Identifikimi elektronik, alibia e PD-së për humbjen e radhës
Nga Edmond Spaho
PD nuk do identifikim elektronik në zgjedhje.
Sa për të ardhur keq! Qesharake pa fund!
Kundërshtimi vjen megjithëse kanë vite që identifikimi elektronik aplikohet në zgjedhje, madje me insistimin e PD-së.
PD-ja e para, dhe për këtë bravo i qoftë, futi në sistemin e gjendjes civile të dhënat biometrike të qytetarëve në vitin 2009, kur u liberalizuan vizat.
Sot janë kundër çdo forme bashkëkohore të votimit. Nuk duan identifikim elektronik, nuk duan votim elektronik, nuk duan numërim elektronik.
Për të gjitha këto kemi këmbëngulur që të realizoheshin që në vitin 2014. Më pas, se kush ndërhyri dhe Basha ndërroi mendje!
Sot refuzojmë çdo formë të elektronikës, sepse e konsiderojmë të manipulueshme. Mbi 52% e vendeve të Europës përdorin identifikimin elektronik të votuesve.
Kur je i pazoti të mobilizosh qytetarët për të votuar, fillon e shpik arsye për të justifikuar humbjen.
Kjo është ajo që bën PD-ja, një parti që sot nuk plotëson dot 100% të komisionerëve në qendrat e votimit. Nuk bëhet fjalë për njerëz të kualifikuar. Nuk i plotëson dot as me më të pashkollët.
Për fat të keq, edhe nëse, për hatër të PD-së, do të votohej me kokrra fasulesh, si në vitin 1945, dhe identifikimi i votuesve do të bëhej me dokument dhe dy dëshmitarë, ajo do të akuzonte se janë importuar më shumë fasule sesa duhet për të manipuluar zgjedhjet, se janë lëshuar dokumente false dhe se dëshmitarët janë patronazhistë, por mbi të gjitha, se komisionerët dhe numëruesit e saj janë shitur te PS-ja.
Këtë lojë të turpshme bëri në vitin 2025 dhe duket se do ta bëjë edhe në vitin 2027.
Nuk mund të besohet se po luftojnë për zgjedhje të lira e të ndershme ata që nuk i garantojnë ato brenda vetes. Kjo është bindja e shumicës së anëtarësisë së PD-së.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.