Informaliteti: Kush nuk merr kuponin, 1000 lekë gjobë
Dënim edhe blerësit. Ndëshkimi për kasat, herën e parë gjobë, të dytën konfiskim, të tretën kallëzim
Nga Zamir Alushi
Nga sot, kujdes mos e hidhni kuponin e blerjes së mallrave, ose të kafesë së mëngjesit! Jashtë dyqanit mund të jetë një punonjës i Tatimeve, i cili ka të drejtë t’ju dënojë me gjobë. Kuponi tatimor është dokumenti i lëshuar me anë të pajisjeve fiskale apo të mjeteve të tjera elektronike me aparat shtypshkrimi. Mosmarrja e kuponit tatimor është një nga shkeljet për të cilat aksioni kundër informalitetit do të përqendrojë vëmendjen. Për të ndërgjegjësuar blerësit që të marrin këtë faturë bashkë me mallrat dhe shërbimet, administrata tatimore fillimisht do të përdorë këshillimin dhe gjobat, në një hap të mëvonshëm ka parashikuar organizimin e një lotarie kombëtare. Në bazë të ligjit për procedurat tatimore, blerësi ose përfituesi i shërbimit, i cili gjatë kontrollit në distancat e parashikuara në udhëzimin e Ministrit të Financave, nga vendi i shitjes apo ofrimit të shërbimit, nuk ka kupon tatimor, dënohet me gjobë me 1 mijë lekë.
Lëshimi i kuponit
Por, dënime më të mëdha rezervohen për tregtarët, për të cilët moslëshimi i kuponit dënohet edhe me burg. Për herën e parë, moslëshimi i kuponit dënohet me gjobë në masën 200 mijë lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin, dhe gjobë, në masën 50 mijë lekë për tatimpaguesit e tjerë. Nëse tatimpaguesi vazhdon të mos e lëshojë kuponin tatimor, për herë të dytë i nënshtrohet një gjobe në masën 300 mijë lekë nëse janë subjekte të tatimit mbi fitimin dhe 100 mijë lekë për të tjerët. Pas aplikimit të dy dënimeve me gjobë, ligji i ndryshuar nga mazhoranca e majtë më 4 dhjetor 2014, e konsideron përsëritjen evazion tatimor, përcakton si masë kallëzimin penal. Ligji parashikon edhe rastin kur kuponi i lëshuar është i pasaktë. Me ndryshimin e bërë në ligj në vitin 2011, kuponi që nuk përmban elementet e përcaktuara në këtë ligj, apo ka vlerë të ndryshme nga çmimi i afishuar, dënohet me gjobë 30 mijë lekë. Po ashtu, shitësi duhet të afishojë në një vend të dukshëm detyrimin e blerësit për të tërhequr kuponin tatimor. Tatimpaguesi që nuk e vendos këtë njoftim dënohet me gjobë 20 mijë lekë. Ndërkaq, mosafishimi i çmimeve të shitjes së mallrave apo shërbimeve dënohet me gjobë me 35 mijë lekë, për tatimpaguesit e klasifikuar si biznes i vogël dhe 65 mijë lekë për tatimpaguesit e tjerë.
Kasa fiskale
Mungesa e kasës fiskale konsiderohet kundërvajtje administrative dy herët e para, por të tretën bëhet kallëzim penal. Ligji i cili u botua në Fletoren Zyrtare më 30 dhjetor 2014, është ashpërsuar për ata që nuk pajisen me kasën fiskale. Tatimpaguesi që nuk instalon pajisjen fiskale ose sisteme të monitorimit të qarkullimit, herën e parë dënohet me gjobë 50 mijë lekë, herën e dytë i konfiskohet e gjithë sasia e mallit, ndërsa për çdo konstatim të mëpasshëm të mosinstalimit të kasës konsiderohet evazion tatimor dhe kallëzohet penalisht. Nëse e ka të prishur kasën fiskale, tregtari mund të dënohet me 40 mijë lekë gjobë.
Konfiskimi
Mallrat e pashoqëruar me dokumente tatimore do të konfiskohen menjëherë, udhëzon Task-Forcën hetimore, drejtorja e përgjithshme e Tatimeve, Briseida Shehaj. Në udhëzuesin e firmosur më 16 korrik 2015, Shehaj ndalet në përgatitjen e akt-konstatimeve për çdo rast dhe zbatimin e ligjit të procedurave tatimore referuar ndryshimeve të bëra në fund të vitit të kaluar. Tatimpaguesi, që mban në ruajtje, përdor ose transporton mallra të pashoqëruar me dokumente tatimore dënohet me konfiskim të të gjithë sasisë së mallit. Me kërkesë të tatimpaguesit, masa e konfiskimit zëvendësohet me pagesën e menjëhershme të një gjobe, të barabartë me vlerën e tregut për të njëjtin mall. Po ashtu, personi i identifikuar i paregjistruar në QKR dhe në administratën tatimore, pra nuk është pajisur me NIPT, dënohet me konfiskim të të gjithë sasisë së mallit që mban në ruajtje, përdor apo transporton. Pra, përveçse mbyllet menjëherë veprimtaria apo aktiviteti i biznesit, sekuestrohen edhe mallrat. Në këtë kuadër, Shehaj udhëzon se certifikata e regjistrimit si person i tatueshëm duhet të ekspozohet në një vend të dukshëm. Në rast se një person ushtron veprimtari në fushën e shërbimeve, i pajisur me leje apo licencë, por nuk e ka regjistruar veprimtarinë në QKR, përveç konfiskimit të materialeve, u propozohet strukturave kompetente pezullimi i autorizimit për ushtrim veprimtarie për një periudhë gjashtëmujore. Operacioni, i përgatitur pas sondazheve në terren ka identifikuar si biznese me risk të lartë, përveç sektorëve të mallrave të akcizës, edhe profesionet e lira (audituesit, ekspertët kontabël etj.).