Ekonomia

IADSA financon 11 projekte të bashkive në vlerën 4 mln euro

Në Ministrinë e Financave është mbajtur këtë të mërkurë ceremonia për shpalljen e projekteve fituese që do të marrin financim nga programi Italo-Shqiptar i Konvertimit të Borxhit, IADSA.

Në ceremoni kanë marrë pjesë Ministri z. Arben Ahmetaj, Ambasadori I Italisë në Shqipëri z. Alberto Cutillo dhe kryetarët e Bashkive që kanë aplikuar për financimin e projekteve.

“Ky program është një nga shembujt më konkret se si vullneti i mirë i dy qeverive mund të reflektohet në ndryshime reale, të prekshme dhe me impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve”, u shpreh ministri i Financave, Arben Ahmetaj.

Bashkitë e interesuara kanë dorëzuar 57  projekt propozime për të aplikuar në Programin IADSA.

“Nga këto propozime, pas vlerësimit të Njësisë Teknike Mbështetëse, do të financohen 11 projektet më të mira, të cilat prekin sektorë të ndryshëm, me një vlerë totale prej pothuajse 4 milion euro. Projektet e financuara i përgjigjen nevojave konkrete të target grupeve të caktuara dhe janë në linjë me strategjitë zhvillimore të qeverisë shqiptare. Shtrirja gjeografike e projekteve prek pak a shume gjithë vendin dhe ndërhyn në sektorë me një prioritet të lartë për secilën nga bashkitë e financuara”, theksoi Ministri Ahmetaj.

“Bashkisë së Shkodrës, Hasit dhe Këlcyrës i kemi akorduar financim për të ndërhyrë në disa godina dhe për t’i shndërruar ato në qendra multifunksionale për të rinjtë, dhe jo vetëm.

Bashkisë së Libohovës po i japim një zgjidhje për shërbimet ndaj të moshuarve, duke krijuar atje një strukturë rezidenciale për ta.

Në Bashkinë e Fierit do të bëjmë të mundur rikonstruksionin e teatrit, ndër më të vjetrit në Shqipëri, dhe pasurimin me ambiente të reja, ku të rinjtë dhe të rejat e qytetit mund të kryejnë aktivitete rekreative.

Në Bashkinë e Cërrikut do të ndërhyjmë për të krijuar shërbime dhe ambiente të reja për prodhuesit e produkteve lokale bujqësore.

Në Bashkinë e Elbasanit dhe Fushë Arrëzit do të ndërhyhet në rikonstruksionin rrënjësor të disa godinave shkollore, për t’u bërë të mundur nxënësve të atyre zonave kushte sa më dinjitoze.

Në Bashkinë e Gramshit, do të bëjmë të mundur rikualifikimin e qëndrës së qytetit, ndërsa falë financimit të IADSA-s, Bashkia e Peqinit do të bëhet një nga bashkitë e para në Shqipëri ku godinat e insitucioneve publike nuk do të kenë barriera arkitektonike për njerëzit me aftësi të kufizuar mobiliteti.

Së fundi, vendosëm t’i japim zgjidhje problemit që Bashkia e Tiranës ka me komunitetin rom në zonën e Shkozës. Më në fund ky komunitet do të strehohet në banesa të përshtatshme duke garantuar kushte normale jetese, ndryshe nga sa ka ndodhur deri tani”, përfundoi Ahmetaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button