.
Dyshimet për heqjen dorë nga e drejta legjitime e ankimimit, e cila ishte një pikë e firmosur nga të dyja në palët në marrëveshjen e 24 shkurtit për të pranuar një ekspert të pavarur thellohen më shumë, kur Curti’s nënvizon se raporti i ekspertit ka gabime të dukshme.
“Ne kujtojmë se Bankers fillimisht fitoi një urdhër nga gjykata shqiptare vitin që shkoi që të parandalonte mbledhjen me forcë të detyrimit tatimor. Avokati i shtetit e ankimoi vendimin dhe fitoi në favor të palës së shtetit. Më pas Bankers tentoi sërish për të marrë të njëjtin vendim në gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar dhe fitoi kërkesën fillestare për të ndalur në mënyrë të përkohshme mbledhjen me forcë të detyrimit tatimor përmes sekuestros së llogarive. Por më pas Curti’s ndërhyri dhe pala shqiptare fitoi. Kjo është praktikë standarde, është gjest i papjekur thjesht të ndalesh dhe të mos ndjekësh mekanizmat ligjorë që ke në dispozicion. Siç e kemi diskutuar dhe siç ju kemi thënë edhe në email-in që ju kemi nisur javën e kaluar, vendimi i ekspertit është haptazi i gabuar, i pamjaftueshëm dhe i papranueshëm për arsye të shumta. duke e lënë atë vendim në fuqi pa e ankimuar do të ishte e pazakontë dhe e habitshme!”
Është për tu nënvizuar fakti që sipas kontratës që Albpetrol ka me Bankers, përcaktimi i ekspertit do të jetë përfundimtar dhe përcaktues ndaj palëve edhe në kushtet e një gabimi të dukshëm në përcaktimin e tij.
Ky standard nuk është i pranueshëm për rregullat e UNICTRAL dhe gjykatës së arbitrazhit.
“Përcaktimi i Ekspertit do të jetë përfundimtar dhe detyrues ndaj Palëve, edhe në kushtet e ndonjë gabimi të dukshëm në përcaktimin e tij”.
Ka edhe 5 ditë kohë që Ministria e Energjisë dhe AKBN të ankimojë vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit, ndryshe digjen afatet.
I kontaktuar nga Vizion Plus, ky institucion sqaron se ende nuk ka marre nje vendim se cfare do beje dhe se ndodhet ne proces vlerësimi nese do e beje ankimimin apo jo.
Praktikat ndërkombëtare dhe vetë rregullat e Arbitrazhit, paracaktojnë caktimin e një eksperti nga vetë kjo gjykatë, por sërish mendimi i ekspertit në procedurën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, thjesht ndihmon gjykatën, nuk është detyrues për të. Rregullat e arbitrazhit mundësojnë të drejta më të favorshme procedurale përsa i përket ekspertimit dhe riekspertimit që palët mund të kërkojnë.
Pak ditë më parë drejtori i përgjithshëm i AKBN-së Dael Dervishi dha dorëheqjen, e cila duket se lidhet ngushtë me çështjen e shumë diskutuar të Bankers.
Së fundi kompania firmosi edhe një marrëveshje me firmën IRTC të sugjeruar nga shteti shqiptar për t’i dhënë 65% të prodhimit për ta përpunuar në rafinerinë ARMO.