Interes në rritje të investitoreve kinezë në Shqipëri
Drejtori i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, Genti Beqiri vizitoi sot Panairin “Klik Ekspo Group”, ku kanë stendat e tyre biznese të mëdha vendase dhe të huaja. Ai gjithashtu zhvilloi një takim edhe me përfaqësuesit e firmave kineze, të cilët kanë shprehur interes në rritje për të investuar në Shqipëri.
Duke falënderuar “Klik Ekspo Group” për Panairin e hapur nga datat 21-25 nëntor në Tiranë, ku investitorë vendas dhe të huaj promovojnë biznesin dhe aktivitetine tyre, u shpreh se firmat kineze, por edhe të vendeve të tjera janë mëse të mirëpritura për të investuar në Shqipëri.
Përfaqësuesit e AIDA-s bënë një prezantim të potencialeve dhe burimeve të Shqipërisë tek investitorët kinezë. “Vetë pozita strategjike e Shqipërisë bën që të jemi të aksesueshem nga tregu evropian dhe ndërkombëtar. Kemi klimë shumë të favorshme, ku porti i Durrësit është porta kryesore drejt Europës për kompanitë kineze. Sa i përket energjisë hidrike kemi potencialet më të larta. Synimi ynë ështtë të tërheqim sa më shumë investitorë të huaj dhe të krijojmë klimë të përshtatshme. Ju ftojmë të investoni në agro-turizëm, energji, infrastrukturë, etj”, thuhej në prezantimin e AIDA-s.
Drejtori i AIDA-s u shpreh se, “biznesi kinez ka dy rrugë, të hapë një aktivitet në Shqipëri për tregun shqiptar e më e gjerë ose të bëhet pjesë e investimit në zonat e lira ekonomike. Këto janë dy mënyra për të shfrytëzuar portin dhe aeroportin dhe rrugët që lidhin Shqipërinë me Evropën.
Kevin Fu, përfaqësues I sipërmarrësve kinezë (Shangahai RCG Business Consultant Co. LTD(, përfaqësues I Këshillit për Promovimin e Tregtisë me Jashtë të republikës Popullore të Kinës, u shpreh se,“Firmat kineze kanë interes për tregun shqiptar dhe jo vetëm interes ekonomik, por edhe miqësor dhe këto ditë në Panair e kemi ndjerë këtë miqësi. Kina nxit korportat kineze të investojnë jashtë Kinës. Para dy ditësh morëm kontakt me amabasdëoren në Tiranë dhe ambasadorja tha se, Shqipëria është një portë për investimet kineze për të hyrë në këtë treg. Kur u bë njoftimi nga “Klik Ekspo Group” të gjitha firmat shprehën interes për të qenë këtu.
Salloni i Biznesit Kinez, në Panairin e “Klik Ekspo Group” është një mundësi më shumë për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve . Salloni Kinez i inkuadruar në katin e dytë të Pallatit të Kongreseve me 27 përfaqësues biznesi, terheq vemendjen e vizitorëve të shumtë që kanë mbushur ambjentet e Panairit.
Kevin Fu, u shpreh se, biznesi kinez e sheh Shqipërinë si vend me potenciale e kapacitete të mëdha, për bashkëpunime të reja me biznesin e investitorët kinez në sektorët të ndryshëm të ekonomisë. “Shqipëria është një portë kryesore për të hyrë në Ballkan”-tha Kevin Fu , ndërsa theksoi se, volumi tregtar mes dy vendeve është rritur por, sipas tij, ka akoma shumë mundësi për të eksploruar dhe për të rritur shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.
Duke e vlerësuar organizimin e Panairit si një mundësi të mirë për të sjellë në optikën e të huajve prezantimin e Shqipërisë si një vend me burime të shumta dhe politika fiskale ndër më lehtësueset dhe më miqësoret në rajon, kreu i Dhomës sëTregtisë së Biznesit Kinez, Kevin Fu, nënvizoi se, Shqipëria ka ende hapësira për rritjen e importit të mallrave kineze ashtu sikundër Kina ka potenciale prodhuese dhe dëshirë për të rritur investimet e kineze në Shqipëri.
Ningbo Tulip, është një ndër fabrikat e specializuara në Kinë, për prodhimin e llojeve të ndryshme të llampave ndricuese dhe atyre decorative. Përfaqësuesi i kompanisë Tulip, u shpreh se kjo fabrikë prodhon llampa që janë mjaft ekonomike për tregun dhe që janë mjat të kërkuara nga konsumatorët. “Ne ekspozojmë në këtë Panair disa nga prodhimet më të mira, të cilat janë të cilësisë së lartë dhe standarteve IS09001, kritere këto që i përgjigjen dhe tregut shqiptarë” tha përfaqësuesi i firmës kineze.
Në një nga hapsirat e konsiderueshme të Sallonit të Biznesit Kinez, janë ekspozuar me mjaft shije lloje të ndryshme kutish dhe ambalazhesh, që shërbejnë për paketimin e konfeksioneve apo dhuratave të ndryshme.
Përfaqësuesja e kompanise Ningbo Deco. LTD thotë se, ndonëse bizneset homologe kineze kanë hyrë në tregun shqiptarë prej kohës, pjesëmarrja në Panairin Ndërkombëtar të Klikut i jep mundësi për hapsira të reja bashkëpunimi me biznesin shqiptarë. Ne synojmë të shtrihemi në sa më shumë qytete të Shqipërisë, thotë ajo me të cilat po njihet në Panairin e Klikut.
Kina renditet e treta ndër vendet, me të cilat Shqipëria kryhen më shumë shkëmbimet tregtare. Kina është bërë destinacioni i tretë i prodhimeve shqiptare, ku eksportojmë 5% të mallrave tona, ndërsa gati 7% e importeve i sigurojmë nga tregu i largët. Importojmë produkte nga industrialet deri tek ato bujqësore, ndërsa eksporti ynë kryesor në Kinë janë mineralet e kromit dhe bakrit. Sot njihet nga kushdo roli aktiv që Kina ka marrë në arenën dhe organizatat ndërkombëtare në përballimin e sfidave globale.
Ndërsa 65-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, lajmotiv i prezencës kineze në këtë eveniment biznesi, sjell në kujtesë të brezave Shqipërinë që ka qenë ndër vendet e para që ka pasur dëshirën dhe vullnetin për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën.
Marrëdhëniet tradicionale, ndihma e vazhdueshme e popullit kinez për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, si dhe eksperiencat e shumëfishta të bashkëpunimit, të krijuara mes dy vendeve tona përgjatë këtyre viteve, e kanë bërë edhe më të fortë ndjenjën e miqësisë mes dy popujve tanë.
Janë pikërisht këto manifeste të biznesit që forcojnë marrëdhëniet e shkëlqyera dhe intensifikojnë bashkëpunimi, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Dinamika e këtij bashkëpunimi në dy dekadat e fundit ka njohur një marrëdhënie të re cilësore, marrëdhënie që reflekton jo vetëm zhvillimet pozitive në të dy vendet tona, por krijon hapësira edhe më të mëdha për forcimin dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi.
Politikat e qeverisë Shqiptare i kushtojnë rëndësi shumë të madhe e të veçantë, forcimit të bashkëpunimit me Republikën Popullore të Kinës dhe ka vullnetin për t’i konkretizuar këto marrëdhënie miqësore e tradicionale në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.