Jo-ja e bukur e Rosa Parks
Nga Rosa Parks, te Paul Lawrence Dunbar e Maya Angeleo / Muaji i historisë afrikano-amerikane vjen përmes leximeve të vargjeve të autorëve të njohur në një aktivitet nga ambasada e SHBA-së në Tiranë. Historitë e njerëzve që i dhanë zë lirisëRosa Parks ishte vetëm 32 vjeçe në tetorin e vitit 1955. Sapo kishte mbyllur punën si rrobaqepëse dhe po priste autobusin për t’u kthyer në shtëpi. Teksa ndiente erën e ftohtë të dimrit dhe priste që autobusi të vinte, ajo sillte në mendje atë imazh të trishtueshëm se si trajtoheshin njerëzit me ngjyrë në SHBA. Të zinjtë duhet të ngriheshin nga ulëset dhe t’u lironin vendin të bardhëve. Ligjet amerikane të asaj periudhe ua ndalonin zezakëve të rrinin ulur nëse një i bardhë ishte në këmbë. Të gjitha këto shenja të racizmit e lëndonin gruan që paraditeve qepte fustane plot stil për gratë e bardha. Kur autobusi qëndroi më në fund te stacioni ku priste Rosa, ajo ngjiti shkallët me nxitim, sakaq në mendje kishte marrë një vendim, i cili do të ndryshojë jetën e saj dhe të zezakëve. Ajo hodhi sytë sa majtas djathtas dhe me të pikasur një ndenjëse bosh, vajti dhe u ul. Kur në autobus u ngjitën pasagjerët e stacionit tjetër, ndenjëset ishin të gjitha të zëna. Me qetësi, një burrë i bardhë u drejtua drejt ndenjëses ku qëndronte Rosa dhe kur arriti, priti që zonja të ngrihej dhe t’i lironte vendin. Por, si për çudi, ajo i hodhi një shikim moskokëçarës dhe vazhdoi të shohë rrugën. Ky reagim i saj e acaroi burrin e bardhë dhe jo vetëm. Të gjithë të bardhët në autobus filluan ta shajnë Rosën dhe ta kërcënojnë nëse nuk ngrihet menjëherë nga ndenjësja që të ulet burri i bardhë. Por ajo kundërshtoi dhe insistoi në të sajën. Shoferi i autobusit nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse t’i drejtohet rajonit të policisë për këtë shkelje të ligjit. Siç edhe pritej, Rosa u gjobit 15 dollarë për shkeljen e të drejtave të tjetrit. Por ky veprim do të kthehej në një himn të një fushate që do të vazhdonte gjatë për të drejtat e njeriut në SHBA. Njerëzit me ngjyrë kërkuan më shumë dinjitet. “Jo”-ja e saj atë natë do të kthehej në një jo të lirisë për mijëra zezakë në të gjithë SHBA-në. Dita kur ajo u arrestua më 1 dhjetor, vazhdon të quhet “Dita e Rosa Parks”. Nuk është vetëm Rosa gruaja me flokët e zinj, e cila e shndërroi jetën e saj në një përpjekje për të ndryshuar të ardhmen e komunitetit të ngjashëm me të. Të njëjtën gjë ka bërë dhe Paul Lawrence Dunbar, përmes vargjeve të tij të ndjera dhe shpesh therëse për sistemin. Një himn për lirinë ishin dhe vargjet e poetes Maya Angelou, e cila u nda nga jeta vetëm pak kohë më parë. Në muajin e historisë afrikano-amerikane, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë organizoi “Mbrëmjen e muzikës dhe poezisë afrikano-amerikane”. Nxënës të shkollave në kryeqytet sollën përmes leximeve shpirtin e kohës. Ata treguan sipas një linje historike të gjitha sfidat dhe betejat e këtij komuniteti – nëpërmjet personazhit të Rosa Parks, Marshimit në Uashington, poezive të Maya Angelou, Paul Lawrence Dunbar, Langston Hughes etj. Nuk mungon as muzika xhaz dhe bluz për të festuar këtë muaj. Të pranishëm ishin ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nikolla, dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Ambasadori Lu theksoi rëndësinë dhe ndikimin e kontributeve afrikano-amerikane në historinë e Shteteve të Bashkuara. “E di pse zogjtë e kafazeve këndojnë”, shkruante në një titull libri Maya Angelovska në vitin 1970. Ajo donte ta ndryshonte fatin e saj si një grua me ngjyrë dhe të ishte e lirë të bënte jetën e një të bardhe. Përmes vargjeve të saj, Maya ishte e tillë, një grua e lirë, që mund të hynte deri në thellësi të ndjesive njerëzore, për të nxjerrë prej andej vargje të mrekullueshme. Historia e saj ka lënë gjurmë në breza të tërë njerëzish e admiruesish. Kur ishte vetëm 7 vjeç, ajo u përdhunua nga i dashuri i mamasë, gjë që i shkaktoi një traumë të madhe. Për shumë vite, ajo nuk foli me askënd dhe i kaloi ato, vetëm duke lexuar dhe dëgjuar. Më pas, në rininë e hershme, kohë përpara se ajo të bëhej poete e famshme, ishte një mama beqare, e cila punoi në bare striptizmi. “Ne dashurojmë, duke e fërkuar lakuriqësinë me dorashka në duar. Duke përjargur gojën me puthje gjuhë më gjuhë. Puthje që, as nuk prekin, as që duan të prekin, nëse dashuria është e brendshme.” Përgjatë viteve të saj si shkrimtare e njohur, Maya Angelou loboi për të drejtat e njeriut kundër racizmit dhe pro barazisë gjinore. Për këto kauza, që i ndoqi deri në fund të jetës së saj, ajo pati ndikim te figura të shquara, si disa presidentë amerikanë, te Nelson Mandela, si dhe te Martin Luther King, i riu. Muaji shkurt kujtohet si muaji i historisë afrikano-amerikane, duke risjellë në kujtesë figura që kontribuuan për lirinë dhe atë çfarë është sot SHBA-ja.