Politika

Integrimi, Bushati-Hahn: Angazhim konkret për 5 prioritetet

Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, në një konferencë për shtyp në përfundim të takimit të Këshillit të Stabilizim-Asociimit ka deklaruar se Shqipëria mbetet e angazhuar për implementimin e 5 prioriteteve të vendosura nga BE në kuadër të procesit të integrimit.

“Po punojmë me KE për plotësimin e 5 prioriteteve që i duhen Shqipërisë për të arritur hapjen e negociatave”, ka thënë shkurt Bushati.

Shefi i diplomacisë shqiptare ka nënvizuar se krahas kësaj kërkese, të theksuar nga Brukseli, Këshilli i Stabilizim-Asociimit kërkoi vijimin e angazhimit të Shqipërisë në nivel rajonal sa i takon marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Nga ana tjetër, komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, duke iu përgjigjur interesit të mediave, ka nënvizuar se zgjedhjet lokale do të jenë një hallkë e rëndësishme në procesin e integrimit.

“Shpresoj që politikanët shqiptarë, të mësuar me retorika të forta, të qetësohen. Këto zgjedhje, sikurse në vitet e kaluara, do të monitorohen nga BE-ja. Shpresojmë që ato të jenë sipas standardeve”, ka thënë Hahn.

Sa u takon reformave, zyrtari i lartë evropian ka nënvizuar rëndësinë e fokusimit të administratës shqiptare tek cilësia e tyre dhe jo tek shpejtësia, duke i rekomanduar Tiranës zyrtare që të alternojë këta dy faktorë.

“Jam optimist se Shqipëria mund të tregojë aftësi solide në përmbushjen e 5 prioriteteve. Në fillim të vjeshtës do të kryhen vlerësimet e para dhe më pas do të shohim se si do të jetë raporti. Ne presim një progres të sinqertë”, ka thënë Hahn.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button