Jahte, avionë dhe para: të pasurit zbulojnë telashet e Instagram-it
Mburrja me paratë në median sociale i bën të pasurit e botës një shënjestër e lehtë për mashtruesit, por edhe për hetuesit financiarë. Zbuloni botën plot telashe të të pasurve
Nga fotot e vetes duke shëtitur në superjahte deri te postimet në avionë privatë, të rinjtë e pasur e kanë tërhequr zilinë dhe vëmendjen botërore duke u mburrur për stilin e jetesës së tyre në median sociale.
Por këta fëmijë të pasur të Instagram-it në mënyrë të pavetëdijshme po zbulojnë asetet e fshehta të prindërve të tyre dhe po zbulojnë marrëveshje biznesi që ofrojnë prova për hetuesit të ngrijnë apo sekuestrojnë asetet që vlejnë miliona dollarë dhe që kriminelët të mashtrojnë familjet e tyre.
Firmat kryesore të sigurisë kibernetike thonë se po përdorin prova nga media sociale në 70% të rasteve të tyre të hapjes së një çështjeje gjyqësore, që variojnë nga divorcet miliardere te mosmarrëveshjet për asetet midis oligarkëve. Aktiviteti online i trashëgimtarëve të tyre shpesh ofron mjetet për të kaluar masat e sigurisë nga familja.
Oisín Fouere, drejtor menaxhues i firmës K2 Intelligence në Londër, tha se media sociale po shton thirrjet që përdoruesit të postojnë çdo të re për veten. Në një rast të fundit, një nga personat nën hetim kishte pretenduar se asetet e tij nuk kishin vlera të rëndësishme, derisa hetuesit zbuluan një postim në median sociale nga një prej fëmijëve të tij, që zbulonte se kishte një jaht 25 milionë dollarësh në Bahamas.
Daniel Hall, drejtor global i forcave të përmbarimit gjyqësor në Burford Capital, tha se njerëzit që ata investigonin në raste të tilla ishin paksa të vjetër për të përdorur Instagram-in, Facebook-un dhe Twitter-in, por fëmijët, punonjësit dhe partnerët e tyre shpesh i përdornin këto mjete. Firma së fundmi ia doli të sekuestrojë “një avion privat të sapomarrë” në një rast mashtrimi, sepse një prej të dyshuarve kishte një djalë në moshën 30-vjeçare që postoi një fotografi në Instagram ku ai dhe babai i tij qëndronin përballë një avioni.
“Ky është lloji i skenarit xhekpot që shpresojmë”, – tha Hall.
Rëndësia në rritje e medias sociale në hapjen e çështjes penale u ilustrua së fundmi nga reperi 50 Cent, i cili u urdhërua nga një gjykatë në Konektikat muajin e shkuar të shpjegojë një foto në Instagram ku ai qëndronte i rrethuar nga kartëmonedha 100 dollarëshe dhe kishte shkruar “trokë”, disa muaj pasi kishte kërkuar të shpallte falimentin. Reperi pretendoi se paratë ishin false.
Hall, një ish-avokat i kthyer në hetues korporatash, thotë se shumica e hetimeve ishin më komplekse dhe përfshinin përdorimin e medias sociale për të krijuar një hartë të bizneseve të të dyshuarve. Për shembull, ata shpesh përdornin të dhënat e postimeve në Instagram për të identifikuar vendndodhjen e tyre ose përdornin një “pëlqim” në Facebook ose gjurmonin sinjalin.
Ai thotë: “Mund të fillosh të ndërtosh një profil të individit: ku është, çfarë interesash ka, me kë kontakton rregullisht”.
Një nga çështjet e mashtrimit të Halls përfshinte shefin ekzekutiv dhe aksionerin më të madh të një banke ruse të falimentuar. Avokati i tij argumentoi se çështja nuk duhej gjykuar në Britani, sepse ai nuk e kishte vendbanimin aty. “Pjesë të provave që përdorëm ishte media sociale, që tregonte se anëtarë të familjes dhe ai vetë jetonin dhe punonin vazhdimisht në Britani, ndaj çështja duhet të gjykohej aty”, shpjegon hetuesi Hall.
Hetuesit mund të përdorin shpesh mjete kërkimi të vendndodhjes, si për shembull Geofeedia, që u jep atyre mundësinë të krijojnë një fushë gjeografike rreth një ndërtese të caktuar dhe të mbledhin të gjitha postimet që dalin prej atyre në kohë reale.
Andrew Beckett, drejtor i sigurisë kibernetike dhe hetuesve në Kroll, thotë se firma zbuloi miliona dollarë pasuri të fshehura në një rast divorci vitin e shkuar, duke monitoruar vendndodhjen e postimeve të fëmijëve në median sociale. Gjykata vendosi që burri t’i jepte gruas 30 milionë dollarë, por ai pretendoi se nuk i kishte kaq para.
“Ne monitoruam median sociale, veçanërisht të fëmijëve të tyre, që ishin në moshën 20-vjeçare dhe zbuluam se shumë postime vinin nga të njëjtat vendndodhje”, thotë Beckett. “Duke kontrolluar regjistrin dhe burime të tjera zbuluam disa prona që ishin regjistruar në emër të këtij personi. Kështu mundësuam që gjykata të kishte në dorë një sasi pronash me vlerë 60 milionë dollarë, që u ngrinë derisa ai t’i paguante gruas sasinë që e kishin urdhëruar”.
Beckett tha se zbulimet e pasurisë në rrjetet sociale nga fëmijët e pasur po i vinin familjet e tyre në qendër të vëmendjes së mashtruesve kibernetikë. Rasti më i fundit i hetuar prej Kroll ishte mashtrimi i një kompanie private që vlente 250 milionë dollarë.
Një trashëgimtareje iu piratua adresa e email-it, sepse kishte si fjalëkalim emrin e qenit që e postonte vazhdimisht në median sociale. Kur shkoi me pushime, hakerët i çuan fatura firmës së familjes me vlerë 900,000 dollarë, të cilat u paguan përpara se krimi të kuptohej.