Ekonomia

Jahtet, konkurrenca e fortë që vjen nga Mali i Zi

Edhe pse gati tre vjet më parë u hoq moratoriumi i mjeteve lundruese, Shqipëria ende nuk po arrin dot të përfitojë nga një prej industrive më luksoze në turizëm, siç është ai nautik dhe më saktësisht i jahteve. Statistikat e sakta për ankorimin e jahteve në portet shqiptare mungojnë. Në Portin e Durrësit gati një vit më parë për periudhën janar–shtator, numri i jahteve që u ankoruan ishte 209.

Mali i Zi është konkurrenti i drejtpërdrejtë. Ky vend ka një marinë jahtesh luksoze dhe që kthehet shpesh në “shtëpinë” e miliarderëve, njerëzve të botës së modës, financës së lartë, kinematografisë, politikës etj. Një nga pengesat kryesore që e ka mbajtur vendin tonë larg këtyre parametrave është se portet tona nuk përmbushin standardet si dhe kanë mungesë të faciliteteve (bare, restorante, hotele, kazino etj.)

Pronarët e jahteve që kanë vizituar si Shqipërinë ashtu edhe Malin e Zi shprehen se këto vende ofrojnë lundrim të sigurt si dhe tranzitim drejt Greqisë dhe Greqisë. Faqe si Mischief apo Jimbsail që zotërohen nga të pasionuar pas lundrimeve me jaht shprehen se të dy vendet ofrojnë një sërë avantazhesh ku më kryesoret janë ato që kanë të bëjnë me tarifimin.

Jimbsail shkruan se gjatë vitit të kaluar, Mali i Zi uli ndjeshëm tarifat e ankorimit. Kështu një jaht 12 metra i gjatë mund të paguajë 24 euro për qëndrim një javë, 70 euro për një muaj dhe 220 për një vit. Kësaj i shtohet kostoja e ulët e jetës dhe çmimi i ulët i karburantit (0.75 euro për litër).

Portet e Malit të Zi vlerësohen të denja për të pritur jahte me qëndrim një ditor apo më të gjatë. Afër Tivarit gjendet Porto Montenegro që,është i zhvilluar me të gjitha shërbimet e marinës dhe i aftë të mbajë edhe superjahtet.

Shqipëria edhe pse rendit një sërë portesh (gjashtë), shkruan Jimbsail, nuk mundësojnë qëndrime të gjata, duke qenë se mungojnë facilitetet. Tarifat për futjen në port llogaritën në rreth 50-70 euro. Pronarët e Mischef, gjatë vizitës në Shqipëri e më saktë në portin e Orikumit shkruajnë se në Shqipëri, trajtimi i jahteve është i njëjtë me ato të anijeve të tjera, kur duhet të jetë i veçantë, më së shumti për sa i përket tarifave. Mungon infrastruktura, ndaj sugjerohet që jahtet të furnizohen me karburant dhe ujë të mjaftueshëm gjatë qëndrimit në këtë destinacion.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button