Opinion
Industria e Aviacionit dhe Tarifat e Fshehura
Gjatë ndjekjes së një seance të një nënkomiteti të Senatit Amerikan, pashë justifikimet e disa ekzekutivëve të kompanive ajrore për të shpjeguar tarifat shtesë që u aplikohen pasagjerëve. Më tërhoqi vëmendjen fakti se kompanitë ajrore kishin përfituar më shumë se 12 miliardë dollarë vetëm nga tarifat për vendet e uljes në avion. Kjo shumë e jashtëzakonshme pasqyron shkallën e madhe të përfitimeve që sigurojnë kompanitë nga këto tarifa, të cilat dikur përfshiheshin në çmimin e biletës. Kjo seancë përkoi me përvojën e nje miku tim me Lufthansa, ku për dy vende në avion, për një biletë të klasit ekonomik, j’u desh të paguaje 110 dollarë shtesë për të caktuar vendet.
Industria e aviacionit është kthyer në një hapësirë eksperimentale për të gjetur mënyra të reja për të maksimizuar fitimet. Ajo që dikur ishte një biletë me gjithçka të përfshirë – vendi i uljes, bagazhi i dorës dhe ushqimi – tani është kthyer në një koleksion tarifash të veçuara. Kompanitë ajrore si Lufthansa, United, American Airlines, Spirit dhe Frontier e justifikojnë këtë qasje duke e quajtur “ofrim i shërbimeve të personalizuara”, ndërkohë që udhëtarët dhe senatorët amerikanë e konsiderojnë këtë si një taktikë për të shfrytëzuar pasagjerët.
Tarifa për zgjedhjen e vendit të uljes është ndër më të përhapurat. Edhe linjat ajrore tradicionale si Lufthansa kërkojnë pagesë për zgjedhjen e një vendi të caktuar, edhe kur udhëtari ka blerë biletën e klasit ekonomik. Për shumë pasagjerë, kjo duket e pajustifikuar, pasi vendet në avion janë tashmë të ndërtuara dhe linjat ajrore nuk përballen me kosto shtesë për t’i caktuar ato. Një nga senatorët që foli e cilësoi këtë tarifë si “fitim i pastër” për linjat ajrore dhe vuri në dukje se pasagjerët po trajtohen si “derkucë të kursimeve” që linjat ajrore i “shkundin” sa herë që duan të mbledhin më shumë para.
Praktika të ngjashme ndodhin edhe me bagazhet e dorës. Linjat ajrore me kosto të ulët si Spirit dhe Frontier kanë çuar këtë ide në një ekstrem, duke vendosur tarifa për bagazhin e dorës, përveç tarifave për bagazhin e regjistruar. Vetëm në vitin 2023, kompanitë ajrore amerikane fituan më shumë se 7 miliardë dollarë nga tarifat e bagazheve të regjistruara. Ata që nuk respektojnë përmasat e lejuara për bagazhin e dorës përballen me gjoba deri në 99 dollarë në Frontier dhe 77 dollarë në Spirit. Më e habitshmja është se punonjësit e këtyre kompanive shpërblehen me bonuse për të “kapur” udhëtarët që shkelin rregullat e bagazheve. Ky fakt shkaktoi reagime të forta në seancën e Senatit, ku një senator i akuzoi kompanitë për “ngacmimin e pasagjerëve që kanë paguar tashmë biletën e tyre”.
Shpeshherë, tarifat janë të vështira për t’u kuptuar dhe shfaqen vetëm në fazat e fundit të rezervimit të biletave. Kompanitë ajrore nuk ndalojnë me kaq. Në disa raste, është propozuar edhe tarifimi i përdorimit të banjës gjatë fluturimit. Edhe pse kjo ide nuk është zbatuar ende, vetëm përmendja e saj tregon se deri ku janë të gatshme të shkojnë kompanitë ajrore për të nxjerrë fitime shtesë. Një tjetër taktikë është tarifa për përparësi në hipjen në avion. Nëse një pasagjer dëshiron të hyjë i pari, duhet të paguajë më shumë. Po kështu, tarifat për përdorimin e Wi-Fi dhe argëtimin gjatë fluturimit janë bërë të zakonshme.
Përvoja e Shqipërisë nuk ndryshon shumë nga ajo e vendeve të tjera. Linjat ajrore që operojnë në Shqipëri shpesh vendosin tarifa edhe për check-in. Nëse një pasagjer nuk e kryen check-in online, por e bën atë në sportelin e aeroportit, ai mund të paguajë deri në 40 dollarë shtesë. Kjo politikë është e zakonshme për linjat ajrore me kosto të ulët, si Ryanair, të cilat shpesh akuzohen nga pasagjerët për “rrjepje” të udhëtarëve me tarifa të fshehura. Komentet në internet konfirmojnë pakënaqësinë e madhe të udhëtarëve ndaj këtyre praktikave.
Kompanitë ajrore argumentojnë se këto tarifa ofrojnë “zgjedhje më të mëdha” për udhëtarët. Një nga drejtuesit e United Airlines deklaroi se klientët që kërkojnë bileta të lira kanë mundësinë të zgjedhin ofertën bazë, pa shërbime shtesë. Por kjo deklaratë bie ndesh me përvojën e udhëtarëve të zakonshëm. Shpesh, një biletë që fillimisht duket e lirë, përfundon me një kosto shumë më të lartë për shkak të tarifave të vendit të uljes, bagazheve, internetit dhe përparësisë në hipje. Për këtë arsye, çmimi përfundimtar shpesh tejkalon atë të një bilete me shërbim të plotë nga një linjë tjetër ajrore.
Mungesa e transparencës është një nga shqetësimet kryesore. Udhëtarët shpesh nuk e dinë koston përfundimtare të biletës deri në fazat e fundit të blerjes. Shpesh çmimi fillestar i reklamuar nuk përputhet me atë që udhëtari përfundon duke paguar.
Për të kuptuar arsyet që qëndrojnë pas këtyre tarifave, mjafton të shohim fitimet e linjave ajrore. Ndërmjet viteve 2018 dhe 2023, kompanitë ajrore amerikane si United, American, Delta, Frontier dhe Spirit mblodhën më shumë se 12 miliardë dollarë vetëm nga tarifat për vendet e uljes. Ekzekutivi i Frontier pranoi hapur se “detyra jonë është të gjenerojmë sa më shumë të ardhura për të ruajtur rentabilitetin e kompanisë”. Ky qëndrim tregon se për linjat ajrore, fitimi është prioriteti kryesor, edhe në kurriz të përvojës së pasagjerëve.
Sot, udhëtarët duhet të përballen me tarifa për çdo gjë – nga zgjedhja e vendit deri te çanta që marrin me vete. Tarifat për bagazhet, tarifat për internetin dhe tarifat për argëtimin gjatë fluturimit janë bërë norma e re. Edhe pse kompanitë ajrore e përshkruajnë këtë si “zgjedhje për konsumatorin”, realiteti është se udhëtarët janë shpesh të detyruar të paguajnë tarifa shtesë për shërbime që dikur ishin të përfshira.
Nga nje kerkim i thjeshte ne Internet gjeta:
Ndërkohë, përfitimet e ekzekutivëve të linjave ajrore kanë shënuar rritje të jashtëzakonshme. Disa shembuj përfshijnë:
1. Ted Christie, CEO i Spirit Airlines, mori një bonus mbajtjeje prej 3.8 milionë dollarësh vetëm një javë para se kompania të shpallte falimentimin në nëntor 2023. Kompensimi i tij total për 2023 arriti në 6.6 milionë dollarë.
2. Ed Bastian, CEO i Delta, përfitoi 34.2 milionë dollarë në 2023, duke përfshirë një pagë bazë prej 950,000 dollarësh, një bonus prej 1.9 milionë dollarësh dhe një shpërblim të njëhershëm prej 20 milionë dollarësh (10 milionë në para dhe 10 milionë në aksione).
3. Scott Kirby, CEO i United Airlines, pa pagën e tij të rritet në 18.6 milionë dollarë në 2023, që përfshinte një pagë bazë prej 1,075,000 dollarësh, 10.7 milionë dollarë në shpërblime aksionesh dhe 6.6 milionë dollarë në kompensim stimulues jo-ekuitet.
4. Barry Biffle, CEO i Frontier Group Holdings, mori një kompensim total prej 8.58 milionë dollarë.
Megjithatë, pashë që senatorët amerikanë i vunë me shpatulla pas murit ekzekutivët e kompanive. Nuk është parë dhe dëgjuar ndonjëherë në Shqipëri që komisionet e parlamentit të bëjnë ndonjë mbledhje për të diskutuar, jo thjesht për abuzimet tarifore të kompanive ajrore, por në përgjithësi për mbrojtjen e konsumatorit në Shqipëri.