UASHINGTON – SHBA-ja sanksionon rrjetin që furnizonte Iranin me pajisje ushtarake
UASHINGTON, 29 shtator /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtuar presionin ekonomik ndaj Iranit, duke vendosur sanksione të reja ndaj disa individëve dhe organizatave, që akuzohen se kanë ndihmuar në programet ushtarake të Teheranit.
Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, masat e reja bllokojnë çdo pasuri që këta persona dhe organizata kanë në SHBA dhe ndalojnë kryerjen e transaksioneve financiare me ta.
Në total, janë vënë në shënjestër 10 individë dhe organizata.
Personat dhe organizatat e sanksionuara ndodhen në Kinë, Hong Kong, Pakistan, Arabinë Saudite dhe Turqi.
Departamenti i Thesarit i akuzon ata se kanë siguruar pajisje dhe pjesë të nevojshme, për prodhimin e armëve për Ministrinë iraniane të Mbrojtjes.
Sipas SHBA-së, qëllimi i sanksioneve është të vështirësohet aftësia e Iranit për të rifilluar programet e tij të armëve dhe t’u rriten kostot kompanive dhe personave që ndihmojnë Teheranin të sigurojë pajisje ushtarake.
Uashingtoni ka vendosur edhe më parë një sërë sanksionesh ndaj individëve dhe organizatave, që akuzohen se mbështesin Iranin.
Masat e mëparshme kanë prekur, ndër të tjera, VTB, bankën e dytë më të madhe të Rusisë, dhe bankën turke “Golden Global Bank”.
Sanksione janë vendosur gjithashtu ndaj individëve dhe organizatave, të akuzuara se mbështesin milicinë Kataib Hezbollah në Irak dhe Hezbollahun në Liban.
SHBA-ja ka vendosur sanksione edhe ndaj disa prej kompanive kryesore ajrore iraniane.
Në total, 27 kompani ajrore iraniane janë përfshirë në listën amerikane të sanksioneve, mes tyre “Kish Airlines”, “Iran Airtour” dhe “ATA Airlines”. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.