Irani paralajmëron Europën, SHBA dërgon bombarduesin B-1B në bazën ajrore të MB

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit tha se vendet europiane janë paralajmëruar se do të bëhen objektiva legjitime nëse përfshihen në luftë.
“Nëse ndonjë vend i bashkohet Amerikës dhe Izraelit në agresionin kundër Iranit, atëherë do të jetë gjithashtu një objektiv legjitim për hakmarrjen e Iranit,” tha zëvendësministri i Jashtëm, Majid Takht-Ravanchi, në një intervistë për median France 24.
Ai shtoi se zyrtarët iranianë kanë qenë “duke negociuar në mirëbesim” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Ndërkohë agjencia AP tha se një bombardues amerikan B-1B Lancer mbërriti sot në bazën ajrore RAF Fairford në Gloucestershire, në Mbretëria e Bashkuar.
Kryeministri britanik Keir Starmer ra dakord më herët këtë javë të lejojë Shtetet e Bashkuara të përdorin bazat britanike për të nisur sulme mbrojtëse ndaj bazave të raketave iraniane, pasi fillimisht kishte refuzuar dhënien e aksesit.
Bombarduesi B-1, i njohur me nofkën “Bone”, është një bombardues konvencional supersonik me rreze të gjatë veprimi dhe me shumë misione, si dhe bombarduesi më i shpejtë në inventarin e Forcave Ajrore të SHBA-së, sipas kompanisë Boeing.
Nga ana tjetër Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian, bën të ditur zyra e shtypit e Putinit.
Gjatë telefonatës, Putin shprehu ngushëllimet për vdekjen e udhëheqësit suprem të Iranit, si dhe të zyrtarëve të tjerë qeveritarë dhe civilëve në të gjithë vendin, njofton Kremlini.
Putin gjithashtu përsëriti qëndrimin e Rusisë se armiqësitë duhet të ndalen menjëherë dhe se duhet gjetur një zgjidhje diplomatike, shton zyra e tij.
Nga ana e tij, Pezeshkian shprehu mirënjohje për mbështetjen e Rusisë dhe dha një raport të detajuar mbi zhvillimet në Iran, thuhet në deklaratë.
Sipas Kremlinit, të dy vendet ranë dakord të vazhdojnë komunikimin mes tyre, shkruan BBC.



