Investimet, Gjiknuri: Pse zgjodhëm PPP, Kalivaçi dhe Shala do balancojnë “shterimin” nga TAP
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri mbrojti sot par Komisionit për Ekonominë dhe Financat buxhetin e vitit 2018 dhe objektivat kyçe që synon të realizohen me këto para. Ai u shpreh se janë të paktën 42% më shumë fonde të parashikuar në raport me një vit më parë që kanë në thelb një qasje më strategjike karshi projekteve.
Në këtë kontekst është menduar që të përfundohen projekte kantieret e të cilëve mbeten hapur ndër vite port ë nisen edhe projekte të reja. Tiranë-Elbasan që ka një histori të gjatë zvarritjeje sipas ministrit do të mbyllet brenda vitit 2018. Në fund do të bëhet edhe një auditim për këtë rrugë e cila ka rezultuar jashtë çdo parashikimi me kostot duke pothuajse u dyfishuar në raport me planin fillestar.
Një projekt i ri që pritet të hapet është ai për Bypass-in e Tepelenës ndërkohe që do të vijohet me lotin e dytë të Korçë-Ersekë.
Partneritet publike private
Projekti 1 miliardë dollarësh që synon financimin e disa projekteve në infrastrukturë pritet që t’i japë një tjetër hov sektorit por edhe ekonomisë në tërësi. Sipas Gjiknurit këto janë projekte të qëndrueshme pasi financimet janë të mbështetura në buxhet duke mos i ekspozuar bizneset që bëhen pjesë e skemës në risqe të mungesës së aftësisë paguese.
Investimi në rrugë dhe porte është detyrues pot ë kemi parasysh se rritja ekonomike gjithmonë lidhet me një infrastrukturë më të mirë. Arsyeja e zgjedhjes së operimit me PPP duket se lidhet me faktin se Shqipëria nuk ka më mundësi të sigurojë kredi të buta nga institucionet Financiare ndërkombëtarë. Kjo vjen në kushtet kur në mandatin e parë qeveria Rama mori disa kredi nga Banka Botërore, FMN apo BERZH.
Portet dhe aeroportet
Qeveria do të asistohet nga Turqia për të ndërtuar aeroportin në Jug të vendit një ambicie kjo e deklaruar disa herë nga Kyrministri Rama. Aeroporti pritet të ndërtohet në Vlorë dhe të shërbejë si një nyje e rëndësishme me impakt direkt në turizëm. Nga ana tjetër synohet që të rritet investimi në porte të cilat do të financohet përmes kredive të buta. Ministri pohoi se do të jenë vetë portet që do të paguajnë kreditë përmes të ardhurave qe do të vijnë nga tarifat e operimit
Shterimi i efektit të gazsjellësit TAP
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dha në Komisionin e Ekonomisë edhe një alternativë lidhur me balancimin e efektit shterues të investimeve të gazsjellësit TAP. Kohëve të fundit ka pasur një theks të veçantë nga institucionet ndërkombëtare por edhe nga Banka e Shqipërisë se përfundimi i investimeve në gazsjellësin TAP dhe kaskadën e Devollit do të ulin dukshëm kontributin në ekonomi të investimeve të huaja. Ministri Gjiknuri tha se aktualisht janë dy projekte madhore në energjetikë konkretisht hidrocentrali I Kalivaçit dhe ai I Shalës që kanë të parashikuara vlera mbi 100 milionë euro secili të cilët do të balancojnë boshllëkun që do të lerë TAP në ekonomi.