Bota

IS do të trafikojë terroristë në Evropë

Milicët xhihadistë të IS, sipas një informacioni të gazetave do të trafikojnë me një taktikë të re terroristë në Evropë. Talibanët në Pakistan thanë se do t’i mbështesin grupet ekstremiste.

Refugjate ne kufirin sirian me Turqine

Të maskuar si refugjatë, grupe luftëtarësh të milicisë terroriste “Shteti Islamik” (IS), të përbërë prej katër vetësh, do të pëpiqen të kalojnë kufirin me Turqinë. Këtë e bëri të ditur gazeta “Bild am Sonntag” duke iu referuar qarqeve të sigurisë.

Prej atje thuhet se do të udhëtojnë me pasaporta të falsifikuara për në Evropën Perëndimore, edhe në Gjermani. Atje komandot e IS mendohet se do të kryejnë atentate.

Njohuri të shërbimeve të fshehta

Sipas të dhënave të gazetës, shërbimet e fshehta amerikane kanë arritur të deshifrojnë komunikimin e koduar të udhëheqjes së IS për këto plane terroriste. Nga bisedat e përgjuara, shërbimet e fshehta amerikane mësuan edhe se komandot e IS në rrugën e tyre për në Evropën Perëndimore nuk duhet të përdorin avionë. Arsyeja janë kontrollet krahasueshmërisht të ashpra në aeroporte. Kurse kufirin turk e kalojnë përditë qindra refugjatë të luftës civile nga Siria. Terroristët duhet ta kishin të mundur që të përzihen pa u njohur midis njerëzve.

Autoritetet gjermane e kanë të njohur këtë skenar, shkruhet në “Bild am Sonntag”. Këtë e kanë konfirmuar qarqe qeveritare. Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme i tha agjencisë së lajmeve dpa: “Gjermania vazhdon të jetë në fokusin e terrorizmit xhihadist”. Nga kjo rezulton një rrezikim abstrakt i lartë për sigurinë e brendshme. Por aktualisht nuk ka të dhëna për planifikime konkrete për atentate.

Nga Pakistani te IS

Ndërkohë, luftëtarë radikalë nga Gjermania, sipas të dhënave të organeve të sigurisë, tërhiqen gjithnjë e më shumë nga Pakistani në drejtim të Sirisë. Shërbimet e fshehta gjermane besojnë se disa xhihadistë, të cilët para disa vitesh patën shkuar në kampe terroriste në zonën kufitare midis Afganistanit dhe Pakistanit, ndodhen ndërkohë në Siri ose rrugës për atje, bëri të ditur gazeta “Die Welt”, duke iu referuar qarqeve të sigurisë.

“Lufta civile në Siri dhe grupi terrorist “Shteti Islamik” kanë aktualisht forcë të madhe tërheqëse për islamistë të gatshëm për të luftuar”, i tha një përfaqësues i organeve të sigurisë gazetës. Sipas informacionit, aktualisht rreth 20 islamistë nga Gjermania ndodhen në rajonin kufitar midis Pakistanit dhe Afganistanit. Më parë, rreth 100 vetë patën vajtur në kampe trajnimi të rrjetit terrorist të Al Kaidas dhe grupeve të tjera.

Talibanët mbështesin IS

Talibanët e Pakistanit (TTP) u sinjalizuan grupeve xhihadiste, si IS mbështetjen e tyre. “Muxhahedinët, që luftojnë në Irak dhe në Siri janë vëllezërit tanë”, thuhej në një deklaratë të shefit të TTP, Mullah Fazlullah. “Ne (…) do t’ju ndihmojmë në çdo mënyrë, që të jetë e mundur për ne.”

Talibanët në Pakistan janë të lidhur tradicionalisht ngushtë me rrjetin terrorist të Al Kaidas.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button