Irlanda shqyrton rritjen e ndjeshme të trupave në KFOR, ndërsa misioni paqeruajtës në Liban po mbyllet
Planifikuesit ushtarakë irlandezë po shqyrtojnë rritjen e ndjeshme të kontributit në misionin e NATO-s në Kosovë, ku tani shërbejnë rreth 13 ushtarë irlandezë, dhe në misionin e BE-së në Bosnjë, ndërsa misioni i OKB-së në Liban, me mbi 300 ushtarë irlandezë, po shkon drejt mbylljes.
Irlanda po shqyrton mundësinë e rritjes së ndjeshme të numrit të ushtarëve të saj në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, ndërsa misioni paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara në Liban po shkon drejt mbylljes graduale. Siç njofton Blic, duke iu referuar gazetës Irish Times, planifikuesit ushtarakë në Dublin po e shqyrtojnë këtë mundësi, por diskutimet janë ende në fazë të hershme dhe asnjë numër konkret nuk është konfirmuar. Në KFOR aktualisht shërbejnë rreth 13 ushtarë irlandezë.
Zhvillimi vjen pas vendimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për mbylljen e misionit UNIFIL në jug të Libanit, ku janë të angazhuar më shumë se 300 ushtarë irlandezë. Sipas raportimit të Irish Times, misioni pritet të nisë tërheqjen në fillim të vitit të ardhshëm, duke i dhënë fund pranisë gati pesëdekadëshe të Irlandës në atë rajon.
Në konferencën vjetore të Shoqatës Përfaqësuese të Oficerëve të Komanduar (RACO), oficerët ushtarakë kërkuan që qeveria të gjejë misione të reja jashtë vendit për Forcat e Mbrojtjes, duke argumentuar se një mision i ri nevojitet për rekrutimin dhe ruajtjen e personelit. OKB-ja nuk ka miratuar asnjë mision të ri paqeruajtës që nga viti 2014, ndërsa qeveria irlandeze po shqyrton edhe propozimet për një mision të ri të udhëhequr nga BE-ja në Liban, të fokusuar në trajnimin e Forcave të Armatosura Libaneze, por me një kontribut shumë më të vogël se ai i UNIFIL-it.
Krahas KFOR-it, siç njofton Irish Times, zyrtarët po shqyrtojnë edhe Operacionin Althea, misionin ushtarak të BE-së në mbështetje të autoriteteve civile në Bosnjë, ku Irlanda kontribuon me shtatë ushtarë. Rritja e kontributit në të dy misionet mund të ndodhë edhe nëse mbetet në fuqi mekanizmi i “bllokimit të trefishtë”, sepse të dy misionet kanë tashmë mandat të OKB-së.
Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes, gjeneral-lejtnant Rossa Mulcahy, tha se tërheqja nga UNIFIL-i “do të jetë sfidë për ne, sepse kemi qenë atje për gati pesë dekada. Por nuk është fundi i shërbimit tonë jashtë vendit”. Ai shtoi se Forcat e Mbrojtjes po kërkojnë sfida të reja dhe se do ta këshillojë ministren për kontributet e mundshme në misionet e ardhshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.