⛅
Tiranë 15°C · Pjesërisht vranët 20 Nëntor 2026
S&P 500 7,062 ▼1.59%
DOW 49,031 ▼0.13%
NASDAQ 23,190 ▼2.89%
NAFTA 81.74 ▼0.85%
ARI 3,546 ▼3.78%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.0980 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9259 EUR/ALL 90.1176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6181 EUR/TRY 55.4680 EUR/JPY 175.39 EUR/CAD 1.5727 EUR/USD 1.0980 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9259 EUR/ALL 90.1176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6181 EUR/TRY 55.4680 EUR/JPY 175.39 EUR/CAD 1.5727
₿ CRYPTO
BTC $59,232 ▼ -6.05% ETH $1,640 ▼ -7.77% XRP $0.9133 ▼ -6.03% SOL $68.9100 ▼ -6.27%
S&P 500 7,062 ▼1.59 % DOW 49,031 ▼0.13 % NASDAQ 23,190 ▼2.89 % NAFTA 81.74 ▼0.85 % ARI 3,546 ▼3.78 % S&P 500 7,062 ▼1.59 % DOW 49,031 ▼0.13 % NASDAQ 23,190 ▼2.89 % NAFTA 81.74 ▼0.85 % ARI 3,546 ▼3.78 %
EUR/USD 1.0980 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9259 EUR/ALL 90.1176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6181 EUR/TRY 55.4680 EUR/JPY 175.39 EUR/CAD 1.5727 EUR/USD 1.0980 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9259 EUR/ALL 90.1176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6181 EUR/TRY 55.4680 EUR/JPY 175.39 EUR/CAD 1.5727
20 Nën 2026
Breaking
Opinion

Integrimi evropian nuk është tepsi me pilaf, as tepsi me pushtet

Meditim satirik

Nga THOMA GËLLÇI

Në Shqipëri po ndodh një fatkeqësi e madhe. Edi Rama po na çonte në Evropë, kur ja, disa shqiptarë u ngritën të protestojnë. E sikur të mos mjaftonte kjo, na erdhi nga Suedia edhe Greta Thunberg. Tani rrezikojmë të mbetemi jashtë Bashkimit Evropian. Ndoshta edhe përgjithmonë.

Fatmirësisht, disa njerëz të mençur e nuhatën menjëherë komplotin. Këta protestues, thonë ata, nuk duan thjesht të rrëzojnë qeverinë. Duan të na bllokojnë rrugën për në Evropë, pikërisht tani që Edi Rama ishte gati të na e dorëzonte, me çelësa në dorë dhe me pajisjet elektroshtëpiake të përfshira.

Unë, i shkreti, kujtoja se integrimi evropian kishte të bënte me demokracinë, drejtësinë dhe shtetin e së drejtës. Paskam jetuar në errësirë.

Integrimi evropian, me sa duket, është një tepsi gjigante me pilaf.

Tepsia rri në Bruksel. Gjermanët kanë sjellë orizin, italianët vajin e ullirit, francezët gjalpin. Neve na kanë thënë vetëm të vijmë me lugë. Edi Rama do të ngrejë kapakun dhe do të nisë shpërndarja. Kush ka votuar Partinë Socialiste, merr dy racione.

E pilafi është vetëm meze. Në Itali na presin supermarkete ku e mbush karrocën dhe del pa paguar. Në Gjermani zgjedh: Mercedes apo BMW. Francezët na japin parfume, zviceranët orë, suedezët mobilie. Vetëm Greta nuk hyn në paketë. Ajo është mall me defekt.

Dhe gjithë këtë bollëk na e garanton një njeri i vetëm: Edi Rama.

Prandaj e kuptoj plotësisht inatin me protestuesit. Kur dikush të sjell një Mercedes falas, është edukatë e keqe t’i kërkosh edhe zgjedhje të lira.

Gjithë kjo histori me tepsinë më solli ndër mend një ngjarje që e mbajmë mend të gjithë.

Më 28 nëntor 2012, në 100-vjetorin e Pavarësisë, Sali Berisha dhe Lulzim Basha shtruan në Tiranë një tortë gjigante. Sa nisi shpërndarja, njerëzit u sulën me pjata, qese, tepsi e legenë. Garuzhdet do të kishin qenë mjeti ideal, por gjithçka ndodhi aq shpejt sa s’pati kohë njeri të bënte inventarin e kuzhinës.

Disa morën tortë për gjithë familjen. Të tjerëve u mbeti vetëm Pavarësia.

Katërmbëdhjetë vjet më vonë, kemi bërë përparim. Nuk presim më tortë në sheshin “Skënderbej”. Tani presim tepsinë evropiane në Bruksel.

Kam dëgjuar, sidoqoftë, se integrimi evropian vjen edhe me ca kushte të tjera.

Gjermanët, për shembull, e respektojnë ligjin edhe kur s’i sheh polici. Italianët punojnë e prodhojnë, edhe pse ne i njohim kryesisht për makaronat. Francezët bëjnë art, shkencë e kulturë, dhe sa herë nuk u pëlqen qeveria, dalin në rrugë. Suedezët kanë ngritur një sistem ku qytetari mund të protestojë pa u shpallur armik i Suedisë.

Zakone interesante, s’ka dyshim. Por nuk e di nëse na duhen të gjitha.

Nga Gjermania marrim makinat, por jo gjobat. Nga Italia ushqimet, por jo taksat. Nga Franca parfumet, por jo demonstratat. Nga Suedia mobiliet, por jo Gretën. Nga Brukseli fondet, por pa atë bezdinë e kontrollit se ku shkuan paratë.

Kështu bëhemi evropianë pa lëvizur asnjë gisht.

Rasti i Gretës është veçanërisht shqetësues. Ajo nisi të protestonte qysh adoleshente në Suedi, dhe suedezët, në vend që ta nisnin në shtëpi të bënte detyrat, e lanë të vazhdonte. Tani na ka ardhur edhe në Tiranë. Po të dëgjosh disa nga kundërshtarët e protestës, do të thoshe se Greta ka zbarkuar me një divizion tankesh dhe po bën gati pushtimin e Brukselit.

Çudi e madhe: disa shqiptarë që ëndërrojnë të jetojnë si suedezët, xhindosen sapo një suedeze sillet si suedeze.

Ndërkohë, kundërshtarët e protestës kanë shpikur një rregull të ri demokratik: shqiptari ka të drejtë të protestojë, por jo kur qeveria merret me integrimin. E meqë qeveria merret me integrimin dymbëdhjetë muaj në vit, protestat shtyhen derisa të hyjmë në BE. Pastaj shtyhen sërish, që të mos rrezikojmë anëtarësimin.

Më e bukura nga të gjitha është teoria se Edi Rama është njeriu që na çon në Evropë, dhe se po iku ai, rruga pritet.

Pra, Evropa nuk qenka kontinent, por autobus. Rama është shoferi, ministrat fatorinot, shqiptarët pasagjerët. Ata paguajnë biletën, blejnë naftën, e shtyjnë autobusin kur ngec, dhe në fund i thonë faleminderit shoferit që nuk i zbriti në mes të rrugës.

Por integrimi evropian nuk do të thotë të shkosh në Gjermani e të marrësh një Mercedes falas. Do të thotë të mësosh të punosh, të prodhosh dhe ta respektosh ligjin si gjermani. Të krijosh si francezi, të ndërtosh si italiani, të organizohesh dhe të protestosh si suedezi.

Integrim evropian do të thotë që një ditë shqiptari ta kuptojë se kryeministri nuk është i zoti i vendit, por një i punësuar që mund të pushohet me votë. Por kjo, sigurisht, do ta ndërlikonte shumë sistemin tonë politik.

Ndaj kam një propozim praktik. Për momentin, mjafton që Edi Rama të heqë dorë nga ëndrra e tij e tepsisë së madhe me pilaf, ku ai, me garuzhde në dorë, ndan racionet me rregull. Ne vend te saj të organizohet një torte tjeter  gjigante, kësaj here për integrimin. Ta bëjnë bashkë Edi Rama dhe Sali Berisha: i pari të sigurojë tepsinë, i dyti përvojën e 2012-s. Shqiptarët i dinë tashmë procedurat. Do të vijnë vetë me legenë e garuzhde.

Para se të pritet torta, secili udhëheqës të mbajë një fjalim ku të tregojë si e shpëtoi personalisht Shqipërinë nga tjetri. Pastaj, le të nisë shpërndarja.

Dhe ja, u integruam!

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.