IZRAEL – Përplasje për rezultatin e zgjedhjeve, Herzog nis konsultimet për formimin e qeverisë
TEL AVIV, 4 nëntor /ATSH-DPA/ – Përplasjet politike në Izrael për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 27 tetorit vazhduan edhe të mërkurën, ndërsa presidenti Isaac Herzog pritet të nisë konsultimet me partitë për formimin e qeverisë së re.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se kishte përfunduar shqyrtimin e votave dhe se nuk kishte gjetur prova për parregullsi që mund të kishin ndikuar në vlefshmërinë ose rezultatin e zgjedhjeve. Komisioni bëri të ditur se kishte shqyrtuar të gjitha ankesat dhe do t’i dorëzonte rezultatet zyrtare presidentit Herzog.
Megjithatë, Amit Halevi, deputet i partisë Likud të kryeministrit Benjamin Netanyahu, dha dorëheqjen nga komisioni, duke pretenduar se rezultatet nuk mund të certifikoheshin pa u hetuar më parë akuzat për ndërhyrje të huaja në zgjedhje.
Akuzat për ndërhyrje të huaja
Debati u përshkallëzua pasi partitë arabe pothuajse dyfishuan përfaqësimin e tyre në parlament, duke siguruar 19 vende. Partia Likud e Netanyahut i akuzoi ato për manipulim të zgjedhjeve.
Në mediat izraelite u raportua gjithashtu për dyshime se Katari kishte financuar përpjekje për të nxitur pjesëmarrjen e votuesve arabë. Katari i ka hedhur poshtë këto akuza, ndërsa deri tani nuk janë bërë publike prova që t’i mbështesin ato.
Përplasjet u shtuan pasi prokurorja e përgjithshme e Izraelit, Gali Baharav-Miara, hodhi poshtë kërkesën e drejtuesit të shërbimit të brendshëm të inteligjencës Shin Bet, David Zini, për të marrë në pyetje katër deputetë arabë. Sipas saj, nuk kishte prova të mjaftueshme për një veprim të tillë.
Likud e akuzoi prokuroren se po pengonte hetimet, ndërsa ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, pretendoi se zgjedhjet ishin “vjedhur”.
Opozita reagoi ashpër. Gadi Eisenkot, ish-shef i ushtrisë dhe kandidat për të zëvendësuar Netanyahun si kryeministër, akuzoi kryeministrin dhe partinë e tij se po minonin demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
Edhe kreu i opozitës, Yair Lapid, i cilësoi akuzat si një kërcënim të drejtpërdrejtë për demokracinë dhe u bëri thirrje partive opozitare të veprojnë shpejt për krijimin e një qeverie alternative.
Herzog nis konsultimet për qeverinë e re
Presidenti Isaac Herzog do të zhvillojë takime të veçanta me përfaqësuesit e partive politike në rezidencën e tij në Jerusalem, nga e mërkura deri të enjten në mbrëmje.
Gjatë konsultimeve, secila parti do të propozojë kandidatin që duhet të marrë mandatin për formimin e qeverisë.
Sipas praktikës në Izrael, presidenti ia jep mandatin kandidatit që vlerëson se ka shanset më të mëdha për të siguruar shumicën parlamentare. Ky person nuk është domosdoshmërisht drejtuesi i partisë që ka fituar më shumë vende.
Në zgjedhjet e 27 tetorit, Likud i Netanyahut doli forcë e parë me 27 vende në parlamentin prej 120 anëtarësh. Partia e qendrës Yashar, e drejtuar nga Gadi Eisenkot, siguroi 21 vende.
Megjithatë, as blloku i Netanyahut dhe as opozita nuk arritën të sigurojnë 61 mandatet e nevojshme për shumicën parlamentare.
Eisenkot pritet të marrë mbështetjen e numrit më të madh të partive gjatë konsultimeve me presidentin, por krijimi i një koalicioni me partitë arabe për të siguruar shumicën mund të jetë i vështirë.
Pjesëmarrja në zgjedhje arriti në 77,7%, niveli më i lartë në më shumë se 25 vjet. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.