Imazhet satelitore tregojnë zgjerimin e sulmeve izraelite në Iran: gjashtë zona të reja të goditura në fazën e re të luftës
Sipas analizës së imazheve satelitore dhe të dhënave të NASA-s, të cituar nga Washington Post, Izraeli ka goditur pjesë të Iranit që nuk i kishte sulmuar as në luftën e qershorit 2025 e as në fazën e parë të luftës aktuale, përfshirë Bushehrin, Khuzestanin, Isfahanin dhe Azerbajxhanin Perëndimor.
Ushtria izraelite i ka zgjeruar sulmet e saj ndaj Iranit në pjesë të tjera të vendit, ndërsa luftimet mes Izraelit dhe Iranit kanë rifilluar në një fazë të re. Kjo del nga imazhet satelitore të analizuara nga Al Jazeera, e cila citon të dhënat e publikuara nga Washington Post.
Sipas analizës së imazheve satelitore dhe të dhënave të NASA-s për zbulimin e zjarreve, Izraeli ka goditur gjashtë zona të reja që nga fundi i shkurtit, kur filloi lufta aktuale. Mes tyre janë provincat Bushehr, Khuzestan, Isfahan dhe Azerbajxhani Perëndimor — territore që nuk ishin sulmuar as në luftën e qershorit 2025 e as në fazën e parë të kësaj lufte.
Analiza tregon gjithashtu se vetëm në ditët e para të fazës së re, forcat izraelite kanë goditur edhe dhjetëra zona të tjera të reja brenda Iranit. Vlerësimi i imazheve satelitore vazhdon ende, ndaj shtrirja e plotë e sulmeve pritet të qartësohet në ditët në vijim.
Zgjerimi gjeografik i objektivave tregon se faza e re e luftës po prek një pjesë shumë më të gjerë të territorit iranian sesa fazat e mëparshme. Bushehri ndodhet në bregdetin e Gjirit Persik, Khuzestani është zemra e industrisë iraniane të naftës, ndërsa Isfahani pret objekte të rëndësishme të programit bërthamor të Teheranit.
Autoritetet iraniane nuk kanë komentuar ende analizën e imazheve satelitore. Teherani ka paralajmëruar më herët se do t’u përgjigjet sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit “në kohën dhe vendin që do të zgjedhë vetë”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.