Inaugurohet shkolla “Kongresi i Lushnjes”, Meta: Falenderoj Lali Erin për kujdesin
Rreth 665 nxënës të shkollës Kongresi i Lushnjës do të kenë mundësi që të studiojnë në mjedise krejtësisht të rikonstruktuara të cilat ofrojnë të gjitha kushtet e nevojshme.
Për të inspektuar mjediset e shkollës , ishte i pranishëm dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj si dhe Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla.
Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj falënderoi ata që ndihmuan për rikonstruksionin e kësaj shkolle si dhe stafin mësimdhënës për sakrificat e tyre.
Veliaj theksoi se kur njerëzit bashkëpunojnë dhe fokusi është te puna mund të bëhen gjëra të mrekullueshme.
“Kur ne punojmë bashkë dhe e kemi fokusin te puna, ne bëjmë gjëra të mrekullueshme. Unë në bashkinë e Tiranës jam dëshmitar i kësaj. Nëse në Bashkinë e Tiranës nuk bashkëpunojmë me të gjitha grupimet , me grupime politike, me grupime qytetarësh, nxënësish , me grupime prindërish, bashkisë së Tiranës nuk i shkon puna mirë. Më vjen mirë që nën këtë shembull bashkëpunimi jam këtu me një mik të nderuar, ish nxënës i kësaj shkolle i cili ka ndjekur me vëmendje punën në Tiranë. Dhe sa herë që dëgjoj debatet politike, ku sigurisht kur njerëzit kanë përgjegjësi marrin përsipër edhe kritik, por e rëndësishme është që secili prej nesh të bëjë maksimumin dhe të bëjmë çmos që çdo kritikë të reflektohet dhe çdo ditë puna të ketë progres”, tha Veliaj duke shtuar se interesi i qytetarëve duhet të jetë i pari.
“Ashtu sikurse punojnë me harmoni në Bashkinë e Tiranës, pavarësisht se mund të jemi parti të ndryshme, interesi i qytetit është interesi i parë. Dhe bashkëpunimi për interesin e qytetit ka prodhuar pavarësisht diferencave që mund të kemi në bindje politike, ka prodhuar një qytet që sot është më funksional”, tha ai
Duke garantuar për vijimin e punës për ndërtimine shkollave të reja edhe në zona të tjera, kryebashkiaku Veliaj theksoi dhe rëndësinë e marrjes së vendimeve të duhura për qytetin dhe për shtetin.
“Sa herë që dëgjoni që politikanët bëjnë debate, kritika për njëri-tjetrin, duhet të kuptoni se bëhen gjithmonë për të përmirësuar punën. Kur vjen momenti për vendimet finale, ne marrim vendimet e duhura për qytetin dhe për shtetin që puna të na shkojë mbarë dhe fëmijët e gjeneratës së ardhshme të shqiptarëve të kenë kushte më të mira ,jo vetëm në Tiranë, por dhe në të gjithë Shqipërinë.
Ndërsa Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta vlerësoi transformimin që ka pësuar kjo shkollë falë Bashkisë së Tiranës. “Shumë gjera kanë ndryshuar që atëherë, kjo ka qenë një shkollë 4 vjeçare, sot është një shkollë 9 vjeçare. Ka qenë një shkollë modeste, por përsëri një shkollë e jashtëzakonshme dhe sot është një shkollë mjaft moderne falë Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Arsimit. I falenderoj për këtë modernizim të jashtëzakonshëm që i kanë bërë shkollës Kongresi i Lushnjes ku ke ndjesinë që mund të jesh në një shkollë të nivelit më të lartë evropian”, tha Meta
Një falenderim të veçantë, Kryetari i Kuvendit shprehu për kryebashkiakun Veliaj për përkushtimin e veçantë të treguar ndaj këtij projekti. “Dua të falënderoj Lali Erin për kujdesin që tregoi për shkollën “Kongresi i Lushnjes”. Disa u mërzitën se e panë me duar bosh dhe kërkuan fiq, tani unë ju siguroi që po dolët me 10 do të vijnë dhe fiqtë këtu do vijmë dhe ne prapë këtu”, tha Meta.