Qytetarët mund të vlerësojnë online shërbimet konsullore, Hoxha: Përmirësojmë së bashku shërbimin
Qytetarët do të kenë tashmë mundësinë të japin online vlerësimin e tyre për shërbimet konsullore, përmes një sistemi të ri të prezantuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ministri Ferit Hoxha bëri me dije se në çdo pikë ku ofrohen shërbime konsullore, përfshirë sportelet, sallat e pritjes, Ministrinë, përfaqësitë diplomatike dhe konsullatat shqiptare, do të vendoset një QR Code. Përmes skanimit të tij, qytetarët mund të plotësojnë një formular dhe të japin përshtypjet e tyre për shërbimin e marrë.
Sipas Hoxhës, qëllimi i kësaj nisme është identifikimi i problematikave dhe marrja e sugjerimeve drejtpërdrejt nga qytetarët, me synim përmirësimin e mënyrës dhe shpejtësisë së ofrimit të shërbimeve.
“Me një skanim të thjeshtë, qytetarët do të mund të na japin përshtypjet e tyre për shërbimin, të evidentojnë problemet apo vërejtjet e tyre dhe, mbi të gjitha, të na thonë se çfarë mund të bëjmë ndryshe, më mirë dhe më shpejt. Dhe mesazhi ynë është i thjeshtë: na tregoni çfarë nuk funksionon, na sugjeroni çfarë mund të përmirësojmë dhe ne do të punojmë për ta bërë më mirë. Sepse shërbimi konsullor nuk është thjesht një procedurë administrative. Është një pikë kontakti mes shtetit dhe qytetarit. Dhe në atë pikë kontakti, shteti duhet të jetë i shpejtë, i thjeshtë, i aksesueshëm, profesional dhe i përgjegjshëm”, deklaron Hoxha.
Nisma vjen në kuadër të përpjekjeve për ta afruar më shumë administratën me qytetarët dhe për ta përdorur vlerësimin e tyre si një instrument për përmirësimin e shërbimeve konsullore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.