Opinion

Idhtarët e Berishës në veprim

Nga PETRO DHIMITRI

Ishte një pamje sa për të qeshur aq dhe për të qarë kur së bashku deputetët Bardhi dhe Noka nuk rreshtën së penguari kolegën e opozitës, deputeten Flutura Açka, që të mos fliste. I tërhoqën dhe mikrofonin, i hakrroheshin e deri gati sa nuk e shtynë. Edhe telat e mikrofonit desh ia shkulën…Ajo ruajti gjakftohtësinë . Tregoi dinjitetin e saj. U përpoq të vazhdonte të fliste. Po ku e lanë alabakët e komunistit Berisha që deputetja shkrimtare të shprehej lirshëm?!Nuk ishte se ajo po lavdëronte qeverisjen e Ramës. Përkundrazi. Në komisionin e medias donte të shpaloste alternativat e saj për  çështjet që donte të shtjellonte. Bllokimi i fjalës së një deputeteje të opozitës po nga opozitarët e të njëjtës parti është një turp i radhës për Parlamentin tonë. Dy burra kokëngjeshur përbaltën dy tre deputetet e së njëjtës parti?! Ndërhyrja e tyre skandaloze, shumë e turpshme dhe jashtë mase fyese për dinjitetin e atyre deputeteve femra, nuk është rastësi ose lajthitje e çastit e dy burrecave. Jo. Ajo e ka zanafillën nga dita kur u njoftua se Berisha, (NON GRATA i SHBA-së dhe Anglisë), u akuzua nga SPAK-u për korrupsion pasiv, ndërsa dhëndëri i tij u arrestua po për aferën e kompleksit sportiv “Partizani”. Në ato ditë NON GRATA lëshoi kushtrimin për të përmbysur qeverisjen e “banditit” Rama. Do të përdorte të gjitha format e mosbindjes civile (lexo:kryengritjes) deri në fitoren përfundimtare përmes dhunës, jo përmes votës. Se Rama nuk u mundka dot me vota?! Kjo thirrje çjerrëse u përsërit çdo ditë në format nga më të ndryshmet, megjithatë populli nuk e ndoqi ish idhullin e tij. Iu përgjigjën vetëm disa qindra vetë. Ku u strukën  gati mbi një milion e gjysmë shqiptarë që dikur brohoritnin ethshëm për Berishën?! Heshtën ,se për të gjithë ata ishte dhe është e qartë që çdo shqiptar ka për detyrë të paraqitet në organet e drejtësisë për të mbrojtur pafajësinë e tij. Kush përpiqet t’i shmanget atij ballafaqimi, kuptohet se ka frikë nga e vërteta. I mbetur si peshku  pa ujë ( me që populli nuk iu përgjigj) NON GRATA vendosi të bllokonte punimet e Parlamentit me mendimin se nga flaka, tymi dhe karriget e përmbysura në foltore , populli do të merrte zemër dhe do të bashkohej për të rrëzuar qeverinë e narko-shtetit. Edhe pse po bëhen disa muaj që Berisha dhe Rithemelimi Parlamentin e kanë kthyer në rumpallë, ( vetëm atë di të bëjë ai), populli nuk i është bashkuar. Përkundrazi është i fyer. Nga anketimi i këtyre ditëve ka dalë se mbështetja për të majtët ,që u dashkan rrëzuar me revolucion, del se është shtuar. Po ashtu edhe mbështetësit e Bashës janë rritur. Madje ka një ndryshim shumë të madh midis opozitarëve të RD-së zyrtare, të cilët kërkojnë që Parlamenti të kthehet në normalitet, me grupin e komunisto-bajraktarit Berisha, i cili kërkon me çdo kusht të përflaket Shqipëria për të mbrojtur njeriun që ka menduar dhe mendon se është mbi ligjin. Vjekësin na e paskan gjetur: pse nuk i jepet opozitës kryesimi i  komisioneve parlamentare hetuese. Në çdo vend të botës funksionojnë këto lloj komisionesh. Ka edhe komisione të përbashkëta bipartizane, si i quajnë, që shqyrtojnë probleme të rëndësishme nga më të ndryshmet që duhet të shqyrtojnë deputetët apo edhe senatorët. Ato komisione gjithmonë i vijnë në ndihmë parlamenteve për të përmirësuar ligjet në këtë ose atë sektor problematik. Ama ato komisione  kurrë nuk janë struktura paralele me Prokuroritë dhe Gjykatat. Janë komisione që ndihmojnë Parlamentet  vetëm për të hartuar ligje  më efikase për një qeverisje sa më të mirë. Ato nuk janë për të ngritur akuza. Parlamenti është organ ligjbërës. Kjo është detyra e tij. Për zbatimin e ligjeve përgjigjet vetëm drejtësia përmes prokurorive dhe gjykatave që janë krejtësisht të pavarura. Asnjeri nuk e pengon këtë ose atë deputet apo shtetas të bëjë kallzime në prokurori. Pikërisht nga këto kallzime SPAK-u ka një serë dosjesh, midis të cilave edhe atë të Inceneratorëve ose edhe ajo për privatizimin e kompleksit ” Partizani”…Të mos harrojmë se për inceneratorët ishte opozita ajo që vuri në lëvizje SPAK-un!

      Mendoni për një çast që Rithemelimi kryengritës të kryesojë këto komisione?! Çdo të kishte ndodhur në Parlamentin tonë? Do të ishte kthyer në një  hetuesi me deputetë që nuk kanë as përgatitjen më minimale për hetuesinë?! Do të bënin çmos t’i vinin jo gurrë nën rrota qeverisë, po shkëmbinj viganë që mund të çahen vetëm me dinamit. Përpjekja e bishtave të Berishës për të bërë namin për këto korrupsione, për të bllokuar Parlamentin e deri për t’i vënë flakën Shqipërisë, bëhet vetëm si e si të shpëtojnë Sali Berishën nga hetimi i një privatizimi skandaloz. Kujtojmë se  për kryetarin e Rithemelimit regresiv, besoj (po të funksionojë si duhet Reforma e Drejtësisë) do të ketë edhe dosje të tjera më përvëluese sa ajo me akuzën për korrupsion pasiv. Dënimi për këtë lloj korrupsioni shkon nga 4 deri në 12 vjet. Po për vrasjet e 21 janarit që Gjykata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut e Strasburgut e ka cilësuar VRASJE SHTETËRORE, dënimi shkon aq sa nuk na i merr dot mendja. Shtetin që vrau, të mos harrojmë për një çast, e drejtonte vetëm Berisha. Le pastaj për Gërdecin. Ishte Berisha që edhe pse mbledhja e Kryeministrisë nuk e miratoi projektin e Gërdecit, ai ia kaloi për ta zbatuar peqelepja Fatmir Mediu. Ka bërë aq shumë zullume doktori që populli i heshtur i mirëdi, prandaj dhe nuk iu përgjigj thirrjeve të tij  për t’u ngritur në revolucion kundër Ramës dhe Amerikës. Do të ishte një revolucion jo aq kundër Partisë Socialiste në pushtet sa kundër vetë SHBA-së, Anglisë dhe Evropës, sepse dënimi i  Berishës së pari u nënshkrua në WASHINGON. Të mos harrojmë që SHBA kurrë nuk ka marrë ndonjë vendim që na ka  dëmtuar sado pak. Gjithmonë ka qenë mbrojtjësja jonë: në shekuj pro nesh, pa harruar dhe lirinë e Kosovës. Si mundej që populli pro amerikan të bashkohej me një njeri që SHBA-në e ka shpallur armike?!
Si mundet që dhuna në Parlament e njerëzve të Berishës mos të indinjojë popullin që është kundër çfarëdo lloj dhune?! Pse lihen të lirë që ata të tregojnë pafëtyrësinë e tyre? Sepse dënimet janë shumë të lehta. Shkojnë nga 30 deri në 60 ditë përjashtim nga Parlamenti. Shumë pak. Për këta njerëz edhe heqja e mandatit të deputetit kishte për të qenë pak!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button