Java Kulturore Spanjolle sjell në Tiranë filmin e vlerësuar “Një shtëpi në flakë”
Kinematografia spanjolle, e njohur për rrëfimet origjinale dhe aftësinë për të ndërthurur humorin me dramën njerëzore, vjen në vëmendjen e publikut shqiptar në kuadër të Javës Kulturore Spanjolle.
Në kuadër të kësaj jave, do të shfaqet filmi “Një shtëpi në flakë” (Casa en flames), me regji të Dani de la Orden, një prodhim që sjell në ekran marrëdhëniet familjare, pritshmëritë dhe kontradiktat njerëzore përmes një rrëfimi sa humoristik, aq edhe emocional.
Filmi ndjek historinë e Montses, e cila mezi pret të bashkojë familjen për një fundjavë në shtëpinë e saj në Cadaqués, në Costa Brava. E divorcuar prej kohësh, me ish-bashkëshortin që ka nisur një jetë të re dhe fëmijët tashmë të rritur e të përqendruar në botën e tyre, ajo është e vendosur që ky takim të jetë i përsosur. Por dëshira për të realizuar këtë ëndërr familjare do ta çojë drejt situatave të papritura dhe vendimeve ekstreme.
“Një shtëpi në flakë” është një prej produksioneve të vlerësuara të kinematografisë spanjolle, duke fituar Çmimin Goya 2024 për Skenarin më të Mirë Origjinal, Çmimin e Publikut Forqué dhe disa çmime Feroz, krahas nominimeve në çmimet Gaudí dhe Platino.
Përmes këtij filmi, adhuruesit e kinematografise kanë mundësinë të njohin më nga afër një prej tipareve dalluese të kinemasë spanjolle: aftësinë për të trajtuar tema universale përmes personazheve komplekse, dialogëve të gjallë dhe një gjuhe filmike që ndërthur argëtimin me reflektimin.
“Casa en flames” shfaqet mbrëmjen e sotme, në Qendrën e Artit “Agimi”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.