Investimet strategjike, modeli ku fiton investitori, jo ekonomia
Editorial / Dhjetë vjet më parë, një nga shqetësimet kryesore për ekonominë shqiptare ishte se me çfarë do të zëvendësoheshin investimet e mëdha në energji.
Gazsjellësi TAP dhe hidrocentralet e Devollit po shkonin drejt përfundimit, ndërkohë që në kulmin e tyre, në vitin 2016, këto projekte përfaqësonin gati 60% të flukseve të Investimeve të Huaja Direkte, sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë.
Frika ishte se mbyllja e ciklit të tyre do të linte boshllëk të madh, të cilin një ekonomi e vogël dhe pak e industrializuar si Shqipëria do ta kishte të vështirë ta mbushte.
Koha tregoi se shqetësimi për sasinë nuk u materializua. Investimet e huaja jo vetëm që nuk ranë, por vijuan të rriteshin. Në vitin 2025, ato arritën rekordin prej rreth 1.6 miliardë eurosh, pothuajse dy herë më shumë se një dekadë më parë.
Por pas shifrës rekord fshihet një pyetje më e rëndësishme: çfarë lloj investimesh po tërheq Shqipëria dhe sa e ndihmojnë ato ekonominë të bëhet më produktive? Në vitin 2025, rreth 34% e Investimeve të Huaja Direkte erdhën nga blerjet e pasurive të paluajtshme.
Ky aktivitet sjell valutë në vend, mbështet ndërtimin dhe gjeneron të ardhura në momentin e transaksionit. Por ndikimi i tij afatgjatë në ekonomi është më i kufizuar.
Blerja e një apartamenti ose vile nuk sjell domosdoshmërisht vende të reja pune, transferim teknologjie, njohuri menaxheriale apo integrim të kompanive shqiptare në zinxhirët ndërkombëtarë të prodhimit.
Shqipëria nuk ka vuajtur gjithmonë për shifra. Ka vuajtur për cilësinë që fshihet pas tyre. Edhe bilanci i investimeve strategjike e dëshmon këtë.
Dhjetë vjet pas nisjes së zbatimit të ligjit, të dhënat tregojnë se shteti ka angazhuar më shumë pasuri dhe fonde publike sesa përfitimet e matshme që kanë marrë ekonomia dhe qytetarët.
Rreth 70% e projekteve strategjike janë përqendruar në turizëm, por një pjesë e madhe e tyre janë zhvillime rezidenciale me vila dhe apartamente, ndërsa projektet prodhuese dhe industriale kanë mbetur në pakicë. Efektet në ekonomi kanë qenë minimale.
Rasti i Vlorës, që ka tërhequr pjesën më të madhe të këtyre investimeve, është ilustrimi më i qartë i këtij modeli. Në vitin 2025, Vlora rezultoi ndër qarqet me treguesit më të dobët të tregut të punës.
Pjesëmarrja në forcat e punës ishte vetëm 59,2%, ndërsa inaktiviteti arriti në 40,8%. Edhe papunësia ishte më e lartë se në disa prej qarqeve kryesore të vendit.
Ky kontrast tregon kufizimin e investimeve të mbështetura kryesisht te zhvillimi i pronës. Vilat dhe apartamentet krijojnë punësim gjatë ndërtimit dhe sjellin të ardhura në momentin e shitjes.
Por, pasi përfundojnë dhe kalojnë në pronësi private, ndikimi i tyre ekonomik mund të zbehet ndjeshëm, sidomos kur përdoren si banesa të dyta vetëm për disa javë në vit.
Një hotel apo resort me aktivitet të mirëfilltë turistik funksionon ndryshe.
Ai punëson staf gjatë gjithë vitit, blen ushqime, pije, tekstile, produkte higjiene dhe shërbime nga bizneset vendase. Mbështet bujqësinë, transportin, tregtinë dhe industrinë ushqimore. Çdo natë qëndrimi krijon qarkullim të ri, taksa dhe kërkesë në ekonomi.
Tashmë që Shqipëria ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duhet të ndryshojë edhe mënyra se si vendi mendon për ekonominë dhe investimet. Tregu i përbashkët europian nuk do të jetë vetëm një burim fondesh dhe mundësish.
Ai do të sjellë konkurrencë shumë më të fortë, standarde më të larta, kontroll më rigoroz të cilësisë, rregulla mjedisore, kërkesa teknologjike dhe presion mbi kostot.
Sipas një paralajmërimi të publikuar më herët nga “Monitor”, pa masa për rritjen e konkurrueshmërisë, deri në 85% e bizneseve shqiptare mund të mos jenë të përgatitura për të përballuar konkurrencën e tregut europian.
Kjo do të thotë se modeli i mbështetur te ndërtimi, pronat dhe shërbimet me produktivitet të ulët nuk mund të jetë modeli i së ardhmes. Shqipëria ka nevojë për investime që sjellin teknologji, rrisin aftësitë e punonjësve, zgjerojnë eksportet dhe lidhin ndërmarrjet vendase me zinxhirët europianë të vlerës.
Nisur edhe nga përvoja e vendeve të tjera, afrimi me BE-në nuk duhet parë vetëm si proces politik dhe ligjor.
Ai duhet përdorur si një pikë kthese dhe transformimi për ekonominë. Investitorët duhet të vlerësohen jo vetëm nga shuma që premtojnë, por nga vendet e qëndrueshme të punës që krijojnë, pagat që ofrojnë, teknologjia që sjellin, eksportet që gjenerojnë dhe lidhjet që ndërtojnë me furnitorët vendas. Edhe mbështetja publike duhet të kushtëzohet me rezultate të matshme, jo me metra katrorë ndërtimi, apo me vlera të deklaruara në plane biznesi.
Në këtë moment vendimtar, Shqipëria nuk duhet të fshihet pas shifrave rekord dhe të vetëkënaqet me to. Duhet të shohë përtej tyre.
Sepse e ardhmja e investimeve nuk matet vetëm me sa euro hyjnë sot në vend, por me vlerën e shtuar dhe vendet e punës që krijojnë, të cilat do të shërbejnë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, ku të rinjtë do të gjejnë veten, pa marrë rrugën e largimit.
LEXONI EDHE:
Bilanci i hidhur i investimeve strategjike
Rasti i Vlorës, investimet strategjike përfituan më shumë sesa dhanë
Nga tjetërsimi i tokës te fundosja e godinave, hijet mbi investimet strategjike



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.