roze

“Inferno”, premiera në fundjavë në Firence

Regjisori Ron Howard dhe aktorët kryesorë të kastit të tij, Tom Hanks, Felicity Jones e Irrfan Khan, u kthyen në Firence ku “Inferno”, filmi i tretë i përshtatur për ekranin e madh nga romanet e Dan Brownit, do të ketë në fund të javës premierën botërore.

Shumë prej skenave të filmit janë xhiruar në ndërtesat dhe sheshet me famë të vendlindjes së poetit të madh italian, Dante Alighieri. “Inferno” ndjek një linjë të ngjashme misteri me atë të Kodit të bujshëm të Da Vinçit.

Filmi përqëndrohet te kryevepra e Dantes, “Komedia hyjnore”. Hanks, sërish në rolin e profesorit të Harvardit, zbërthen të tjera kode misterioze duke ruajtur statusin e “tipit më të zgjuar rreth e rrotull”.

Eksperti i simbologjisë ndjek një vazhdë gjurmësh të lënë prej poetit, në garën me kohën për të shpëtuar njerëzimin nga një murtajë artificiale shfarosëse. Duke folur për filmin e ri, Hanks tha se bota gjendet në udhëkryq dhe kërcënimi më i madh që i kanoset asaj është injoranca.

“Duke pasur parasysh sesi janë gjërat sot, sidomos në këtë moment kur duket se jemi në një tjetër udhëkryq në historinë e njerëzimit, mendoj se përqafimi i injorancës është më i rrezikshmi i çdo aspekti tjetër të sjelles njerëzore. Në këtë film, ideja e mbipopullimit të shtyn të mendosh se po krijojmë versionin tonë të ferrit të Dantes, të përshtatur në botën reale”, tha Tom Hanks, aktor.

Vet shkrimtari Brown sqaroi se, futja e Dantes në kornizat e profecisë dhe jo të historisë e bën rrëfenjën më interesante për publikun modern. Mbipopullimi, sipas tij, mbetet një problem serioz, mbi të cilin lipset që të hidhet dritë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button