INSTAT: 20 ndërmarrje zënë 47,3 % të eksporteve
Nisur nga volumi tregtar që ndërmarrjet kanë kryer në 2015, 20 ndërmarrjet më të mëdha zënë 47,3 % të eksporteve. Ndërkohë, përgjatë periudhës 2012-2014, numri i ndërmarrjeve më të mëdha të cilat kryejnë më tepër se 50 % të vlerës së eksporteve gjithsej është 20, referoi INSTAT në një raport të posaçëm për strukturën e eksporteve sipas ndërmarrjeve.
Në 2015, duke u nisur nga aktiviteti ekonomik ku ato operojnë, 20 ndërmarrjet e sektorit të industrisë dhe tregtisë zënë përkatësisht 44,7 % dhe 56,5 % të eksporteve të këtyre sektorëve.
Në sektorët e tjerë (përjashtuar industri dhe Tregti), 10 janë ndërmarrjet më të mëdha të cilat zënë 52,3 % të eksporteve të këtij sektori.
Në harkun kohor 2012-2015, numri i ndërmarrjeve eksportuese nga kombinimi i të dhënave të tregtisë së jashtme të mallrave me regjistrin e ndërmarrjeve ka ardhur duke u rritur. Numri i ndërmarrjeve eksportuese në vitin 2015, është 2.516 nga 2.036 ndërmarrje, që ishin në vitin 2012, duke u rritur me 23,6 %.
Sipas definicionit, ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), përgjatë këtij harku kohor zënë në grupin e ndërmarrjeve për aktivitetin eksportues, mesatarisht në vit 95,9 % të ndërmarrjeve eksportuese gjithsej.
Në vitin 2015, numri i NMVM eksportuese arriti në 2.411 ndërmarrje, duke u rritur 23,6 %, krahasuar me vitin 2012, ndërsa numri i NMVM importuese arriti në 8.723, duke u rritur 20,6 %, krahasuar me 2012.
Në vitin 2015, sipas madhësisë së tyre, ndërmarrjet eksportuese mikro (1-9 të punësuar) zënë 43,7 % të ndërmarrjeve eksportuese gjithsej, ndërmarrjet eksportuese të vogla (10-49 të punësuar) zënë 36,3 % të ndërmarrjeve eksportuese gjithsej, ndërmarrjet eksportuese të mesme (50-249 të punësuar) zënë 15,8 % të ndërmarrjeve eksportuese gjithsej dhe ndërmarrjet eksportuese të mëdha (250+ të punësuar) zënë 3,8 % të ndërmarrjeve eksportuese gjithsej.
Industria dominon eksportet
Industrisë është sektori që dominon në eksportet e mallrave. Për periudhën 2012-2015, vlerën më të madhe të eksporteve e zënë ndërmarrjet që operojnë në sektorin e industrisë (ku përfshihen aktivitetet e industrisë nxjerrëse, përpunuese, energji elektrike dhe ujë). Në vitin 2015, ndërmarrjet që operojnë në sektorin e industrisë kanë zënë 80,6 % të vlerës së eksporteve, duke u rritur me 3,9 %, krahasuar me vitin 2012. Në 2015, ndërmarrjet e mëdha zënë 53,0 % të vlerës së eksporteve të ndërmarrjeve që operojnë në sektorin e industrisë. Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme zënë 81,6 % të vlerës së eksporteve të ndërmarrjeve që operojnë në sektorin e tregtisë.
Në periudhën 2012-2015, pjesën më të madhe të ndërmarrjeve eksportuese e zënë ndërmarrjet që eksportojnë vetëm drejt një vendi partner. Në 2015, këto ndërmarrje u rritën 17,4 %, krahasuar me 2012, duke zënë 65,9 % të ndërmarrjeve eksportuese gjithsej. Në 2015, pjesa e eksporteve të ndërmarrjeve me një vend partner zë 65,9 % të eksporteve gjithsej, e ndjekur nga ndërmarrjet që eksportojnë drejt 2 vendeve partnere me 16,8 % të eksporteve.