Miratohet projekti për Enciklopedinë mbi konceptet komuniste, ISKK-ja ende në godinë me qira
Në diskutimin e buxhetit të vitit 2027 u miratua projekti i ISKK-së për Enciklopedinë mbi konceptet komuniste, ndërsa instituti vijon të punojë në një godinë me qira, pa një seli të qëndrueshme.
Në diskutimin e buxhetit të vitit 2027, siç njofton Shqiptarja.com, u miratua projekti i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK) për “Enciklopedinë mbi konceptet komuniste”. Vëllimi i parë i saj do të përfshijë konceptet dhe terminologjinë e përdorur nga propaganda, kultura totalitare dhe arsimi.
Buxheti i ISKK-së rritet me 20 milionë lekë krahasuar me vitin 2025, duke arritur në 100 milionë lekë. Fondet shtesë do të shkojnë për rritjen e pagave të specialistëve dhe për zhvillimin e Enciklopedisë.
Në vitin 2026 institucioni përfundoi 100 zërat e parë për vëllimin e parë të Enciklopedisë, ndërsa këtë vit vijon gjithashtu projektin e identifikimit të personave të persekutuar nga komunizmi.
Drejtuesi i ISKK-së, Çelo Hoxha, tha se institucioni ende punon në një godinë me qira dhe nuk ka një seli të qëndrueshme, edhe pse prej vitesh ka kërkuar një godinë në dispozicion të tij. “Është çështje ligjore e këtij institucioni. I kemi adresuar të gjitha institucioneve për një godinë në dispozicion të institucionit. Këtë vit, dhe vitin e ardhshëm, kemi godinë me qira,” u shpreh Hoxha.
Hoxha tha gjithashtu se projektet duhet të marrin nga shteti atë që meritojnë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.