ITALI – Roma forcon sigurinë kundër krimit të rrugës përreth Koloseut
ROMË, 28 gusht /ATSH-DPA/ – Për katër muajt e ardhshëm do të zbatohen masa të posaçme sigurie në zonën përreth Koloseut në Romë.
Autoritetet e kanë shpallur hapësirën përreth amfiteatrit dhe Forumeve Perandorake (Fori Imperiali) si një zonë me kontrolle të shtuara të sigurisë.
Sipas prefekturës së kryeqytetit italian, masa do të jetë në fuqi pranë këtij atraksioni të njohur turistik deri më 24 dhjetor.
Zona është ndër vendet më të vizituara në Romë.
Sipas prefekturës, problemet përfshijnë vjedhjet, grabitjet dhe shitjen e drogës, ndërsa si arsye për forcimin e masave përmenden edhe incidente të dhunshme që cenojnë rendin publik.
Rregullat e reja nënkuptojnë prani më të madhe të policisë dhe kontrolle më të shpeshta rreth Koloseut.
Synimi është rritja e sigurisë për numrin e madh të turistëve që vizitojnë këtë zonë.
Vizitorët raportojnë shpesh vjedhje kuletash dhe telefonash celularë nga hajdutët e xhepave si dhe mashtrime dhe sulme.
Një incident në fillim të korrikut shkaktoi gjithashtu reagime, kur një grup prej dhjetëra të rinjsh hodhi fishekzjarrë dhe u përlesh me policinë.
Sipas prefekturës, gjatë incidentit u dëmtua edhe një makinë policie.
Koloseu dhe zona përreth tij tashmë janë pjesë e një plani më të gjerë sigurie që qyteti i Romës po zbaton edhe në zona të tjera të qendrës.
Zona të ngjashme kundër kriminalitetit janë vendosur tashmë pranë stacionit hekurudhor ”Termini” dhe në lagjen ”Esquilino”./ /os/ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.