Janis Ikonomu: Sekretet e burrit që flet 32 gjuhë
Nga Christoph B. Schiltz*
Një ndërtesë gri në “Rue de Genève”, në katin e shtatë, dhoma 07/01 në Bruksel. Në ekranin e kompjuterit të 49-vjeçarit, Janis Ikonomu, gjenden kontratat e tij të punës, të shënjuara me ngjyra të ndryshme. Gjatë dy javëve të ardhshme, ai duhet të përkthejë dy tekste voluminoze me përmbajtje ligjore nga frëngjishtja e gjermanishtja, në greqisht. Kjo është në fakt ca e bezdisshme, por: “ky është kontributi im për Europën”, thotë ai në një gjermanishte perfekte.
Interesante janë sidomos tri detyra: Komisioni Europian ka nevojë me urgjencë për përkthimin e dokumenteve konfidenciale nga gjuhët hebraike, kineze dhe azere. Këtë mezi e arrijnë shumë pak nga 2500 përkthyesit që ndodhen në BE. Ikonomou është më i miri nga të gjithë. Ai flet 32 gjuhë thuajse rrjedhshëm, e ndër to edhe disa gjuhë të vdekura tashmë, të cilat ai vijon t’i zotërojë pasivisht. Atë çka arrin koka e tij, ndoshta nuk ka gjasa ta hasësh të dytë në mbarë botën. Si mundet që një njeri të zotërojë kaq shumë gjuhë? Dhe si jeton ai me këtë?
Ikonomut të tilla pyetje i duken “qesharake”. Ai nuk ia ka bërë kurrë vetes ato. Dhe nuk e di nëse me zotërimin e 32 gjuhëve, mund të hysh në librin e rekordeve “Guinness”. Në fillim ishte kureshtja. “Kjo është edhe fjala kyç për jetën time”. Në plazhin e Kretës, Jani i vogël dëgjonte zërat e huaj të turistëve, por ai nuk kuptonte dot gjë. Ai nuk luante futboll, nuk rrihej me shokët, e shumica e lëndëve në shkollë i jepnin bezdi. Ai më mirë do e gjente veten të zhytur në një botë fjalësh të panjohura.
Nga qejfi mësoi edhe suahili
Në moshën pesëvjeçare ai mësoi anglisht, shtatë vjeç zotëronte gjermanishten (“zonja Rosi, një gjermane në Kretë, ishte ajo që ia kishte mësuar”), e në moshën dhjetëvjeçare mësoi italishten (“një shok shkolle ia nisi ta mësonte, e unë – thotë ai – doja të isha më i mirë se ai”), në moshën 13-vjeçare rusishten (“më pëlqente Dostojevski, thotë”), 14 vjeç, mësoi gjuhën suahili, një dialekt nga gjuhët afrikanolindore (“thjesht nga qejfi”) dhe 16 vjeç mësova turqishten.
“Nuk doja të kisha armiq, doja të flisja me to”. Në Greqi në atë kohë nuk kishte libra për mësimin e turqishtes. “Prindërit e mi gjetën zonjën Aishe, një arkitekte e emigruar nga Qiproja Veriore. Ajo ishte shumë kërkuese”. Por nuk është vetëm kjo kureshtje, që e ka bërë Ikonomun një të marrë pas gjuhëve të huaja. Edhe inteligjenca e tij, që i ka siguruar anëtarësinë në klubin ndërkombëtar të të talentuarve “Mensa”, nuk mjafton për ta shpjeguar këtë fenomen.
“Shokët e mi dëgjonin të gjithë të njëjtat këngë greke dhe hanin sufllaqe. Kurse unë doja t’i rrëshqisja sufllaqeve, kulturës sime, rrënjëve të mia. Unë isha e kundërta e Odiseut”. Kështu Ikonomu udhëton gjithnjë ndër gjuhë e kultura të kësaj bote. Deri më sot. Pas turqishtes, ai mësoi arabishten, u bë sufist, një ndjekës i mistikës islame. “Rregullat e një gjuhe janë pikënisja për mua. Unë dua të kuptoj gjithçka; të ngrënët, muzikën, fenë, dramën e një populli”. Pasoi një hop madhor: Ikonomu papritur u ndje i mahnitur nga India, studioi urdu, hindi dhe sanskritisht. Ai për 18 vjet me radhë ishte një vegjetarian rigoroz dhe jetonte sipas rregullave hindu.
Sot ai nuk beson në asnjë perëndi
“Por nëna ime u çmend, e nisi të thoshte: ‘Mjaft tani me këtë muzikën indiane. Dhe përse duhet të hash me gishta?’ Prindërit e mi më kanë mbështetur gjithmonë, por tashmë boll ishte boll. Ndonjëherë mendoj se ata do të kishin qenë më të lumtur, nëse do kisha qenë një njeri fare normal e të dëgjoja pop-in grek”. Megjithatë, Janis vijoi me të tijën. “Dikur më pas m’u bë e qartë: Ti nuk do të bëhesh kurrë një hindu i vërtetë”. Sot Ikonomu nuk beson në asnjë Zot, ha mish e përdor pirunin e thikën e ndonjëherë pi edhe alkool. “Rëndësi ka të bësh gjëra të mira”, thotë ai.
Ikonomu flet 21 nga gjithsej 24 gjuhët zyrtare të BE-së. “Lituanishten e ka harruar sërish, ndërsa për të mësuar galishten e maltezen, thotë se s’ka pasur kohë më në dispozicion”. Por ai nuk kupton vetëm gjuhët moderne, por edhe disa nga ato të vjetrat. Latinisht po që po, por edhe gotishten, gjuhën maja, irlandishten e vjetër dhe persishten e vjetër. Dizertacionin, Ikonomu e shkroi në Harvard, ku trajtoi një tekst të vjetër të profetit Zarathustra, që u përmblodh në gjuhën avestite, një dialekt zbavitës i persishtes së vjetër.
“Gjuha është si dashuria”, thotë ai. “Nëse ti dashurohesh me dikë, do ta njohësh edhe gjithë historinë e tij, të takosh prindërit e tij, të vizitosh shkollën ku ai ka mësuar. Një gjuhë për mua nuk është vetëm e tashmja, por edhe e shkuara”. Para pak kohësh, Ikonomu bëri edhe një zbulim. Ai zbuloi se fjala “shiu” në të gjitha gjuhët sllave rrjedh nga persishtja e vjetër. “Kjo gjë më ka mahnitur aq shumë, saqë kam folur me kënaqësi me dikë rreth saj. Unë mund të flisja po me aq kënaqësi e zell edhe për shkrimet e vjetra maja në muzeun e qytetit të Meksikos, apo rreth mësimeve të mbretit Dareios, i cili jetoi 500 vjet para Krishtit. Vetëm se nuk më dëgjon kush. Ndonjëherë ndihem i vetmuar, por kjo punë është thjesht kështu”.
Katër-pesë orë gjumë mjaftojnë
Megjithatë, Ikonomu nuk është i vetmuar. Ai ka miq dhe familje. Ai është i martuar me një grua me emrin Tomek, që vjen nga Polonia. “Unë nuk jam idiot. Kam miq të cilët as që i kanë dëgjuar ndonjëherë fjalët gotik apo sanskritisht. Ne dalim me njëri-tjetrin e zbavitemi”. Por dikur, kur miqtë largohen e Tomek rri në shtrat, Ikonomu zhytet në botën e tij. Para kompjuterit të tij ai sheh kanale televizive hungareze apo kineze, gjithçka që ndodh në atë moment. Çaton me orë në rusisht, turqisht, bullgarisht, apo me ndonjë etiopian që flet gjuhën amarike.
Kjo punë ndodh çdo natë. Rreth orës katër të mëngjesit, Ikonomu shkon në shtrat e fle katër deri pesë orë. Kjo nuk është e mirë për shëndetin e tij. “Por kështu unë qëndroj i lidhur me gjuhët. Nuk më duhet të shfletoj vazhdimisht fjalorët, s’jam më nxënës. Unë jam dikushi që i përdor gjuhët në jetën reale”.
Metoda: Përkushtim total
Për Ikonomun, së pari janë dokumentet zyrtare, të cilat duhet t’i përkthejë, dhomat mbarëbotërore të çatit, televizioni në internet, programet radiofonike në iPod. Ai i dëgjon ato në mëngjes dhe në mbrëmje rrugës për në punë, gjithnjë në gjuhë të ndryshme. Për momentin ai po dëgjon në kinezisht. “Pikërisht kjo është shumë e rëndësishme për mua”. Komisioni Europian po i kërkon gjithnjë e më shumë përkthimet e tij nga kinezishtja. Në zyrë gjendet një tabelë mësimore me karakteret e shenjat kineze të shkrimit. “Gjuha kineze është gjuha ime e preferuar. Ajo është totalisht e ndryshme, mali e Everestit për europianët”. Në Kinë ai ka qenë disa herë. Çdo herë që shkon atje, ai mëson më shumë. Kostot ia paguan komisioni. Zakonisht. Në disa vende, gjuhën e të cilave ai e flet, përkundrazi, Ikonomu akoma nuk ka qenë. Në Etiopi apo në Kongo për shembull. “Unë thjesht nuk kam kohë”.
Tashmë ai do të mësojë edhe shqipen
Tashmë ai do të mësojë edhe shqipen. Vendi prej pak kohësh është kandidat për në BE. “Unë kam nevojë gjithnjë për një ngacmim”, thotë ai. Synimi i tij: Në tri muaj të arrij të kuptoj lajmet në gjuhën shqipe. Ai nuk ka nevojë për një fletore fjalori. Ai përdor fjalorë elektronikë – dhe gërmon në internet në gjuhën e re. “Përqendrohem me muaj të tërë vetëm te shqipja, mësoj fjalët, bëj lidhje diagonale, i memorizoj ato dhe i përdor në çat menjëherë, apo gjatë leximit të gazetave.” A ka ndonjë emër për metodën e tij? “Përkushtimi total”, thotë ai.
Marrë nga “Die Welt”