Kosova

Ja sa para do të ketë secila ministri në 2015

Picture..-6-690x388Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për buxhetin e vitit 2015, i cili do të jetë 1 miliard e 576 milionë euro. Pas aprovimit të ekzekutivit, tani i mbetet Kuvendit të Kosovës që pas konstituivit ta shqyrtoj dhe miratoj buxhetin e vitit 2015. Me këtë rast, Kryeministri Hashim Thaçi tha se nga janari do të mundësohet edhe rritja e pagave, ashtu siç ka premtuar për çdo vit nga 25 për qind. Po ashtu, si shtoi se rritja ekonomike për vitin e ardhshëm do të jetë 4.1 për qind.

Kuvendi i Kosovës pas konstituivit të tij, punën e parë që pritet ta bëjë është ta shqyrtoj projektligjin për buxhetin e vitit 2015. Kjo pasi Qeveria e Kosovës ka aprovuar projektligjin për buxhetin e Kosovës që do të jetë 1 miliard e 576 milionë euro, apo 8 për qind me i lartë se sa buxheti i vitit 2014.

Me këtë projektbuxhet janë paraparë edhe rritja e pagave për gjithë shërbyesit civil, kompensimin e ish të burgosurve politik, veteranët e UÇK-së, si dhe vazhdimin e projekteve madhore, siç është autostrada Prishtinë-Hani i Elezit.

Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi theksoi se ky buxhet do të mundësoj zhvillimin ekonomik të vendit, investime në ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, magjistraleve tjera, siç janë ato, Prishtinë-Mitrovicë dhe ajo Orllat-Pejë, por njëkohësisht edhe rritjen e pagave për shërbyesit civil.

“Me këtë draftbuxhet ne do të bëjmë të mundur edhe mbulimin e pagesës për pagat e rritura për të gjitha kategoritë e punëtorëve të sektorit publik dhe pensionet e rritura. Ne jemi zotuar para qytetarëve për rritje të pagave për katër vitet e ardhshme për 100 për qind. Unë e ritheksoj zotimin tim se nga fillimi i vitit të ardhshëm me një vendim të Qeverisë, do të fillojmë implementimin e këtij vendimi për rritjen e pagave nga 25 për qind, për çdo vit”, tha Thaçi.

Ndërsa, duke prezantuar projektligjin për buxhetin e vitit 2015, Ministri i Financave, Besim Beqaj tha se projektbuxheti është i bazuar në kornizën makrofiskale 2015-2017.

Beqaj tha se ata presin që edhe në vitin 2015 dhe vitet në vijim, ekonomia e Kosovës do të vazhdoj me ritmet e saja pozitive të rritjes, ku vetëm në vitin 2015, norma e rritjes ekonomike pritet të jetë ndër më të lartat në rajon, me 4.1 për qind, ndërsa, mesatarja për tri vitet e ardhshme 4.3 për qind.

“Për vitin 2015 të hyrat e përgjithshme buxhetore planifikohen të jenë në nivel prej 1 miliard e 576 milionë euro, apo një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014. Në kuadër të të hyrave totale, të hyrat nga tatimet e brendshme dhe ato doganore pritet të rriten me rreth 7 për qind, ndërsa vetëm të hyrat e brendshme pritet të rriten me rreth 17 për qind. Kjo reflekton përkushtimin tonë për të fuqizuar në mënyrë të vazhdueshme Administratën Tatimore dhe për të rritur kapacitetet e saj në mënyrë që të fillohet gradualisht me një zhvendosje më domethënëse të mbledhjes së të hyrave nga kufiri në brendi të vendit”, tha Beqaj.

Sipas këtij projektbuxheti, shpenzimet e përgjithshme për vitin 2015 pritet të jenë në nivelin prej 1 miliardë e 682 milionë euro, që paraqet një rritje rreth 6 për qind krahasuar me nivelin e përgjithshëm të shpenzimeve në vitin 2014.

Beqaj shtoi se shikuar nga këndvështrimi i kategorive ekonomike, buxheti për paga do të ketë një rritje të konsiderueshme nga 487.1 milionë euro në vitin 2014, në 549.1 milionë euro në vitin 2015, konform vendimit të Qeverisë të këtij viti për rritjen e pagave për nëpunësit publik në nivelin prej 25 për qind.

Por në buxhetin e vitit të ardhshëm është planifikuar zvogëlim në kategorinë e Mallrave dhe Shërbimeve dhe komunalive, nga 255 milionë euro në vitin 2014, në 218 milionë euro në vitin 2015 apo një zvogëlim prej 15 për qind.

“Kjo bëhet me qëllim të racionalizimit të shpenzimeve operative, por që në asnjë rast nuk prek funksionalitetin e agjensioneve buxhetore, posaçërisht mirëmbajtjen e projekteve investive në infrastrukturën rrugore, arsimore, shëndetësore, mirëmbajtjen eobjekteve të administratës publike, etj”, shtoi ai.

Gjithashtu, me projektligjin për buxhetin e vitit 2015, edhe kategoria e Subvencioneve dhe Transfereve është planifikuar që të rritet nga 314.1 milionë euro sa ishte në vitin 2014, në 437.7 milionë euro në vitin 2015, apo një rritje prej 39 për qind.

Beqaj tha se kjo rritje reflekton vendimin e Qeverisë për rritjen e pensioneve për rreth 25 për qind për tërë vitin 2015, ndarjen e 11 milionë eurove për ish të dënuarve politik, 24 milionë euro për veteranët e luftës dhe rritja për subvencionimin e sektorit të bujqësisë, nga 11.8 milionë euro sa ishin në vitin 2014 në 53.6 milionë euro në vitin 2015.

Kështu, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka rritje në buxhetin e vitit 2015 për rreth 32.3 milion euro, Ministria e Shëndetësisë ka rritje për rreth 2.2 milion euro, që kryesisht reflekton reformën në sektorin e Shëndetësisë, duke përfshirë edhe implementimin e Ligjit për sigurimet shëndetësore ku janë planifikuar 10 milionë euro në formë të kontigjencës në Ministrinë e Financave, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në sektorin e arsimit, në vitin 2015 është rritur granti specifik për arsim prej 10 milionë euro dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka rritje për rreth 79.3 milionë euro për të mbuluar vendimin e qeverisë për rritje të pensioneve, për implementimin e skemës për ligjin për ish të përndjekurit politik dhe pjesa tjetër është planifikuar për rritjen natyrale të përfituesve të skemave sociale dhe pensionistëve.

Me buxhetin e vitit 2015, rritje ka përfituar edhe sektori i drejtësisë, siç janë Ministria e Punëve të Brendshme me një rritje prej 9.0 milionë euro, Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka një rritje prej 3.0 milionë euro, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka një rritje prej rreth 0.7 milionë dhe Prokurori i Shtetit ka një rritje prej rreth 0.2 milionë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button