Ja 3 formularët për kompensimin e dritave, si duhet të plotësohen nga 203 mijë kryefamiljarë
Qeveria ka zyrtarizuar kompensimin me 648 lekë në muaj të rreth 203 mijë personave. Me botimin në Fletoren Zyrtare, ditën e premte, ka nisur edhe juridikisht kompensimi i pensionistëve, atyre që marrin ndihmë ekonomike, tetra dhe paraplegjikëve, të verbërve dhe buxhetorëve që marrin më pak se 35 mijë lekë në muaj.
Udhëzimi tashmë është shpërndarë në të gjitha dikasteret përgjegjëse për ndarjen e kompensimit. Por, për të marrë këtë përfitim, secila nga këto kategori duhet të plotësojë një deklaratë personale. Gazeta “Panorama” boton sot tre formularët, për të gjitha kategoritë që do të përfitojnë 648 lekë/muaj për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Bashkë me deklaratat, çdo kategori duhet të përgatisë disa dokumente që plotësojnë kushtet për kompensim. Kushti i përbashkët është që përfituesi të mos ketë të ardhura të tjera në familje. Pra, në rast se është pensionist, të mos ketë fëmijët apo gruan/ burrin në punë. Edhe në rastet kur janë dy pensionistë, vetëm njëri prej tyre e përfiton kompensimin. Kushti që përfituesi është i vetmi i punësuar vlen edhe për administratën, apo ata që marrin ndihmë ekonomike. Një tjetër kusht është pagesa e energjisë. Pra, që të marrësh kompensimin, duhet të jesh pagues i rregullt i dritave, në të kundërt, në rast se je debitor, nuk përfiton 648 lekë/muaj. “Fotokopje të librezës së energjisë, që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara”, është fjalia që përsëritet për të tria kategoritë e përfituesve. Për pensionistët procedura tashmë ka nisur. Të gjithë ata që marrin aktualisht kompensim për energjinë, marrin direkt edhe 648 lekët për rritjen e çmimit në 2015. Por brenda 3 muajsh ata duhet të plotësojnë deklaratën e re, ku të vërtetojnë se nuk kanë asnjë anëtar të familjes të punësuar dhe nuk kanë të ardhura të tjera. Kompensimi merret vetëm nga një prej pensionistëve në familje. Për ata që nuk e plotësojnë deklaratën e re deri më datë 27 prill, përfitimi do të fillojë vetëm për muajin kur bëhet deklarimi. Pra, pensionistët kanë tre muaj kohë që të plotësojnë dokumentet. Ata që i plotësojnë deri më 27 prill, marrin përfitimin edhe për muajt e mëparshëm, ndërsa ata që i plotësojnë pas kësaj date, vetëm për muajin që kanë dorëzuar dokumentet. Paratë e përfitimit do të ndahen në zyrat e postës, ku merret edhe pensioni.
UDHËZIMI I TRE MINISTRAVE KATEGORIA E PARË FAMILJET, TË CILAT TRAJTOHEN ME NDIHMË EKONOMIE, FAMILJET QË KANË NË PËRBËRJE ANËTARË ME AFTËSI TË KUFIZUAR, TË VERBËR DHE PARAPLEGJIKËT E TETRAPLEGJIKËT
1. Për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, administratori shoqëror i njësisë së qeverisjes vendore harton listën emërore të personave që përfitojnë këtë kompensim. Për përfitimin e këtij kompensimi aplikuesi, së bashku me deklaratën sipas aneksit 1 të bashkëlidhur këtij udhëzimi, duhet të paraqesë pranë administratorit shoqëror: Fotokopje të nënshkruar të kartës së identitetit Certifikatën familjare Fotokopje e librezës së energjisë elektrike, që vërteton se nuk ka detyrime pa paguar.
2. Familjarët që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar, së bashku me deklaratën sipas aneksit 1 duhet të paraqesë pranë administratorit shoqëror: a)Fotokopje të nënshkruar të kartës së identitetit b)Certifikatë familjare, që vërteton se personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar c)Për anëtarë madhorë të familjes, vërtetim nga Zyra e Punës që janë punëkërkues të papunë d) Fotokopje të librezës së energjisë elektrike, që vërteton se nuk ka detyrim të papaguar.
3. Të verbrit, paraplegjikët dhe teraplegjikët, së bashku me deklaratën sipas aneksit 1, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror: a) Fotokopje të nënshkruar të kartës së identitetit b) Certifikatë familjare c)Fotokopje e librezës së lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror ose fotokopjen e vendimit të KMCAP-it/KMVP e) Fotokopje e librezës së energjisë elektrike, që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara; Lista e hartuar nga administratori shoqëror miratohet nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore.
KATEGORIA E DYTË KRYEFAMILJARË QË PËRFITOJNË PENSION INVALIDITETI DHE PENSION PLEQËRIE
1. Së bashku me deklaratën sipas aneksit 2 bashkëlidhur, kryefamiljari pensionist/invalid duhet të paraqesë pranë agjencive lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit: Fotokopje të nënshkruar të kartës së identitetit; Certifikatën familjare për invalidët; Për anëtarët madhorë të familjes vërtetimin nga Zyra e Punës që janë punëkërkues të papunë; Fotokopjen e librezës së energjisë elektrike, që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara;
2. Kompensimi për pensionistët/invalidët realizohet nga qendra e pagesës së pensioneve, sipas gjenerimeve në portalin informatik të pagesave të pensioneve ose mbi bazën e urdhërpagesës së listuar, e cila përgatitet nga strukturat rajonale të ISSH. Dokumentimi i pagesës faktike të kompensimit bëhet një listë- pagesë e veçantë, e cila nënshkruhet nga përfituesi në emër të tij dhe nga qendra paguese/Posta Shqiptare sh.a.
3. Kompensimi i diferencës së çmimit të energjisë elektrike për shkak të heqjes së fashës së konsumit deri në 300 Kwh fillon nga data 01.02.2015 dhe i përgjigjet energjisë elektrike të shpenzuar nga data 01.01.2015. Me qëllim që gjenerimi dhe pagesa e kompensimeve në favor të përfituesve të kryhet pa krijuar shqetësime, fillimisht nga ISSH si dokumente që përcaktojnë të drejtën e përfitimit, janë të vlefshme ato dokumente, të cilat shërbejnë për dhënien e kompensimit sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr.565, datë 09.08.2006 “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike”. Rideklarimi për efekt të përfitimit të kompensimit sipas VKM nr.8/2015 dhe vlerësimi i kushteve për vazhdimin e kompensimit do të bëhet brenda 3 muajve nga fillimi i pagesave, duke bërë edhe sistemimin e efekteve financiare në rast të përfitimeve të padrejta. Përfituesit e rinj kualifikohen për përfitim vetëm pas deklarimit dhe dorëzimit të dokumenteve të përcaktuara në pikën 1 të këtij kreu. Në këto raste, e drejta e përfitimit të kompensimit fillon nga data 01.02.2015, por me kushtin që deklarimi të jetë bërë brenda datës 27.04.2015. Në raste të tjera, e drejta e kompensimit do të fillojë nga muaji që bëhet deklarimi dhe dorëzohen dokumentet.
KATEGORIA E TRETË KRYEFAMILJARËT QË JANË PUNONJËS BUXHETORË, ME PAGË MUJORE BRUTO NËN 35 MIJË LEKË NË MUAJ.
Përcaktimi i përfituesve do të bëhet nga institucionet përkatëse buxhetore, ku përfituesit marrin pagën bruto nën 35 mijë lekë. Në fillim të procesit të përfituesve dhe sa herë që ndryshojnë kushtet për përfitim, personat përfitues të këtij kompensimi, së bashku me deklaratën personale (aneksi 3), duhet të paraqesin pranë strukturës përkatëse të burimeve njerëzore: Fotokopje të nënshkruar të kartës së identitetit; Certifikatën familjare, që vërteton se punonjësi buxhetor është kryefamiljar; Për anëtarët madhorë të familjes vërtetimin nga Zyra e Punës, që janë punëkërkues të papunë; Fotokopjen e librezës së energjisë elektrike, që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara; Ky udhëzim hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.