Ekonomia

Indeksi i Progresit Social, Shqipëria mbetet në vendin e 52 në botë, ku ecim mirë dhe ku çalojmë

Shqipëria është renditur në vendin e 52 në Indeksin e Progresit Social 2017, të publikuar sot nga “Social Progress Imperative”.

Indeksi i Progresit Social është një indeks i përbërë i treguesve socialë dhe ambientalistë që mat tre dimensione të progresit social: Nevojat bazë njerëzore, bazat e mirëqenies dhe mundësitë. Indeksi i vitit 2017 përfshin të dhëna nga 128 shtete, të bazuara në 50 tregues.

Shqipëria mbetet në vendin e 52, njësoj si në raportin e vitit të kaluar, ndërsa është më mirë se disa nga fqinjët, si Mali i Zi (në vend të 54), Maqedonia (58). Në rajon kryesojnë Kroacia (36) dhe Serbia, në vendin e 45. Bosnja është hequr këtë vit nga indeksi për shkak të të dhënave të pamjaftueshme.

I gjithë rajoni renditet në zonën me progres social mbi mesataren (Kroacia është në zonën e progresit të lartë).

Shqipëria ka rezultatet më të mira (ka marrë më shumë pikë) në treguesit e ushqimit dhe kujdesit bazë mjekësor, aksesit në njohuritë bazë, furnizim me ujë, strehim, akses në informim dhe komunikim.

Pikët më të dobëta vendi ynë i ka marrë në aksesin ndaj edukimit të avancuar, tolerancës dhe gjithë përfshirjes, lirisë personale dhe mundësive të zgjedhjes, të drejtave personale dhe cilësisë së mjedisit.

Autorë të raportit janë Michael Porter dhe Scott Stern. “Progresi social është aftësia e një shoqërie për të përmbushur nevojat themelore njerëzore të qytetarëve të saj, të krijojë bazat që lejojnë qytetarët dhe komunitetet të përmirësojnë dhe të mbështesin cilësinë e jetës së tyre dhe të krijojnë kushte për të gjithë individët që të arrijnë potencialin e tyre të plotë”, thuhet në raport.

Shtetet me progresin më të madh social në botë janë Danimarka, Finlanda, Islanda, Norvegjia, Zvicra, Kanadaja, Holanda, Suedia, Australia dhe Zelanda e Re.

Vendet nordike kryejnë listën në shumicën e indekseve që matin mirëqenien, duke konfirmuar se modeli i tyre i zhvillimit jep përparim shoqëror. Nuk është surprizë që të pesë vendet nordike janë në nivel shumë të lartë të përparimit social, por performuesit kryesorë në progresin shoqëror përfshijnë edhe vendet jo-nordike që kanë popullata shumë më të mëdha dhe më të ndryshme, si Kanadaja, Holanda, Australia, Britania e Madhe dhe Gjermania. Suksesi i tyre nxjerr në pah mënyrat e ndryshme se si vendet mund të arrijnë përparim më të lartë shoqëror.

Danimarka merr vendin më të lartë në renditjen globale të vitit 2017 me performancë të fortë në të gjithë komponentët e Indeksit. Ajo udhëheq botën në Strehim dhe të Drejtat Personale. Ajo renditet e dyta në Aksesin ndaj informimit dhe komunikimit dhe Të Drejtat Personale, dhe renditet e treta në Sigurinë Personale. Këto rezultate nuk janë të habitshme: Danimarka ka qenë prej kohësh e admiruar për politikat e suksesshme të mirëqenies sociale dhe cilësinë e jetës. Është e njohur për konceptin e saj të “hygge” ose “cilësinë e jetës së rehatshme që sjell një ndjenjë të kënaqësisë dhe të mirëqenies.” Danimarka u emërua edhe vendi më i lumtur në botë në vitin 2016.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button