Javët Kulturore Ndërkombëtare, Pagu sjell në Tiranë traditat dhe trashëgiminë kroate
Ngjyrat, ritmet dhe traditat e qytetit kroat të Pagut mbërritën sot në zemër të Tiranës, duke sjellë për publikun shqiptar një pjesë të trashëgimisë së pasur kulturore të ishullit kroat.
Në sheshin “Skënderbej”, artistët nga Pagu zhvilluan një performancë festive me muzikë dhe valle tradicionale, të shoqëruar nga kostumet folklorike, ndërsa më pas vijuan me një marshim drejt sheshit “Nënë Tereza”.
Aktivitetet zhvillohen në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare dhe synojnë të krijojnë një urë të re shkëmbimi kulturor mes Shqipërisë dhe Kroacisë, përmes muzikës, folklorit, artizanatit dhe gastronomisë.
Një delegacion prej rreth 25 artistësh do të prezantojë në Tiranë traditat shekullore të qytetit përmes Shoqatës Folklorike Družina, grupit të klapës Galijota dhe artizaneve të dantellës së Pagut.
Aktiviteti nisi me një marshim nga Hotel Mak Albania drejt sheshit “Skënderbej”, ku u zhvillua një flash mob 15-minutësh, duke sjellë ritmet dhe energjinë e Pagut në zemër të Tiranës. Ndërsa mbrëmja kulmoi në Universitetin e Arteve me prezantimin e qytetit të Pagut dhe koncertin “Nga Kroacia me dashuri”, ku publiku pati mundësinë të njohë nga afër muzikën, vallet, kostumet, zakonet dhe produktet autentike të këtij qyteti.
Përmes këtij aktiviteti, Pagu prezantohet jo vetëm si një destinacion me vlera të veçanta turistike, por edhe si një qytet që ruan dhe përcjell brez pas brezi traditat e tij kulturore dhe artizanale.
Koncerti nisi mbrëmjen e së martës në Universitetin e Arteve në Tiranë dhe hyrja ishte e lirë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.