Iluminizmi Ballkanik dhe fillimi i Rilindjes Kombëtare Bullgare
Dr Dorian Koçi
Iluminizmi ballkanik
Ideja evropiane e Ballkanit qëndron në thelb të artikulimit të gjithë ideve të mëvonshme të ndërtuar gjithandej nëpër kontinent. Gadishulli Ballkanik është në fakt djepi i idesë së qytetërimit evropian. I ndodhur në kryqëzimin e rrugëve Lindje-Perëndim ai u bë shumë shpejt një nga kryeqendrat kryesore të shkëmbimit të këtyre kulturave duke reflektuar në këtë mënyrë jo vetëm diversitetin e tyre por dhe rrafshin gjeografik dhe politik ku ato u ngjizën për tu bërë një. Është interesant fakti se sëbashku me fillimin e këtij qytetërimi të shkëlqyeshëm, të cilit vazhdimisht do ti referohen dhe në shekujt e mëvonshme mendjet më të ndritura të njerëzimit, lind dhe ideja e qytetërimit evropian dhe së bashku me të merr rrugë dhe ideja e një qytetërimi mbarë evropian. Në gjithë këtë rrugëtim që ideja e Evropës dhe qytetërimi evropian kanë evoluar duhet theksuar fakti se lindja e kësaj ideje i korrespondon dhe të gjitha fakteve dhe etapave historike që kaloi ai që ne të gjithë e quajmë qytetërim evropian dhe historia e këtyre territoreve. Një periudhë e tillë është p.sh shekulli i XVII dhe fillimi i Iluminizmit Ballkanik. Iluminizmi Ballkanik ishte një lëvizje ideologjike, filologjike, linguistike kulturore dhe filozofike në elitat e Ballkanit që u mundua të përçonte idetë dhe vlerat e Iluminizmit francez në botën shpirtërore ballkanike. Ai ishte produkt i brezi të tërë shkollarësh jo vetëm në shkencat shoqërore por dhe në ato të natyrës, të cilët ishin në kontakt ne filozofinë perëndimore për shkak se shumica më e madhe tyre studiuan sa në Paris, Londër, Vjenë apo dhe Berlin. Pjesë e rëndësishme e diskursit të tyre politik dhe kulturor ka të bëjë me ringjalljen e vendeve të Ballkanit, të vlerave të epokës klasike por dhe shndërrimin e tyre në vende moderne evropiane. Në këtë sens ideja evropiane e tyre është thelbësore në veprat e tyre pasi ajo paraqitet si një vektor lidhës midis së shkuarës së lavdishme të popujve të tyre dhe ringjalljes të së tashmes.
Iluminizmi ballkanik lëvroi në qendrat e mëdha të kulturës evropiane por pati dhe dy strehëza të përshtatshme ku ndikoi dhe kulturën vendase të atyre vendeve. Kështu Akademi e Re pararendësja e tyre e krijuar në Voskopojë në qytetin e ndodhur në territor shqiptar dhe ku u përplasën kulturat greke, vllahe dhe shqiptare la një gjurmë të pashlyer në memorien historike të komuniteteve që banuan aty por dhe më gjerë në Ballkan. Po kështu Akademia e Bukureshtit, e cila ishte ngritur nën kujdesin e princave Fanariotë që administronin principatat rumune për më shumë se 100 vjet dhe oborri i Ali Pasha Tepelenës në Janinë ku iluministët ballkanikë gëzonin patronazhin dhe favoret e këtij pashai karizmatik në shkëmbim të shërbimeve diplomatike që i ofronin. Ideja Evropiane e Ballkanit tashmë bëhet kryefjala e të gjitha popullsive në Ballkan, të cilat të ndodhur shumë afër qendrave evropiane kulturore aspironin që nga emërtimi si pjesë e Turqisë Evropiane të ktheheshin në provinca integrale evropiane.
Për të rigjallëruar këtë dëshirë të vjetër të tyre në fillim të shekullit të XIX kish ndodhur një fenomen që kish realizuar një kontakt kulturor të mjaftueshëm për tu zgjuar nga gjumi letargjik i pushtimit otoman. Në fund të shekullit të XVIII, gadishulli i Ballkanit ishte më pak i njohur në Evropë se kolonitë e saj në botë. Kjo mosnjohje reflektohej direkt dhe në librat e gjeografisë ku këto territore quheshin thjesht provinca evropiane të Turqisë dhe për emërtimin e lumenjve dhe maleve të tyre përdorej ende onomastika e vjetër Greko-Latine.
Megjithëse lëvizjet filozofike kulturore të Iluminizmit dhe Klasicizmit kishin zgjuar interesin e publikut evropian, për Greqinë si vendin ku kish lindur qytetërimi i lashtë nuk ishte ndërmarrë ndonjë përpjekje serioze për të zbuluar e eksploruar këtë vend dhe rajonin më gjerë rreth tij. Kjo gjë natyrisht nuk kish ardhur si pasojë e indiferentizmit të Evropës ndaj Ballkanit apo për më tepër si një mohim i së kaluarës evropiane të këtij rajoni, por ishte një pasqyrim i drejtë për së drejtë i situatës politike administrative që ekzistonte në rajon midis Fuqive Evropiane dhe Perandorisë Otomane. Këto rajone për më tepër se tre shekuj ishin pjesë përbërëse e Perandorisë Otomane, e cila deri atëherë ishte “trajtuar si një njësi e vetme në Evropë dhe në Azi.” Për më tepër për një kohë të gjatë rajoni kish qenë një shesh beteje midis Perandorisë së Hasburgëve dhe perandorisë Otomane gjë që e kish vështirësuar shumë udhëtimin, njohjen dhe eksplorimin e këtyre viseve. Mbarimi i luftërave Austro-Turke më 1689 dhe nënshkrimi i traktateve të paqes fill pas tyre sollën jo vetëm shmangien e një pushtimi të përhershëm të Evropës nëpërmjet ekskursioneve të vazhdueshme otomane por promovuan një periudhë relativisht paqësore midis Portës së Lartë dhe fuqive evropiane.
Një shekull më vonë, viti 1789 shënon një ngjarje të rëndësishme për historinë e vet Evropës. Triumfi i revolucionit francez më 1789 dhe fushatat e mëvonshme të Napoelon Bonapartit në fillim në Itali në 1796 e dy vjet më vonë në Egjipt në 1798 ndryshuan thelbësisht botën mesdhetare dhe Lindjen e Afërme me të cilat rajoni i Ballkanit ishte fqinj.
Vetëm disa vjet më vonë pas triumfit të revolucionit francez më 1797, Franca nëpërmjet traktatit të Campo-Formio aneksoi ishujt Jonianë nga Venediku. Kjo fqinjësi e papritur me viset e Ballkanit pati një efekt të dyfishtë në zhvillimin e ngjarjeve politiko, shoqërore dhe kulturore të këtyre viseve. Në fillim në ishujt Jonianë dhe më pas në territoret afër tyre fillojnë të infiltrojë nacionalizmi dhe idetë e formimit të shtetit-komb të Revolucionit francez. Koncepte dhe fjalë të reja si “republikë”, “kushtetutë”, “të drejtat e njeriut” filluan të zënë rrënjë në fjalorin dhe mendimin politik të rajonit. Ky moment korrespondon me periudhën kur këto territore marrin një rëndësi jetësore për shtetet evropiane në zgjerim.
Franca dhe më vonë Anglia dhe Rusia e gjetën veten shumë shpejt në “aktorë” dhe “faktorë” të rëndësishëm politikë, kulturorë dhe socialë në teatrin diplomatik të këtyre viseve. Kjo prani evropiane dhe ri njohje e këtyre viseve u përforcua më tepër nga një fenomen i ri-Udhëtimi. Në fillim të shekullit të XIX udhëtimi tradicional i “Grand Tour-it” pësoi një ndryshim themelor. Turi i Francës dhe i Italisë u braktis dhe udhëtimet në Greqi, Shqipëri dhe Turqi, të cilat ishin pjesë të perandorisë Otomane u bënë të modës. Ky kontakt i drejtë për së drejtë solli jo vetëm njohjen e rajonit më në detaje por inspiroi dhe lëvizje të fuqishme në mendimin evropian si ishin Filohelenizmi dhe krijimi i adhurimit të kultit për Orientin të romantikëve në letërsitë evropiane. E njëjta prirje mund të vërehet në ndërthurjen e veçantë mes turkofilisë e sllavofobisë, së bashku me fenomenin refleksiv të turkofobisë (apo më mirë islamofobisë) dhe filosllavizmit në mendimin politik evropian si rezultat i përzierjes së udhëtimeve diplomatiko-turistike dhe interesave të Fuqive të Mëdha në rajon. Si rezultat, kjo përqasje e re e Evropës që zuri fill me udhëtimet “theu karakterin e njësuar të botës orientale.” dhe krijoi premisat për “rizbulimin” e Ballkanit. Ky “rizbulim” shkon hap pas hapi dhe me ndryshimin e emërtimeve të këtyre viseve, nga provinca evropiane të Turqisë në fillim të shekullit, në Lindjen e Afërme në mes të shekullit për të fituar emrin Ballkan në fillim të shekullit të XX. Përdorim termin “rizbulim’ pasi këto vise si pjesë përbërëse e ish perandorive romake dhe asaj bizantine më vonë ekzistonin në memorien kolektive të Evropës dhe në historiografinë e saj në formën e emërtesave të provincave romake dhe temave bizantine. Nëse e postulojmë “zbulimin” e Ballkanit në një moment historik relativisht mjaft të vonë kjo nuk do të thotë se dëshmitë dhe përshkrimet e udhëtarëve kanë qenë dukuri që u shfaq vetëm mbas shekullit të XVIII. Shumë nga dëshmitë e mëparshme sidomos nga ato që janë hartuar nga vrojtues politikë, nga oficerë të shërbimeve sekrete e nga diplomatët kanë qenë shpesh herë fryt i vështrimeve më të mprehta dhe më të informuara se disa nga dëshmitë e udhëtarëve të mëvonshëm. Por nëse cilësia e këtyre dëshmive të lëna është relative askush nuk mund ta vërë në dyshim se pas publikimit të këtyre shënimeve dhe mbresave nga udhëtimet në Ballkan fillon njohja e vërtetë dhe perceptimi i Ballkanit jo vetëm si një identitet i veçantë gjeografik por dhe si kulturor me mozaikun e pashoq të kulturave, popujve dhe besimeve fetare të tij.
Rilindja Kombëtare në Bullgari (1762-1878)
Sëbashku me këtë njohje të Ballkanit fillon e merr jetë dhe aspiratat e këtyre popullsive për të krijuar shtetet e tyre kombëtarë, të cilët i shikonin të gjithë veten e tyre si pjesë integrale e Evropës. Është për të tu theksuar fakti se ideja e Evropës që u rishfaq në mesin e shekullit të XVIII dhe në fillimet e shekullit të XIX tek popujt ballkanik pas shtegtimit të saj që nga antikiteti dhe periudha mesjetare dhe bjerrjes së saj nën dekadencën e pushtimit otoman ka pothuajse të njëjtat karakteristika. Ajo ndahet në përfaqësues të dy rrymave të fuqishme filozofike të kohës dhe dy mënyrave të ndryshme për të realizuar zgjimin kombëtar dhe së bashku me të dhe realizimin e idesë evropiane për rifutjen e vendit në bashkësinë kulturore prej nga osmanët i kishin shkëputur forcërisht. Ashtu si u vërejt dhe në rastin e Iluminizmit grek, ku njëra palë e përfaqësuar nga Adamantios Korais e Riga Ferrero të cilët ishin racionalistë dhe kozmopolitanë dhe që dëshironin të civilizonin bashkësinë e tyre etnike duke shpërndarë idetë e Iluminizmit dhe një pjesë tjetër e përfaqësuar nga Neofitos Dukas dhe Aleksandër Psalidha që ishin pararomantikë dhe nacionalistë dhe që ishin më tepër të interesuar në doket dhe zakonet dhe në literaturën folklorike të popullit të vet dhe që dëshironin që Greqia të zhvillohej në mënyrë të pavarur nga Perëndimi, edhe në zgjimin e popullit bullgar të përqendruar në provincat bullgare që më vonë do të bëhen qendrat e shtetit kombëtar bullgar do të kemi pikërisht shfaqjen e këtyre dy dukurive të mishëruara në përpjekjet e ilumistëve bullgaë për të ndriçuar kombin e tyre. Bullgaria, ashtu si principatat rumune për një kohë të gjatë kishin qenë nën influencën kulturore të elitave greke, aq sa shpesh herë elitat tregtare të pasura bullgare identifikoheshin si grekë. Gjithsesi gjuha e veçantë e folur dhe e shkruar nuk kish bërë të mundur asimilimin e tyre dhe interesimi i diplomacisë cariste të cilët te bullgarët gjenin shugurimin e tyre fetar, bëri të mundur që të fillonte një lëvizje kulturore e përfshirë dhe në trajtat ideologjike të pansllavizmit.
Karakteristikë tjetër e afrimit të bullgarëve me idenë evropiane është se ata filluan si opozitarë jo vetëm kundër otomanëve por dhe grekëve duke thërritur në mendjet e popullsisë mbretëritë e tyre të lavdishme të mesjetës. Gradualisht kjo lëvizje eci paralelisht dhe me krijimin e Kishës Kombëtare çka bëri të mundur që diasporat bullgare të mobilizoheshin më mirë rreth idesë së krijimit të shtetit të tyre dhe afinitetit me Evropën. Ideja e Evropës tek bullgarët kaloi detyrimisht rreth reflektimit për përdorimin e gjuhës bullgare ku pionieri i parë i zgjimit bullgar murgu Paisi shkruante në 1762 se “o njerëz pa ndjenja, a nuk keni turp që e quani veten kështu dhe nuk mendoni dhe flisni në gjuhën tuaj?”
Në vitin 1762, Murgu Paisi i Manastirit të Hilendarit në Malin Athos përfundoi veprën e tij “Historia Sllavo-Bullgare” që luajti një rol të madh në Rilindjen Kombëtare Bullgare. Libri i tij fliste për të kaluarën e lavdishme të Bullgarisë dhe synonte të kthente krenarinë kombëtare në rrugën e duhur në kohët e vështira të sundimit osman. Libri i historisë murgut Paisi u riprodhuan në shumë kopje të shkruara me dorë dhe gjithashtu më vonë pati shumë botime si libër. Gjuha e përdorur është më afër gjuhës së sotme, ndonëse është ende kishtare-sllave dhe është më e kuptueshme. Ajo u krijua shumë vite pas publikimit të Historisë origjinale sllavo-bullgare. Gjatë asaj kohe kishin ndodhur shumë ngjarje dhe disa gjëra që ishin duke kërkuar kështu disa korrigjime të fakteve historike. Paisii filloi veprën e tij të vetme të njohur në Manastirin e Hilandarit rreth vitit 1760 dhe e përfundoi në Manastirin e Shën Gjergjit Zographou dy vjet më vonë. Ajo titullohet “Një histori sllavo-bullgare e popullit, carëve dhe shenjtorëve dhe e të gjitha bëmave dhe ngjarjeve bullgare”, mbledhur dhe rregulluar nga Paisii, i cili [tashmë] ishte jeromonak dhe erdhi në Malin e Shenjtë Athos nga Eparkia e Samokovit në vitin 1745, dhe këtë histori e përpiloi në 1762 për të mirën e popullit bullgar. Periudha historike-letrare e filluar nga nga murgu Paisi çoi në zgjimin kombëtar të Bullgarisë dhe fillimin e nacionalizmit modern bullgar që zgjati deri në çlirimin e Bullgarisë në vitin 1878 si rezultat i Luftës Ruso-Turke të 1877-1878. Kjo ishte periudha më e shquar për arkitekturën e saj karakteristike, ndikimi i së cilës ende mund të vërehet në qytetet e vjetra bullgare si Tryavna, Koprivshtitsa dhe Veliko Tarnovo, trashëgimia e pasur letrare e autorëve si Ivan Vazov dhe Hristo Botev që frymëzoi luftën bullgare për pavarësi dhe një kishë autonome dhe Kryengritja e Prillit e vitit 1876, një ngjarje e rëndësishme e kundërshtimit të armatosur ndaj sundimit osman, e cila përfundimisht çoi në Luftën Çlirimtare Ruso-Turke të 1877-1878. Ndryshimet e rëndësishme në shoqërinë bullgare, liria e iniciativës ekonomike dhe zgjedhja fetare çuan në formimin e kombit bullgar në kufijtë e tij etnikë dhe në territorin e përbashkët, duke përfshirë tokat e Moezisë (përfshirë Dobrujën), Thrakinë dhe Maqedoninë. Rilindja Kombëtare Bullgare synonte: në fushën politike, të çlironte atdheun nga robëria e huaj shekullore dhe të formonte shtetin kombëtar bullgar, të shtrirë në mbarë trojet bullgare; në fushën shoqërore, të çlironte vendin nga marrëdhëniet e vjetruara feudale dhe ta shkëpuste nga prapambetja politike, ekonomike dhe shoqërore, duke vendosur rendin demokratik përparimtar, nën shembullin e vendeve të qytetëruara të kohës; në fushën kulturore, të çlironte masat nga prapambetja mendore dhe të shpejtonte zhvillimin e tyre arsimor, kulturor dhe shkencor me bazë gjuhën bullgare. Si e tillë, ajo do ishte një lëvizje revolucionare kombëtare me karakter çlirimtar, demokratik dhe illuminist. Rilindja Kombëtare Bullgare ndahet tradicionalisht në tre periudha, e para nga shekulli i 18-të deri në fillim të shekullit të 19-të (Zgjimi kombëtar bullgar), e dyta nga reformat osmane të viteve 1820 deri në vitet 1850 deri në Luftën e Krimesë dhe e treta nga Lufta e Krimesë deri në Çlirimin e Bullgarisë në 1878. Rilindja Kombëtare Bullgare përfundoi me çlirimin e Bullgarisë dhe realizimin e krijimit të shtetit kombëtar bullgar. Ajo la gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen kombëtare bullgare dhe holli themele të shëndosha për zhvillimin kulturor të vendit.