Jahjaga në terren, viziton pesë komuna
Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga, së bashku me drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomik Amerikane dhe Odës Ekonomike Gjermane, do të zhvillojë vizita në disa komuna të Kosovës, me qëllim të përkrahjes së zhvillimit ekonomik lokal dhe përkrahjes së investimeve të huaja në vendin tonë.
Siç njoftoi kabineti presidencial, Jahjaga sot do të vizitojë komunat e Klinës, Istogut, Pejës, Deçanit dhe të Junikut.
Në një deklaratë bërë për media, para fillimit të vizitave, Presidentja Jahjaga tha se “në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Ekonomike Amerikane dhe Odën Ekonomike Gjermane, kam vendosur të fillojmë vizitat nëpër komuna të Kosovës për të nxitur një dialog të nevojshëm dhe të munguar për zhvillimin ekonomik, punësimin dhe investimet e huaja”.
“Është tashmë e qartë që zhvillimi ynë ekonomik varet nga krijimi i një klime të favorshme investimi, pa pengesa administrative, me sundim të fortë të ligjit dhe konkurrencë të barabartë. Vizita ime së bashku me Odat ekonomike ka për qëllim adresimin e drejtpërdrejtë të këtyre pengesave për të ndihmuar bizneset që të depërtojnë në Kosovë, në përpjekje për të ulur papunësinë dhe për të ngritur kualitetin e jetës në Kosovë”, u shpreh Jahjaga.
Gjatë tërë mandatit tim, vijoi ajo, e kam adresuar zhvillimin ekonomik në mënyra të ndryshme, prej komunikimeve të drejtpërdrejta me investitorë të huaj e deri te inicimi i partneriteteve strategjike.
“Megjithatë, na duhet t’i adresojmë me urgjencë edhe problemet në nivelin komunal sepse pa i tejkaluar këto sfida është e vështirë të sjellim investitorë në Kosovë. Unë jam e përkushtuar të kontribuoj deri në ditën e fundit të mandatit tim për të krijuar një ambient të favorshëm për investime. Pikënisja është Rrafshi i Dukagjinit dhe unë besoj dhe shpresoj që deri në fund të muajit do t’i përmbyllim me vizita shumicën e komunave të Kosovës”, u shpreh Jahjaga.
Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës në fjalën e tij tha se “të fillosh vitin e ri kalendarik 2016 me një mbështetje nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Jahjaga që vërtet prioritet ta ketë zhvillimin ekonomik është më e mira që mund t’i ndodhë Kosovës. Është një aktivitet që e promovon një impakt të mirëfilltë publiko privat, është një motivim për sektorin privat dhe është një dëshmi se në Kosovë prioritet i prioriteteve duhet të jetë zhvillimi ekonomik, dhe në qoftë se ky prioritet ka mbështetjen nga Presidentja Jahjaga, atëherë vërtet për ne si përfaqësues të biznesit është një lehtësi, motivim dhe një dëshmi që Kosova ka ardhmëri dhe zhvillimi ekonomik duhet të jetë prioritet”.
Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka theksoi se “qëllimi i kësaj vizite është që këtë dokument të cilin bashkërisht tri Odat e kanë përgatitur duke i identifikuar çështjet me të cilat bizneset përballen nëpër komuna të ndryshme, ta diskutojmë bashkë me kryetarët e komunave dhe t’ju bëjmë edhe atyre me dije që ata kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes në nivel komunal”.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi, tha se “kjo është një iniciativë shumë e mirë që ka gjetur përkrahjen edhe nga ana e Odës Ekonomike Gjermane. Do të shohim komunat se ku mund të përmirësojmë gjërat dhe me çfarë ballafaqohen konkretisht”.