Izet Haxhia: Përgjigja ime për Fidel Yllin, Tritan Shehun, Bashkim Koplikun…
Izet Haxhia ka replikuar me Fidel Yllin, Bashkim Koplikun e Tritan Shehun, pas reagimeve të këtyre të fundit për deklaratën e tij, se Berisha donte të vriste Aleksandër Meksin në ’92-n.
Ai thotë se i vetmi që duhej të reagonte për këtë ngjarje, Sali Berisha, nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Ja çfarë shkruan ai:
Ka disa ditë që pas shkrimit tim në Facebook në lidhje me ‘incidentin’ e majit ‘92 me avionin e kryeministrit të kohës Meksi, janë shfaqur në media një tufë e përzier ‘ish-ash’, si të komanduar nga një qendër informimi për të hedhur poshtë atë që kam thënë.
Vetëm ‘marshalli’ si gjithmonë nuk është ndier, por si duket i ruan energjitë për nesër në parlamentin më të pastër e ‘intelektual’ që ka patur vendi ynë që nga 1921.
Të tërheq vëmendjen se asnjëri prej tyre nuk përputhet me ato që thotë tjetri, përjashtuar vetëm në një pikë, në atë që sistemin e ndriçimit e kishin dëmtuar lopët.
Po mirë ore derdimenë, të thoshit që e ka dëmtuar ndonjë elefant në ato shpërthimet e tij agresive do t’u besoja më tepër, dhe mesa di unë, nuk ka pasur ndonjëherë elefant në Shqipëri, por do thoshit të paktën që e mbanin fshehur në shtëpitë e tyre fshatarët ashtu siç mbanin dikur lopët në dhomat e gjumit për të mos i tufëzuar.. Sepse asnjë lope apo dem, sado i harbuar të jetë, nuk mund të këpusë kabllin e ndriçimit të një piste aeroporti…
Njeri thotë që ishin thyer llampat, tjetri thotë që ishte pista e dëmtuar, tjetri thoshte që kishte gjashtë muaj pa drita, tjetri thotë që e dinim që nuk kishte drita dhe u nisëm natën se u mërzitëm me Romën pa drita e ujë dhe deshëm të kthehemi në Tiranën plot drita e shkëlqim. . Por asnjeri nuk thotë që aty pati një kabllo të prerë, gjë që mund ta bëjë vetëm dora tinzare e njeriut. .
Duke parë reagimin e këtyre tipave po ju them nja dy fjalë për secilin.
Të bën përshtypje se të gjithë këta persona kanë një cilësi të përbashkët: Janë të gjithë hajduta e të korruptuar, për atë kronikanin e TVSH nuk mund të them diçka të tillë, vetëm di që ka qenë servili numër një i Zonjës së madhe të mediave, Aida Shehut ..
Fillojmë me Gajon, këtë burokrat të lartë të çdo qeverisje. Desha vetëm ta pyes: Ku i çove dhe me kë i ndave 3 milionë euro që u përkisnin OJQ-ve? Me çfarë rruge e ke bërë atë pasuri goxha të madhe që zotëron.. Mos më thuaj që e ke bërë me rrogën e dietat që ke marrë, se është njësoj sikur ajo që thua, që lopët e kane prishur ndriçimin e pistës. Vazhdojmë me ‘yllin’ që shndrit në politikën shqiptare. Ky deputet që nisi karrierën e tij nga skampist i 326, pastaj në sajë të ‘dhuratës’ që i bëri Vladimir Ibros (e di vetë t’i Fidel çfarë dhurate i ke bërë ) na kaloi në Gardë e pastaj në Drejtorinë e Ruajtjes së Personaliteteve.
Dua të shtoj se Fideli kishte kuptuar që në vitin ‘90 pa u hapur akoma ekonomia e tregut, rëndësinë e kapitalizmit që po dukej në horizontin shqiptar, dhe filloi të merrej me kontrabandën e dollarëve, biles gjatë kryerjes së kësaj kontrabante në Durrës, ka plagosur me pistoletën e punës (nga ato që mbanin stampistat e kohës poshtë mëngës së xhaketës ) një person në Durrës se donin ta mashtronin atë dhe shokun e tij. Pastaj në qeverinë e stabilitetit kaloi në ruajtje të Gramoz Pashkos, po nuk arriti të bënte para se Gramozi ishte i uritur për vete dhe nuk të linte gjë, por gjatë kësaj kohe ka një ‘meritë”, se masakroi një përdhunues të njohur në Tiranë,Vaskë Konomin, për shkak të kunatës së Mozit , Rajmonda Bulkut. Me krijimin e qeverisë, u katapultua tek kryeministri i ri Meksi, që duke shfrytëzuar butësinë e tij dhe duke përdorur emrin e Meksit, filloi të bënte para duke na hapur edhe një kafe që u bë pika e takimit të gazetarëve të ardhshëm borgjezë.
Ky Fideli që sot është bërë pasunik i madh kur shkoi me Meksin në vizitën e parë të tij në Amerikë më 22 shtator të 92-it, e jo atëherë në maj që thotë në përgënjeshtrimin e tij ndaj meje, nuk kishte kostum të vishte dhe i kam dhënë borxh kostumin tim. Unë sot nuk kam as edhe një kostum, as atë që ta pata dhënë ty o Fidel se i doli boja e u gris, ndërsa ti ‘koka’ më e madhe që ka nxjerrë Instituti i Fiskulturës bashkë me kokën tjetër, Agron Kuliçin, apo më mirë kërriçin, jeni bërë super të pasur. Ku i gjetët lekët o Fidel? Apo ngaqë t’i u bëre krahu i djathtë i Edushkës dhe ky kërreçi Lal Krosi i marshallit. Për këtë përgjigjuni popullit.
Të kalojmë tek z.Kopliku. Ky për ngjarjen nuk flet fare, se nuk ka qenë aty. Po si ka mundësi z. Kopliku që ti si ministër i Brendshëm nuk kishe dalë të prisje shefin tënd të qeverisë? Apo ishe i zënë me marshallin? Apo nuk doje ta shihje të digjej live shefin tënd që e doje aq shumë sa mezi po prisje sa t’i zije vendin.. Ndoshta ty nuk të ka ngritur në politikë njohja e vjehrrit tënd me Berishën, por që për t’u njohur njiheshin se gjithmonë të thoshte kur ndaheshit, që mi bëj shumë të fala. Por t’i nuk mund ta mohosh se ty të futi në politikë Ferit Hoti, që e kishe djalë halle dhe që ishte njeriu më i rëndësishëm i marshallit në thurrjen e rrjetit të lidhjeve dhe kuadrove të ardhshëm të PD-së nën drejtimin e udbashit famëkeq Bujar Hoxha, i cili luante e mbante lidhjet agjenturore të Berishës me patronët e tij serbë.
Thua që ke qene i persekutuar. Mos na bëj të qeshim sepse nëna juaj ka qenë shoqe e ngushtë me Nexhmije Hoxhën dhe kushërirë e Enverit… Sa për propozimin për kandidaturë për kryeminstër në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, miku juaj e ka bërë, dhe Ylli Vejsiu ka qenë ai që përcillte lojën e marshallit me kandidaturat alternative tek anëtarët e këshillit. Ti e deklarove hapur votën tënde për Meksin kur e pe që nuk kishe asnjë shans për të fituar ndaj tij. Si ministër i Brendshëm je ti që mbushe ministrinë me të burgosur ordinerë që regjimi për të mos i pasur nëpër këmbë me tre dëshmitarë të rremë, para se të mbaronin burgun ordiner, i dënonte për agjitacion e propagandë, dhe i kalonte në kampin e të burgosurve të vërtetë politikë edhe për t’i spiunuar edhe për të prishur imazhin e tyre si kundërshtar të regjimit, në sytë e popullit…
Ti si ministër krijove bandën e parë kriminale të lidhur me policinë. U largove nga posti jo për parime, por ngaqë u lodhe duke pritur që marshalli të plotësonte dëshirën e zjarrtë për te zënë vendin e premtuar prej tij, dhe klanit ku bënit pjesë. Vendin e Meksit.. Si nuk foli asnjëri prej jush se ku ndodhej ato orë të uljes së avionit marshalli?
Pse mor Tritan nuk tregon që edhe përse u mundova me insistim të lidhesha me marshallin, nuk munda ta gjej për qamet, pavarësisht se marshalli në atë orë kurre nuk largohej nga zyra. ..Apo do ta mohoni edhe këtë? Me siguri do dal Mehmet Elezi e do thotë që atë natë marshalli nuk ka qenë në shtëpinë time. Cili pilot në botë do pranonte të ulej në një pistë të pandricuar apo të ndriçuar me dritat e zisave të ushtrisë, a thua se ky avion nuk mbante në bord kryeministrin e një shteti, por po bënte zbarkimin e diversanteve apo parashutistëve në kohë lufte. Po kabllin e ndriçimit kush e preu? ?? Lopa me siguri se e ngatërroi me barin.