Kosova

Ish-zyra politike e UÇK-së, me pllakë përkujtimore për Ditën e Çlirimit

“Në shtator të vitit 1998 këtu filloi punën zyra e përfaqësuesit të përgjithshëm politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Demaçi”, shkruhet në pllakën përkujtimore të përuruar sot pranë ish-zyrës politike të UÇK-së, nga kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Zyra politike e UÇK-së ishte vendosur gjatë kohës së luftës në shtëpinë e Avdi Paçaradës, në lagjen Tophane, të cilën e ka udhëhequr simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se “jemi këtu të shpalosim këtë pllakë, të shënojmë vendin ku kanë filluar punën përfaqësuesit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atë kohë zotit Adem Demaçi. Unë edhe në emër të Demaçit, i cili ka probleme shëndetësore, besoj që prapë të vijë dhe ta vizitojë këtë vend, ku në atë kohë së bashku me të gjtihë zotërinjtë që po i shihni këtu dhe shumë më shumë e kanë kryer një punë tepër të rëndësishme për atë kohë, të përfaqësimit politik të UÇK-së”, tha Ahmeti.

I pranishëm në shpalosjen e kësaj pllake, ishte edhe deputeti i “Vetëvendosjes” dhe ish-zëdhënësi i Demaçit gjatë kohës së luftës Albin Kurti, i cili me këtë rast vlerësoi punën e Demaçit. Ai tha se kjo ndërtesë ka shërbyer për aktivitetin e zyrës së UÇK-së dhe mbrojtjen më të madhe gjatë luftës së UÇK-së.

“Në këtë ndërtesë të vogël është bërë mbrojtja më e madhe e luftës së UÇK-së si askund tjetër dhe askush tjetër sikurse nga Adem Demaçi. Baca Adem bashkë me ne qe e ndihmuam, e përkrahëm në atë kohë, qoftë duke punuar tërë kohën në zyrë, qoftë nga qytetarët, kështilltarët dhe veprimtarët e ndryshëm të cilët kryenin detyra që i merrnin nga baca Adem i dhanë një hov të jashtëzakonshëm UÇK-së”, tha Kurti.

“Le të mos harrojmë se Demaçi e mori detyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm politik të UÇK-së në mesin e gushtit të vitit 1998 dhe e fillon mbrojtjen politike të UÇK-së përmes takimeve me politikanë vendorë dhe ndërkombëtarë dhe me gazetarë të huaj dhe shqiptarë në pikën kur UÇK-ja ishte në gjendje kritike, meqenëse diku një e treta e territorit ishte e çliruar nga UÇK-ja dhe kontrollohej nga UÇK-ja .Pikërisht atëherë baca Adem e hapi këtë zyrë, e cila gjatë vitit 1998 dhe 1999 e mbrojti Kosovën”, shtoi Kurti.

Gjatë përurimit të kësaj pllake, munguan të gjithë krerët e institucioneve të vendit dhe partive politike, duke mos përfshirë ata të Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button