Opinion

Jetë të gjatë Librit!

Unë e kam bërë. Shumë në televizion e bëjnë. E kam fjalën për këshillat rreth leximeve verore. Zakonisht sugjerohet letërsi rozë.

Mbase është momenti të vetëkorrigjohemi.

Në internet gjen me shumicë lista rekomandimesh. Pesëpikëshe,  dhjetëpikëshe (si Urdhëresat) rreth gjithçkaje që të bie ndërmend. Ka një lloj arrogance në këtë mëtim, por duket se – në pamundësi të kohës dhe hiperinformimit- mendja jonë po mësohet e po i kërkon madje të tilla skema. Pa dashur të tingëlloj as arrogante, as ironike, por si pjesë e vetëkorrigjimit që ceka më lart, po provoj të draftoj listën e pesë arsyeve çfarë, pse dhe si duhet lexuar gjatë pushimeve.

1.Një libër që ndryshoi fatin e Estonisë…

Me një territor sa i Shqipërisë dhe Kosovës bashkë, por një popullsi 3 herë më të pakët, Estonia doli e varfër dhe me probleme serioze identitare pas ripavarësimit nga Rusia (ish-Bashkimi Sovjetik) në dekadën e fundit të shekullit të kaluar. Në vitin 1992, Kryeministri i vendit prezantoi pikëpamjen për orientimin e arsimit dhe ekonomisë drejt teknologjisë informative. Sa vizionare ishte kjo?! Sot Estonia ka një GDP për capita 5 herë më të lartë se Shqipëria, papunësi prej vetëm 6%, është lider në siguri kibernetike, dhe eksporton modelin, shërbimet dhe produktet në fushën e IT-së kudo në botë. Asokohe 32-vjeҫar, Mart Laar pohoi më vonë, në një intervistë të gjatë e të hapur, se autori që e ndriҫoi ishte Milton Friedman. Libri “I lirë për të zgjedhur” (Free to Choose) mbetet kurdoherë një lexim interesant.

2.Në një shoqëri si kjo jona, priremi të besojmë se të shkolluarit nuk janë në gjendje ta përkthejnë dijen e tyre në siguri financiare. Nuk do të argumentoja në këtë pikë – do të ishte theksim i së njohurës. Por fakti që kjo është pasqyra momentale, nuk do të thotë se kështu do vazhdojë të ndodhë. Për të dalë nga diskutimi reduktues mbi arritjet materiale dhe nivelin e konsumerizmit si etalon suksesi, shoh te leximi kapacitetin për të gjeneruar ide. Po, është gjeneruesi kryesor i ideve. Peter Drucker një ndër gurutë e marketingut, fliste për aleancat në biznes nisur nga…aleancat në martesa të Jane Austen! Letërsia e mirë, -klasikët në tërësi, -ofrojnë perspektivë mbi jetën. Cilado qoftë zgjedhja e verës – Shakespeare, Dostoyevsky, Austin, Cervantes, Mark Twain, Balzac, Borges, Marquez etj., etj – është një zgjedhje që do ju japë gëzim estetik e shpirtëror.

3.Leximi është antidoti ndaj vulgaritetit. Në Kinë i erdhi radha. Edhe në Shqipëri do t’i vijë. Kur shtresëzimi social nuk do të matet vetëm me kutin financiar, por edhe me elegancën e të menduarit, të shprehurit dhe të sjellit. Pse është e rëndësishme? Do duhej një ese më vete. Mjafton të theksoj se në Kinë trendi i fundit është të paguarit e mijëra eurove për kurse të mirësjelljes. Dhe nëse doni një lexim substancial, mos ngurroni të merrni në dorë “Teori e klasës së ngeshme” të Thorstein Veblen.

4.Tha: cogito ergo sum. Mendoj, pra ekzistoj. Në kohën kur jetoi, shkalla e analfabetizmit në Francë ishte 71 për qind për burrat dhe 73 për qind për gratë. E të mendosh qe kjo shifër pasqyronte aftësinë për të hedhur nënshkrimin personal, jo atë për të shkruar. Disa dekada më vonë, idetë e Rene Descartes dhe të tjerë mendimtarëve ushqyen një lëvizje intelektuale si iluminizmi që rezultoi me një proces mbarëkombëtar arsimimi. Sot e kësaj dite, Franca është një vend burimor idesh. Ata mendojnë, ata janë. Eleganca linguistike, oratoria publike, abstraksioni dhe logjika, moraliteti dhe fuqia, përbëjnë një përzierje interesante që studiohet dhe që frymëzon. I frymëzuari i mbramë, është Sudhir Hazareesingh, profesor i politikës në Universitetin e Oksfordit. Në librin “Si mendojnë francezët: një portret i dashur i një populli intelektual”, profesori Hazarresingh prezanton pesë elementët që, në opinionin e tij, e bëjnë Francën vendin më të ndjeshëm e të vëmendshëm ndaj ideve. Ia vlen një lexim.

5.Sfidim i vetes. Dija një drejtimëshe është e mangët. Leximi i balancuar, edhe autorë kundërthënës, fuqizon të menduarin kritik. Për më tepër, sa të mërzitshëm dhe të rrezikshëm janë njerëzit me bindje të njëanshme të betonuara? Aty fle embrioni i çdolloj fundamentalizmi – religjioz apo politik qoftë. E për të ardhur në ilustrim konkret, do të sjell dy tituj. Njëri është “Të mendosh shpejt dhe ngadalë” që ҫmitizon vlerën e intuitës (autor Daniel Kahneman) dhe tjetri “Blink” që veneron intuitën (Malcolm Gladwell).

Natyrisht, shumë prej nesh lexojnë gjatë vitit (përjashtoj leximin e statuseve në rrjetet sociale, apo citateve!). Lexojmë shkrime, artikuj, libra, statistika. Mirëpo, siҫ vëren Steven Johnson në librin “Nga vijnë idetë e mira” (Where good ideas come from), për të arritur në momentin e serendipity në cilësimin e tij, apo eureka në cilësimin e Arkimedit, trurit i vjen një kohë leximi intensiv dhe i fokusuar.  Është fakt i njohur tashmë se Bill Gates ndan një kohë të caktuar në vit për të lexuar, i shkyçur totalisht nga njerëzit dhe teknologjia. Një kohë për të lexuar e reflektuar merr edhe Elon Musk, ashtu si edhe Steve Jobs para tij e të tjerë, të cilët janë në pararojë të zhvillimeve teknologjike me impakt kolosal socio-ekonomik. Duhet lënë orar me leximin. Duhen ndarë disa ditë nga pushimet për t’u thelluar në titujt që na kanë lënë mbresë gjatë vitit.

Shënim special këtu duhet bërë për punëdhënësit: doni punonjës produktivë? Jepuni pushime! Kompania Google u lejon inxhinierëve një ditë në javë për të punuar në ҫfarëdolloj projekti që ata kanë për zemër. Kjo përkthehet në 52 ditë, ose afërsisht dy muaj në vit, përveç pushimeve vjetore! Dhe e dini pse? Sepse jep rezultat. Duke i inkurajuar dhe jo shtrydhur talentet, ata bëhen të vlefshëm. Është logjikë e çdo menaxhimi të mirë.

Paҫi verë të këndshme!

Qofshin librat gjithmonë me ne!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button